Autoritetet në Rusi kanë arrestuar gjashtë gazetarë në vend brenda një muaji, përfshirë gazetaren që ka xhiruar gjykimet e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, ka bërë të ditur organizata e lirisë së mediave, “Reporterët pa Kufij”.
Antonina Favorskaya është arrestuar dhe akuzuar nga autoritetet e Rusisë për marrjen pjesë në një “organizatë ekstremiste”, duke postuar në mediat sociale fondacionin Anti-Korrupsion të Navalnyt, ka bërë të ditur grupi rus i të drejtave të njeriut, OVD-Info. Navalny ka vdekur në një koloni penale të Arktikut, në shkurt, raportoi AP.
Favorskaya mbuloi seancat gjyqësore të Navalnyt për vite dhe filmoi videon e fundit të tij para se të vdiste në koloninë penale. Ajo është një nga disa gazetarët rusë të shënjestruar nga autoritetet, si pjesë e një goditjeje gjithëpërfshirëse kundër disidencës në Rusi, që synon figurat e opozitës, gazetarët, aktivistët dhe anëtarët e komunitetit LGBTQ+.
Dy gazetare të tjera, Alexandra Astakhova dhe Anastasia Musatova, u arrestuan gjithashtu përkohësisht pasi kishin shkuar për të takuar Favorskayan në qendrën e paraburgimit ku ajo po mbahej, bëri të ditur “Reporterët pa Kufij”, duke shtuar se shtëpitë e tyre u kontrolluan dhe u sekuestruan pajisjet.
Ekaterina Anikievich, e faqes ruse të lajmeve SOTAvision, dhe Konstantin Yarov nga RusNews, u arrestuan gjithashtu nga policia ndërsa mbulonin kontrollin e shtëpisë së Favorskayas. Yarov u rrah nga policia, u kërcënua me dhunë seksuale dhe u dërgua në një spital, sipas “Reporterët pa Kufij”. Yarov akuzohet për "mosbindje" ndaj policisë dhe rrezikon 15 ditë paraburgim, ka shtuar grupi.
Në Ufa, 1,300 kilometra në lindje të Moskës, autoritetet ruse arrestuan Olga Komleva, një gazetare për RusNews, të mërkurën. Ata gjithashtu e akuzuan atë për ekstremizëm dhe përfshirje me Navalnyn dhe organizatën e tij, thanë “Reporterët pa Kufij”.
OVD-Info ka thënë se Favorskaya fillimisht u arrestua më 17 mars pasi vendosi lule në varrin e Navalnyt. Ajo kaloi 10 ditë në burg pasi u akuzua për mosbindje ndaj policisë, por kur ajo periudhë e ndalimit përfundoi, autoritetet e akuzuan përsëri dhe e urdhëruan që të paraqitej të premten në Gjykatën e Qarkut Basmanny të Moskës.
Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnyt është cilësuar si një organizatë ekstremiste nga autoritetet ruse, që do të thotë se njerëzit e lidhur me të mund të përballen me dënime me burgim, nëse vazhdojnë të jenë të përfshirë në punën e tij.
Kira Yarmysh, zëdhënësja e Navalnyt ka thënë se Favorskaya nuk publikoi asgjë në platformat e Fondacionit duke shtuar se autoritetet ruse e shënjestruan atë sepse ajo po bënte punën e saj si gazetare.