Autoritetet ruse dhe ato ukrainase kanë akuzuar njëra-tjetrën, në atë që po vlerësohet si përpjekje për të realizuar sulme duke kaluar kufirin që i ndan dy vendet të martën, me secilën nga autoritetet që pretendojnë se kanë parandaluar sulmet e planifikuara, shkruan agjencia Reuters.
Të dyja palët kanë thënë se janë në kontroll të plotë të territorit në anën e tyre të kufirit dhe kanë shkaktuar humbje në jetët e trupave armike.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, në një deklaratë të raportuar nga agjencitë e lajmeve ruse, ka thënë se forcat ruse ia kanë arritur të ndalin pesë përpjekje të Ushtrisë ukrainase për t’u futur në rajonin juglindor të Belgorodit.
Deklarata e ministrisë së Mbrojtjes ka vlerësuar se sulmet kishin për qëllim ndërprerjen e bisedimeve në mes të liderit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, bisedë e cila ka pasur si temë qendrore arritjen e marrëveshjes që i jep fund luftës trevjeçare.
Në anën tjetër, ushtria e Ukrainës ka thënë se forcat e saj kanë “ndaluar me sukses të gjitha përpjekjet e okupatorit për të fituar terren” brenda rajonit Sumy.
Mijëra ushtarë ukrainas kapën rreth 1,300 km katrorë të rajonit të Kurskut të Rusisë në gusht të vitit të kaluar. Megjithatë, kundërofensiva ruse ka rikuperuar shumicën e territoreve të humbura në Kursk gjatë javës së fundit.
