Botë

Rusia ia zgjat dënimin aktivistes së akuzuar për ndihmë ndaj Ukrainës

Nadezhda Rossinskaya

Aktivistja, Nadezhda Rossinskaya

Një gjykatë në Rusi ka vendosur që t’i zgjasë dënimin me arrest edhe për dy muaj tjerë një aktivisteje dhe modeleje e cila është akuzuar për minimin e sigurisë së shtetit pasi bëri thirrje për të mbledhur fonde për forcat ukrainase, gjë të cilën ajo e mohon, raporton AP.

Nadezhda Rossinskaya, e njohur gjithashtu si Nadine Geisler, u akuzua për “thirrje publike për aktivitete që cenojnë sigurinë e shtetit” pasi dyshohet se u kishte bërë thirrje ndjekësve të saj në rrjetet sociale për të dhuruar të holla për Batalionin Azov, i cili konsiderohet si organizatë terroriste në Rusi.

Rossinskaya është deklaruar e pafajshme para gjykatës në Belgorod.

Geisler është themeluese e “Army of Beauties”, një lëvizje vullnetare e grave që ka ndihmuar refugjatët ukrainas dhe ka shpërndarë ndihma humanitare për civilët në territoret e pushtuara nga Moska gjatë operacionit të tyre ushtarak, në shkurt të 2022-s.

Geisler u largua nga Rusia majin e kaluar, por u arrestua në fillim të shkurtit teksa u përpoq të rihynte në vend, njoftuan mediat ruse.