Botë

Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sot nga 175 të burgosur

Te burgosurit

Foto: Associated Press

(Përditësur 09:04) - Rusia dhe Ukraina do të shkëmbejnë nga 175 të burgosur secila të mërkurën, ka njoftuar Kremlini pas një telefonate mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit amerikan, Donald Trump të martën.

Kremlini ka thënë se si një "gjest i vullnetit të mirë", Rusia do të lirojë gjithashtu 23 ushtarakë të plagosur ukrainas nga objektet mjekësore ruse.

Pajtimi për shkëmbimin e të burgosurve është arritur mes Trumpit dhe Putinit, gjatë bisedës telefonike, ku po ashtu Putini është pajtuar gjithashtu për një armëpushim të kufizuar mbi caqet energjetike dhe të infrastrukturës të Ukrainës.

Mirëpo, Rusia dhe Ukraina kanë vazhduar sulmet ndaj njëra-tjetrës menjëherë pas bisedës mes dy presidentëve.


Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë sulme pas telefonatës Trump-Putin

Rusia dhe Ukraina kanë kryer sulme ajrore që dëmtuan infrastrukturën e njëra-tjetrës, disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ishte pajtuar me ndalimin e shënjestrimit të caqeve energjetike dhe të infrastrukturës të Ukrainës, gjatë një bisede telefonike që ka pasur me homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se objektivat e Rusisë përfshinin spitalet. Ai ka shtuar se udhëheqësi rus në fakt kishte refuzuar një armëpushim gjithëpërfshirës në thirrjen e tij të martën me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, raporton BBC.

Putini i ka thënë Trumpit se një armëpushim i plotë do të funksiononte vetëm nëse aleatët e Ukrainës ndalonin dhënien e ndihmës ushtarake, një kusht që aleatët evropianë të Ukrainës e kanë refuzuar më parë.

Zyrtarët në rajonin jugor rus të Krasnodarit kanë thënë se një sulm me dron ukrainas shkaktoi një zjarr të vogël në një depo nafte.

Brenda orëve pasi Putini kishte rënë dakord të ndalonte sulmet në infrastrukturën energjetike, Zelensky ka njoftuar se "ka pasur goditje, veçanërisht në infrastrukturën civile", duke përfshirë një spital në Sumy.

Sipas tij, Rusia ka lëshuar më shumë se 40 dronë kundër Ukrainës në orët pas telefonatës midis Trumpit dhe Putinit.

“Janë këto lloj sulmesh gjatë natës nga Rusia që shkatërrojnë sektorin tonë energjetik, infrastrukturën tonë dhe jetën normale të ukrainasve. Sot, Putini refuzoi në mënyrë efektive propozimin për një armëpushim të plotë”, ka deklaruar ai. 

Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se nga 57 dronët ukrainas që ishin lëshuar gjatë natës, 35 ishin mbi rajonin kufitar Kursk.