Botë

Rusia burgos studiuesin francez me akuzat se shkeli ligjin “agjent i huaj”

Laurent Vinatier

Foto: Associated Press

Një gjykatë në Moskë ka dënuar një studiues francez me tre vjet në koloni penale, për shkelje të ligjit të diskutueshëm të Rusisë për regjistrimin si “agjent i huaj”, raporton BBC.

Laurent Vinatier, i cili ka punuar për një organizatë joqeveritare të ndërmjetësimit të konflikteve me bazë në Zvicër, është arrestuar në qershor, ne pretendimet se po mblidhte informacion rreth Ushtrisë ruse.

Duke folur në sallën e gjyqit në rusisht, Vinatieri ka kërkuar falje, duke thënë se nuk ia kishte idenë që duhet të regjistrohej. 48-vjeçari, i cili më herët e ka pranuar fajin, ka recituar një strofë të poetit rus, Alexander Pushkin.

Kërkesa nga ekipi i mbrojtjes së Vinatierit që ai të gjobitej në vend se të përballej me burgun, është hedhur poshtë nga kryetari i trupit gjykues. Ekipi ka thënë se ai do të apelojë.

Franca nuk e ka komentuar vendimin e gjykatës së Moskës. Presidenti francez, Emmanuel Macron ka kërkuar më herët lirimin e Vinatierit.

“Gjykata ka vendosur ta shpallë fajtor Vinatierin dhe ta dënojë me tre vjet në koloninë penale të regjimit”, ka thënë të hënën, gjykatësja Natalia Cheprasova e gjykatës së distriktit Zamoskvoretsky të Moskës.

Prokurorët e shtetit kanë kërkuar dënim me burg prej tre vjetësh dhe tre muajsh. Ata kanë argumentuar se informacioni i mbledhur nga Vinatieri mund të jetë përdorur kundër Rusisë.

“Ne e konsiderojmë dënimin të rëndë dhe do të apelojmë përfundimisht”, ka thënë Pavel Mamonov, avokati mbrojtës i Vinatierit.

Vinatieri ka punuar për organizatën joqeveritare, Qendra për Dialogun Humanitar, kur është arrestuar. Sipas organizatës, aktiviteti kryesor është “t’i parandalojë dhe zgjidhë konfliktet e armatosura përreth botës, përmes ndërmjetësimit dhe diplomacisë diskrete”.

Rusia kërkon që gjithkush që merr mbështetje të huaj ose është nën influencën e huaj, ta deklarojë veten si agjent i huaj.

Kremlini e ka përdorur këtë ligj të vitit 2012, për ta shtypur opozitën brenda vendit ndaj presidentit rus Vladimir Putin, e gjithashtu si pretekst për t’i ndaluar njerëzit, përfshirë të huajt.