Botë

Rusëve të akuzuar për krime u ofrohet zgjedhje – fronti i luftës në vend të gjykatës

Andrey Perlov ne gjykate

Rreth orës 06:45 më 28 mars, policia arriti në shtëpinë e Andrey Perlovit pranë Novosibirskut në Siberi.

Andrey u akuzua për vjedhjen e rreth tre milionë rublave (32 mijë dollarë) nga një klub futbolli në Novosibirsk  ku ishte drejtor menaxhues. Ai dhe familja e tij e mohojnë këtë. 

Perlov, i cili është 62-vjeçar, është një kampion olimpik. Ai kishte fituar të artën në ecje sportive 50 kilometra në Lojërat Olimpike “Barcelona 1992”. 

Ai gjendet në burg për më tepër se gjashtë muaj dhe familja e tij thotë se po i bëhet presion që të pranojë të luftojë në Ukrainë. Atij i është thënë se, në këmbim, rasti gjyqësor kundër tij do të pezullohet dhe potencialisht do të rrëzohet tërësisht kur lufta të mbarojë. 

Nuk është sekret që të burgosurit janë rekrutuar për të luftuar në Ukrainë, por hulumtimi i BBC-së zbulon se si fokusi fillestar ndaj kriminelëve të dënuar tash është zhvendosur edhe te njerëzit që ende nuk janë përballur me gjyq. 

Legjislacioni i fundit, i miratuar në mars të vitit 2024, do të thotë se nëse ata regjistrohen, ndjekja dhe çdo hetim do të ndalohet. Rastet ndaj tyre do të mbyllen përfundimisht pas luftës. 

“Kjo e ka kthyer përmbys sistemin e zbatimit të ligjit në Rusi”, thotë Olga Romanova, drejtoresha e “Rusia prapa grilave” – një OJQ që ofron ndihmë ligjore për të arrestuarit. “Policia tani mund ta kapë një burrë mbi kufomën e ndokujt që sapo e ka vrarë. Ti ia vë prangat dhe vrasësi thotë: ‘Prit, dua të shkoj në një operacion special ushtarak’, dhe e mbyllim çështjen penale”. 

Nëse i akuzuari nënshkruan, brenda pak ditëve pezullohet rasti penal ndaj tij, dhe ata nisen gati menjëherë për në vijën e frontit. 

Tre avokatë që punojnë në Rusi kanë konfirmuar se kjo është bërë normë e re në të gjithë vendin. 

Disa regjistrohen me shpresën që ta shmangin burgun dhe t’i pastrohet dosja – por kjo s’është rrugëdalje e lehtë, siç tregon rasti i të riut Yaroslav Lipavsky. 

Ai nënshkroi një kontratë me ushtrinë pasi u akuzua se kishte shkaktuar me dashje “dëmtim serioz të shëndetit ndaj disa personave”.  

E dashura e tij e re sapo kishte marrë vesh se ishte shtatzënë dhe për ta shmangur ndjekjen penale, Lipavsky u regjistrua në ushtri sapo mbushi 18 vjet. 

Ai u nis për në Ukrainë dhe një javë më vonë humbi jetën. Është një nga ushtarët më të rinj që vdiq në luftë. 

Nuk është e qartë se sa njerëz të akuzuar për krime kanë zgjedhur të luftojnë në vend që të përballen me gjyq, por ky ndryshim në politikë shpërfaq nevojën e Rusisë për t’i forcuar radhët e ushtrisë. 

“A kujdesen rusët për të dënuarit apo ata që janë në burg? Unë dyshoj se jo”, thotë Michael Koffman, analist i ushtrisë në “Carnegie Endowment for International Peace”. 

Ai mendon se Qeveria “ka të ngjarë të supozojë se këta njerëz që mund t’i humbin, askush s’do ta ndiejë mungesën e tyre dhe s’do të kenë efekt të konsiderueshëm, negativ në ekonominë e përgjithshme”. 

Kur grupi mercenar Wagner rekrutoi për herë të parë të burgosurit, udhëheqësi i tij tashmë i ndjerë, Yevgeny Prigozhin, synoi të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë. 

Ai tha se ka nevojë për “talentet e tyre kriminale” në këmbim të faljeve. 

BBC-ja dhe faqja ruse “Mediazona” kanë parë dhe verifikuar dokumente konfidenciale që hedhin dritë mbi procesin e rekrutimit të të burgosurve, ata se çfarë u ka ndodhur shumicës së tyre dhe nevojën për ta ruajtur fluksin e luftëtarëve të rinj. 

Dihet, nga analizimi i qaforeve të të dënuarve që vdiqën në Ukrainë dhe pagesave të bëra për familjet e tyre, se Wagneri rekrutoi rreth 50 mijë të burgosur nga kolonitë penale dhe në një moment po humbte deri 200 çdo ditë gjatë luftimeve. Shumë të tjerë u plagosën. 

Të gjitha qaforet e të burgosurve fillojnë me shkronjën K, që do të thotë “Kolonya” apo koloni penale. 

Tre numrat e parë identifikojnë burgun nga vijnë dhe tre numrat e fundit identifikojnë të rekrutuarin – kështu që sa më i lartë numri, aq më shumë rekrutë vijnë nga ajo koloni penale. 

Të dhënat e pagesave tregojnë se më shumë se 17 mijë të burgosur u vranë duke u përpjekur ta pushtonin qytetin Bakhmut në lindje të Ukrainës vetëm mes korrikut 2022 dhe qershorit 2023. 

Për t’i plotësuar humbjet, Wagner dhe më vonë Ministria e Mbrojtjes, përshtatën strategjitë e tyre të rekrutimit për ta zgjeruar grupin e njerëzve që mund të tërheqin. 

Disa njerëz të akuzuar për krime refuzojnë marrëveshjen e re, sepse janë parimisht kundër luftës, të tjerë sepse rreziku për të vdekur ose për t’u plagosur në fushëbetejë është shumë i madh dhe të tjerë sepse duan të qëndrojnë në shtëpi për ta luftuar çështjen e tyre. 

Por, ata mund të jenë nën presion të madh nga autoritetet thotë Alina, vajza e Andrey Perlovit.

“Ai refuzoi dhe ne bëmë një zhurmë të madhe në mediat lokale, kështu që ai u dërgua në qelinë e ndëshkimit të rreptë, ku i sollën sërish kontratën”, thotë Alin. 

Ajo thotë se kur babai i saj refuzoi për herë të dytë, atij iu ndalua ta shihte apo telefononte familjen. 

Ata ende shpresojnë të dëshmojnë pafajësinë e tij, por herën e fundit që Alina e pa babanë e saj në gjyq në mes të korrikut, ai kishte humbur shumë peshë. 

“Ai përpiqet ta mbajë veten të lumtur”, tha Alina. “Por, nëse kjo vazhdon, ata do ta thyejnë atë”. 

Autoritetet ruse nuk u përgjigjën në pyetjen për rastin e Andrey Perlovit dhe nëse po u bëhet presion i padrejtë të të burgosurve për t’iu bashkuar ushtrisë.