E përditësuar (15:01) - Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se pushtimi i Ukrainës do të duhej të ndodhte shumë më herët.
Në fjalimin e tij të fundvitit prej më shumë se katër orësh, të enjten në Moskë, Putini ka thënë se do të duhej t’i kishin nisur përgatitjet edhe më herët.
“Duke ditur se çfarë po ndodh tani, në vitin 2022 do të kisha menduar se vendimi duhej të ishte marrë më herët”, ka thënë Putini.
I pyetur nga një anëtar i audiencës në sallën ku po mbante fjalimin vjetor, nëse ka mësuar ndonjë gjë për veten gjatë luftës ai është shprehur se “tani bëj shumë më pak shaka”.
Rusia është e përgatitur për kompromise me Ukrainën, thotë Putini
E përditësuar (13:06) - Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia është e përgatitur për negociata me Ukrainën.
Në fjalimin e tij të fundvitit, ai madje ka shtuar se është i përgatitur për kompromis, raporton BBC.
I pyetur nëse ishte i përgatitur të bënte kompromis "në çfarëdo mënyre" për Ukrainën, ai është përgjigjur se “politika është arti i kompromisit”
Ai ka pretenduar se Ukraina ka refuzuar të zhvillojë negociata, raporton BBC.
Putini ka thënë se ata arritën një marrëveshje në Stamboll në vitin 2022, për të cilën ai thotë se Ukraina ra dakord, por më pas u tërhoq.
Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse ish-kryeministri britanik, Boris Johnson udhëtoi në Ukrainë dhe tha "ata duhet të luftojnë deri në ukrainasin e fundit", gjë që sipas tij, Kievi po e bën tani.
Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës janë mbajtur në Stamboll në vitin 2022, ku u negociua një projekt-marrëveshje Rusi-Ukrainë. Raportet thonë se Kremlini i kërkoi Ukrainës të heqë dorë nga Krimea dhe rajoni i Donbasit, të zvogëlojë ushtrinë e saj dhe t'i japë fund planit të saj për të hyrë në NATO - kërkesa të paimagjinueshme për shumicën e ukrainasve.
Boris Johnson kishte deklaruar në shtator 2022 se "çdo marrëveshje apo kompromis i tillë do të dërgonte një sinjal në mbarë botën se dhuna shpërblehet”.
Putini i gatshëm që të takohet me Trumpin
E përditësuar (12:13) - Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se nuk ka biseduar me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump në më shumë se katër vjet dhe se nuk është i sigurt se kur do të flasë me të.
Por ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me të.
“Jam i gatshëm të takohem me të nëse ai dëshiron”, ka thënë Putin në fjalimin e tij të fundvitit, raporton BBC.
Trumpi dhe Putini kanë takuar në samitin G20 në vititn 2019 në Japoni, në margjinat e të cilit kanë zhvilluar edhe bisedime.
Që kur i ka fituar zgjedhjet në SHBA muajin e kaluar, Trumpi ka biseduar me presidentin ukrainas,
Volodymyr Zelenskuy, dhe ata janë takuar edhe personalisht gjatë vizitës së Zelenskyt në Neë York, në muajin shtator.
Gjatë asaj vizite Zelensky ka deklaruar se ishte i sigurt se lufta me Rusinë do të përfundonte shpejt me Trumpin president.
Putini ka folur edhe për Bashar al-Assad i cili është rrëzuar rreth dy javë më parë në Siri, duke thënë se ende nuk e ka takuar, dhe se do ta takojë së shpejti.
Fitorja është më afër në Ukrainë, thotë Putini
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se fitorja në luftën në Ukrainë është më afër.
Këtë koment ai e ka bërë gjatë një fjalim vjetor të fundvitit, ku ka theksuar se situata po ndryshon në mënyrë drastike në fushën e betejës.
Putini ka deklaruar se ushtarët rusë po rifitojnë territor me kilometra katrorë për çdo ditë.
I pyetur për Oreshnik, raketën e re balistike të Rusisë të përdorur kundër Ukrainës në nëntor, Putini ka këmbëngulur se teknologjia perëndimore "nuk ka asnjë shans" për ta kapur atë.
“Le të bëjmë një eksperiment ose një duel, zgjidhni një objektiv në Kiev, sillni mbrojtjen ajrore perëndimore atje dhe shikoni nëse ata janë në gjendje ta kapin atë”, ka deklaruar Putini.
Ai ka thënë më parë se arma, kur u përdor në Ukrainë muajin e kaluar, udhëtoi me një shpejtësi prej 2.5-3 km në sekondë, që i bie 10 herë më shumë se shpejtësia e zërit, duke shtuar se "aktualisht nuk ka mënyra të kundërveprimit ndaj kësaj arme”.
Presidenti rus, po ashtu ka deklaruar se nëse vendet e tjera paraqesin kërcënim për Rusinë, atëherë shteti ka të drejtë të përdorë armë bërthamore kundër tyre.
Kreu i Kremlinit ka miratuar ndryshime muajin e kaluar që përcaktuan kushte të reja në të cilat vendi do të konsideronte përdorimin e arsenalit të tij bërthamor.
Doktrina tani thotë se një sulm nga një shtet jo-bërthamor, nëse mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të trajtohet si një sulm i përbashkët ndaj Rusisë.
LEXO EDHE: