SHBA-ja thotë se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për armëpushim detar, duke siguruar “lundrim të sigurt në Detin e Zi”.
Shtëpia e Bardhë ka publikuar dy deklarata nga bisedimet e saj me Rusinë dhe Ukrainën, duke shpallur në mënyrë efektive një marrëveshje për një armëpushim në det "për të garantuar lundrim të sigurt, për të eliminuar përdorimin e forcës dhe për të parandaluar përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi", raporton The Guardian.
“Të dy vendet kanë rënë dakord të zhvillojnë masa për zbatimin e marrëveshjes së mëparshme për të ndaluar goditjet kundër infrastrukturës energjetike”, thuhej po ashtu në të dyja deklaratat.
Deklaratat theksojnë po ashtu se Ukraina dhe Rusia “do të vazhdojnë të punojnë drejt arritjes së një paqeje të qëndrueshme".
Në leximin specifik për Ukrainën, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se "mbetet e përkushtuar për të ndihmuar në arritjen e shkëmbimit të robërve të luftës, lirimin e të burgosurve civilë dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të transferuar me forcë".
Ndërkaq, dokumenti specifik për Rusinë ka vënë në dukje se SHBA-ja do të ndihmonte "të rivendoste qasjen e Rusisë në tregun botëror për eksportet bujqësore dhe të plehrave, të ulë kostot e sigurimit detar dhe të rrisë qasjen në portet dhe sistemet e pagesave për transaksione të tilla".
Të dy versionet e deklaratave kanë përfunduar duke theksuar se "Shtetet e Bashkuara përsëritën imperativin e presidentit Donald J. Trump se vrasja nga të dyja anët e konfliktit Rusi-Ukrainë duhet të ndalet, si hapi i nevojshëm drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme paqeje".
“Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të lehtësojnë negociatat midis të dyja palëve për të arritur një zgjidhje paqësore, në përputhje me marrëveshjet e bëra në Riad”, thuhet në dy deklaratat.
Kremlini kushtëzon zbatimin e armëpushimit detar me heqjen e sanksioneve
Kremlini zyrtar ka publikuar një deklaratë mbi bisedimet me SHBA-në në Arabinë Saudite ku ka paraqitur një sërë kushtesh për të cilat thotë se marrëveshja e Detit të Zi vjen bashkëngjitur.
Sipas Kremlinit, marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm pasi të hiqen sanksionet nga bankat ruse të përfshira në tregtinë ndërkombëtare të ushqimit dhe plehrave, dhe ato të jenë rilidhur plotësisht me Swift - një rrjet që lehtëson mesazhet e sigurta financiare midis bankave, raporton BBC.
Kjo do të thotë se Rusia po kërkon në mënyrë efektive që sanksionet duhet të hiqen nga bankat e saj, prodhuesit dhe eksportuesit e ushqimit, si dhe siguruesit e përfshirë në eksportet e ushqimit, përpara se të hyjë në fuqi një armëpushim në Detin e Zi.