Rusia ka përgatitur një rezolutë në Kombet e Bashkuara përmes së cilës bën thirrje për të gjitha shtetet që të ndërmarrin veprime urgjente për të parandaluar vendosjen e armëve në hapësirë “përgjithmonë”.
Rezoluta vjen vetëm një javë pasi shteti rus i vendosi veto një rezolute të SHBA-së dhe Japonisë e cila kërkonte të ndalej gara e armëve në hapësirë, raporton AP.
Draft-rezoluta ruse, e siguruar të mërkurën nga AP-ja shkon edhe më tej se propozimi i SHBA-së dhe Japonisë, pasi ajo jo vetëm që kërkon që të ndalen përpjekjet për të dërguar armë në hapësirë, por gjithashtu që të parandalohet “kërcënimi apo përdorimi i forcës në hapësirë përgjithmonë”.
Ajo thotë se kjo duhet të përfshijë vendosjen e armëve "nga hapësira kundër Tokës dhe nga Toka kundër objekteve në hapësirën e jashtme".
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia i ka thënë Këshillit të Sigurimit kur i vëri veto draftit SHBA-Japoni se rezoluta nuk kërkonte që të ndaloheshin të gjitha llojet e armëve në hapësirë.
Rezoluta SHBA-Japoni u fokusua vetëm në armët e shkatërrimit në masë, duke përfshirë armët bërthamore, dhe nuk përmendi armë të tjera në hapësirë.
Ajo do t'u kishte bërë thirrje të gjitha vendeve që të mos zhvillojnë ose vendosin armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë në hapësirë, siç ndalohet sipas një traktati ndërkombëtar të vitit 1967 që SHBA-ja dhe Rusia e ratifikuan, dhe të bien dakord për nevojën për të verifikuar pajtueshmërinë.