Botë

Rusia dëbon edhe dy diplomatë britanikë

Moske

Foto: Associated Press

Një diplomat britanik dhe bashkëshortja e një diplomati tjetër po dëbohen nga Rusia, ka thënë shërbimi i brendshëm i sigurisë së vendit.

Vendimi vjen pasi Britania e Madhe dëboi një zyrtar rus muajin e kaluar, raporton BBC

Të dy diplomatët akuzohen për "punë inteligjente dhe subversive" nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), i cili ka thënë se atyre u ishte hequr akreditimi dhe u urdhëruan të largoheshin nga Rusia brenda dy javësh.

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka komentuar vendimin duke thënë se kjo nuk është hera e parë që Rusia ka bërë akuza dashakeqe dhe të pabaza kundër stafit të tyre.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë të hënën se ka thirrur gjithashtu një përfaqësues të ambasadës britanike "në shenjë proteste".

Vetëm gjatë vitit të kaluar, ka pasur shtatë diplomatë britanikë të dëbuar nga Rusia pasi Moska i akuzonte ata për spiunazh, akuza që janë mohuar nga Britania e Madhe. 

Marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë përkeqësuar në vitet pas pushtimit rus të Ukrainës.

Muajin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar ka dëbuar një diplomat rus, një veprim i ndërmarrë në përgjigje të dëbimit nga Moska të një diplomati britanik në nëntor 2024.