Anëtarja e NATO-s, Rumania, ka thënë se një dron rus ka shkelur hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve në Ukrainë gjatë orëve të para të së dielës dhe i ka bërë thirrje Moskës të ndalojë atë që e ka përshkruar përshkallëzim, raporton agjencia “AP”.
Incidenti ka ndodhur gjatë sulmeve “në shënjestrat civile dhe infrastrukturën e porteve” përgjatë lumit Danub në Ukrainë, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë.
Rumania ka ngritur aeroplanët luftarakë F-16 për ta monitoruar hapësirën ajrore, dhe aleatët e NATO-s janë informuar për incidentin, është njoftuar nga Ministria. Autoriteti rumun i emergjencës ka lëshuar një paralajmërim për banorët në dy rajonet lindore.
Sipas të dhënave fillestare mund të ketë pasur një “zonë ndikimi” në një zonë të pabanuar pranë fshatit rumun të Peripravës, tha Ministria. Shtoi se një hetim po zhvillohet.
Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rumania ka konfirmuar në disa raste se fragmente të dronëve kanë rënë në territor të saj. Së fundi një rast të tillë e konfirmoi në korrik.