Botë

Rusia godet një hotel në Kramatorsk, plagosen dy gazetarë e një tjetër zhduket

Sulmi mbi hotel në Kramatorsk

Sulmi mbi hotel në Kramatorsk

Pesë persona kanë vdekur nga bombardimet ukrainase në rajonin kufitar të Belgorodit të Rusisë, kanë bërë të ditur zyrtarët të dielën, ndërsa forcat ruse goditën një hotel në Ukrainën lindore, duke lënë një gazetar të zhdukur dhe dy të tjerë të plagosur.

Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën në fshatin rus Rakitone, 38 kilometra nga kufiri ukrainas, duke përfshirë një vajzë 16-vjeçare që raportohet të jetë në gjendje kritike, sipas guvernatorit rajonal, Vyacheslav Gladkov, raporton AP.

Forcat ruse goditën një hotel gjatë natës në qytetin e Kramatorsk në rajonin lindor të Donetskut, duke plagosur dy persona dhe duke lënë një tjetër të bllokuar nën rrënoja, ka thënë guvernatori rajonal Vadym Filashkin. Të tre u raportua se janë gazetarë nga Ukraina, SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

Agjencia e lajmeve Reuters ka thënë të dielën se gazetari i tyre që mbulonte luftën në Ukrainë ishte zhdukur dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit u shtruan në spital pasi hoteli ku po qëndronte një ekuipazh prej gjashtë personash, u godit "nga një sulm rakete" të shtunën. 

"Një nga kolegët tanë është i zhdukur, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në spital për trajtim”, ka bërë të ditur agjencia.

Rajoni lindor i Kharkivit në Ukrainë, është bërë gjithashtu pre e sulmeve ruse, duke rezultuar në lëndime të shumta civile, shkroi guvernatori rajonal Oleh Syniehubov në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Në rajonin Chuhuiv të Kharkivit, pesë persona janë plagosur, duke përfshirë një djalë 4-vjeçar dhe një vajzë 14-vjeçare, pasi dy shtëpi u goditën nga zjarri rus. Në qytetin Kharkiv, tetë persona u plagosën kur një shtëpi dykatëshe u sulmua nga raketat ruse.