Rusia i ka vënë veto një rezolute në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila bën thirrje që të gjitha shtetet të parandalojnë garën e armëve në hapësirë.
Draft-rezoluta, e paraqitur nga SHBA-ja dhe Japonia u përpoq të riafirmonte një parim të përcaktuar tashmë në Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, raporton BBC.
SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia besohet të ketë zhvilluar një armë bërthamore anti-satelitore e bazuar në hapësirë.
Edhe Rusia kishte thënë se ishte "e vendosur fort" ndaj traktatit ekzistues.
Draft-rezoluta e paraqitur të mërkurën, bënte thirrje për “të gjitha shtetet, në veçanti ato me aftësi të mëdha të hapësirës, të kontribuojnë aktivisht për objektivin e përdorimit paqësor të hapësirës dhe të parandalimit të një gare armatimesh në hapësirë”.
Ajo po ashtu u bënte thirrje të gjitha shteteve që të mbështesin Traktatin e Hapësirës së Jashtme, sipas të cilit të gjitha palët ranë dakord "të mos vendosin në orbitë rreth Tokës asnjë objekt që mbante armë bërthamore ose ndonjë lloj tjetër të armëve të shkatërrimit në masë".
Nga 15 anëtarët e Këshillit, 13 votuan pro, ndërsa Rusia - një nga pesë anëtarët e përhershëm me të drejtë veto, votoi kundër, dhe Kina abstenoi.