Botë

Rubio: Zelensky po pengon paqen me Rusinë

Marco Rubio

Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, edhe të dielën ka dalë kundër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa ka mbrojtur presidentin amerikan, Donald Trump.

Siç raporton NYTimes, Rubio ka thënë se Zelensky po tenton të dëmtojë procesin e paqes me Rusinë “duke sfiduar Trumpin dhe zëvendëspresidentin JD Vance”.

Duke komentuar atë që ndodhi të premten (28 shkurt) në Zyrën Ovale, Rubio u shpreh se lideri ukrainas po tenton ta arsyetojë Ukrainën në secilin veprim.

“Ajo që Zelensky bëri, për fat të keq, është se ai gjeti secilën mundësi për ta arsyetuar Ukrainën në secilën çështje”, ka thënë Rubio në “This Week” në ABC.

Rubio ka shtuar se “Zelensky dhe kritikët e z.Trump dhe të z.Vance, mes të cilëve ka edhe ligjvënës demokratë dhe republikanë, duhet ta kuptojnë se SHBA-ja po përpiqej ta ndihmonte Ukrainën”.

Sipas Rubios, Trumpi do të konsiderohej i denjë për çmimin Nobel për Paqe “për përpjekjet e tij, sikur të ishte demokrat”.