Botë

Rusia gati ta njohë qeverinë talebane në Afganistan

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Rusia ka bërë një hap më shumë drejt njohjes së qeverisë talebane të Afganistanit të martën, teksa parlamenti votoi në favor të një ligji që do të bënte të mundur heqjen e talebanëve nga lista e organizatave terroriste të ndaluara të Moskës.

Dhoma e ulët e parlamentit, Duma, miratoi projektligjin në të parën nga tri leximet e kërkuara, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Asnjë vend nuk e njeh aktualisht qeverinë talebane, e cila mori pushtetin në gusht të vitit 2021, pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-ja organizuan një tërheqje kaotike pas 20 vjetësh luftë. Por Rusia ka ndërtuar gradualisht lidhje me lëvizjen, për të cilën presidenti Vladimir Putin ka thënë në korrik se tani është një aleate në luftën kundër terrorizmit.

Moska sheh një kërcënim të madh sigurie nga grupet militante islamike të bazuara në një varg vendesh nga Afganistani në Lindjen e Mesme, ku Rusia humbi një aleat të madh këtë javë me përmbysjen e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Në mars, persona të armatosur vranë 145 persona në një sallë koncertesh jashtë Moskës në një sulm të marrë përsipër nga Shteti Islamik. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se inteligjenca e tyre tregonte se ishte dega afgane e grupit, Daesh, ajo që ishte përgjegjëse.

Talebanët thonë se po punojnë për të zhdukur praninë e DEASH-it në Afganistan.

Talebanët kanë mbyllur shkollat e mesme dhe universitetet për vajzat dhe gratë dhe kanë vendosur kufizime në lëvizjen e tyre pa një kujdestar mashkull. Ata thonw se respektojnw të drejtat e grave në përputhje me interpretimin e rreptë të ligjit islamik.

Rusia ka historinë e saj komplekse dhe të gjakosur në Afganistan. Trupat sovjetike pushtuan vendin në dhjetor të vitit 1979 për të mbështetur një qeveri komuniste, por u zhytën në një luftë të gjatë kundër luftëtarëve muxhahidinë të armatosur nga Shtetet e Bashkuara. 

Udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev tërhoqi ushtrinë e tij në vitin 1989, kohë në të cilën ishin vrarë rreth 15,000 ushtarë sovjetikë.