Rusia ka nisur një "goditje masive" në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ka bërë të ditur ministri i Energjisë i vendit, pasi u raportuan shpërthime në disa qytete.
Herman Halushchenko ka shkruar në Facebook se sulmet ndaj objekteve energjetike "po ndodhnin në të gjithë Ukrainën" duke shkaktuar ndërprerje emergjente të energjisë elektrike, raporton BBC.
Herët të enjten, forcat ajrore ukrainase lëshuan një paralajmërim për sulm ajror mbarëkombëtar "për shkak të kërcënimit të rrezikut nga raketa".
Ditët e fundit Rusia ka kryer rreth 1,500 sulme ajrore në Ukrainë, duke goditur rreth gjysmën e rajoneve të vendit, sipas autoriteteve.
Forcat ajrore lëshuan paralajmërime të mëtejshme për raketa dhe dronë që drejtohen drejt rajoneve të shumta anembanë vendit, duke përfshirë Kiev, Rivne, Vinnytsia, Kropyvnytskyi, Balta dhe Mykolaiv.
Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Igor Terekhov, ka thënë se kishte granatime të një zone civile në qytet, ndërsa kryetari i bashkisë së Lutsk, Ihor Polishchuk, ka deklaruar se shpërthime të shumta ishin dëgjuar dhe energjia elektrike ishte jashtë funksionit në një pjesë të qytetit.
Një milion ukrainas mbeten pa energji elektrike
Të paktën një milion njerëz kanë mbetur pa energji elektrike në të gjithë Ukrainën pas një sulmi të madh rus me raketa gjatë natës në infrastrukturën energjetike në vend.
Reuters raporton se tri rajone në perëndim janë prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike.
Maksym Kozytskyi, guvernator i rajonit perëndimor të Ukrainës, raportoi sulme në infrastrukturën energjetike atje dhe tha se më shumë se gjysmë milioni njerëz në rajon ishin pa energji elektrike.
Raketat u lëshuan gjatë natës drejt Kharkiv, Odesa dhe tetë rajoneve të tjera.
Mbetjet e raketave u raportuan në dy lokacione në Kiev, por autoritetet lokale pohuan se mbrojtja ajrore kapi të gjitha raketat e lëshuara në kryeqytet. Kryebashkiaku Vitali Klitschko raportoi dëme në prona, por jo viktima.
Operatori kombëtar i rrjetit energjetik “Ukrenergo” ka "paraqitur urgjentisht ndërprerje të energjisë elektrike", ka thënë ministri i energjisë, German Galushchenko.
Ndërkohë, temperatura në Kiev nuk pritet të rritet mbi 2 gradë celsius të enjten.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se ka shkatërruar 25 dronë ukrainas gjatë natës në katër rajone, duke përfshirë Krimenë e aneksuar nga Moska në vitin 2014.