Botë

Rusia dënon me 17 vjet burgim “spiunin” e SHBA-së

Moska

Një gjykatë në Rusi e ka dënuar me 17 vjet burgim një rus të akuzuar për dërgimin e informatave sekrete një agjencie për inteligjencë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka raportuar agjencia e lajmeve shtetërore ruse TASS.

“Gjykata e Qytetit të Moskës ka shpallur fajtor Dmitry Arkadyevich Shatresovin për tradhti të lartë në favor të Shteteve të Bashkuara”, citohet të ketë njoftuar Shërbimi Federal Rus për Siguri (FSB).

Sipas vendimit, “është gjetur se Shatresov D.A, duke përdorur metoda ilegale ka marrë informacione që ishin sekrete shtetërore dhe i shtyrë për qëllime kriminale, ka pasur qëllim t’ia transferojë ato një përfaqësuesi të inteligjencës amerikane”.

Ambasada e SHBA-së në Moskë nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për koment.

Avokati i të akuzuarit nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve.

TASS ka raportuar se 40-vjeçari Shatresov, i cili u dënua të mërkurën, ka jetuar në një qytet në periferi të Moskës dhe punonte në logjistikë.

Çështjet e tradhtisë në Rusi mbahen në seanca të mbyllura, dhe shumë rrallë dikush shpallet i pafajshëm, kanë treguar statistikat zyrtare.

Ndjekje penale të tilla janë shpeshtuar shumë në Rusi që nga fillimi i luftës në Ukrainë, derisa agjencitë e inteligjencës tentojnë të gjejnë agjentë dhe spiunë të huaj.

Rreth 792 persona janë dënuar në Rusi për tradhti, spiunazh ose bashkëpunim me një shtet të huaj që nga fillimi i konfliktit tre vjet më parë, sipas Pervy Otdelit nga një asociacion i avokatëve në Rusi.