Botë

Rusia i përgjigjet vendimit të SHBA-së: Kërcënon me armë bërthamore

Dmitry Peskov

Dmitry Peskov

Foto: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se përdorimi i raketave amerikane nga forcat e armatosura ukrainase kundër Federatës Ruse, sipas doktrinës së re ruse të miratuar nga presidenti rus Vladimir Putin të martën, mund të çojë në përgjigje me armë bërthamore. 

Duke folur në konferencën e rregullt ditore për shtyp, Peskovi ka thënë se doktrina e re bërthamore duhet të bëhet objekt i analizave të thella, si në vend ashtu edhe jashtë tij, raporton The Guardian.

Peskovi ka thënë se Federata ruse e konsideron përdorimin e armëve bërthamore si masë ekstreme, por se përditësimi i doktrinës ishte i nevojshëm, që dokumenti të përputhet me situatën e tanishme politike.

Peskovi ka thënë se “operacioni special” - termi i preferuar i Moskës për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës - po kryhej në kontekstin e një lufte të nisur nga perëndimi kundër Federatës Ruse dhe se ushtria ruse po monitoron nga afër raportet rreth planeve për përdorimin e raketave amerikane me rreze më të gjatë veprimi në rajonin Kursk të Rusisë.