Sulmi në Moskë

Rusia arreston edhe një të dyshuar, akuzon Ukrainën për financim të sulmuesve

Sulmi në Moskë

Sulmi në Moskë

Foto: Associated Press

Rusia ka arrestuar një tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor në sulmin nga persona të armatosur në një sallë koncertesh në periferi të Moskës një javë më parë, që la të vdekur 143 persona.

Komiteti hetues rus ka thënë se personi i fundit i arrestuar ishte i përfshirë në financimin e sulmit të së premtes në sallën e koncerteve Crocus City, në të cilin persona të armatosur qëlluan njerëzit që prisnin një shfaqje nga një grup popullor rock, dhe më pas i vunë flakën ndërtesës. 

Ai nuk dha detaje të mëtejshme për identitetin e të dyshuarit apo veprimet e supozuara.

Zyrtarët kanë thënë më parë se 11 të dyshuar ishin arrestuar, duke përfshirë katër që dyshohet se kryen sulmin. 

Katër të identifikuarit si shtetas taxhik, u paraqitën në një gjykatë në Moskë të dielën me akuza për terrorizëm. Ata treguan shenja të rrahjeve të rënda. Njëri dukej se mezi ishte i vetëdijshëm gjatë seancës.

Një fraksion i grupit të Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për masakrën. Por zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, kanë pohuar me këmbëngulje, pa paraqitur prova, se Ukraina dhe Perëndimi kishin një rol në sulm.

Komiteti hetues ka thënë në deklaratë se ka “konfirmuar të dhënat se autorët e sulmit terrorist kanë marrë shuma të konsiderueshme parash dhe kriptovalutash nga Ukraina, të cilat janë përdorur në përgatitjen e krimit”.

Ukraina mohon përfshirjen dhe zyrtarët e saj pretendojnë se Moska po e akuzon atë si një pretekst për të intensifikuar luftimet e saj në Ukrainë.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë të enjten se rreth 70 persona mbeten të shtruar në spital nga plagët e sulmit, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.