Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do t’i braktisë përpjekjet për të arritur një marrëveshje për paqe në mes Rusisë dhe Ukrainës brenda ditësh nëse nuk ka shenja të qarta se një marrëveshje mund të bëhet, ka deklaruar të premten sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne nuk do të vazhdojmë me këtë përpjekje për javë dhe muaj pa përfundim. Pra ne duhet të vendosim shumë shpejtë tani, dhe jam duke folur për çështje ditësh për atë nëse kjo është e mundshme në javët e ardhshme”, ka deklaruar Rubio në Paris pas takimit me liderët evropianë dhe ukrainas.
“Presidenti ndihet shumë fuqishëm rreth saj. Ai i ka dedikuar shumë kohë dhe energji kësaj ... kjo është e rëndësishme, por ka shumë gjëra të tjera shumë të rëndësishme që po ndodhin që meritojnë vëmendje të njëjtë, në mos më shumë”, ka shtuar Rubio.
Paralajmërimi i Rubios ka ardhur në mes shenjave për pak progres në bisedimet e SHBA-së me Ukrainën.
Trumpi të enjten tha se ai po pret të nënshkruajë një marrëveshje me Kievin javën e ardhshme që do t’i jepte SHBA-së qasje në mineralet e Ukrainës.
Pas bisedimeve të së enjtes në Paris - bisedimet e para thelbësore, të nivelit të lartë dhe takimit mbi shtytjen e paqes të Trumpit që ka përfshirë fuqitë evropiane – Rubio tha se korniza e SHBA-së për paqe ka marrë një pranim inkurajues. Zyra e Zelenskyt i ka quajtur bisedimet konstruktive dhe pozitive.
Komentet e Rubios të premten nënvizojnë një frustrim në rritje në Shtëpinë e Bardhë mbi mungesën e progresit në shtytjet për të rregulluar një listë të sfidave gjeopolitike.
Trumpi gjatë fushatës ka premtuar se do të ndalojë luftën në Ukrainë në 24 orët e para në Shtëpinë e Bardhë, por kur mori detyrën ai sugjeroi se një marrëveshje mund të arrihej në prill ose në maj, pas krijimit të sfidave të reja.
Rubio njoftoi se ka folur me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavror pas bisedimeve në Paris dhe se i ka thënë se ata kanë qenë konstruktivë, dhe se e ka njoftuar atë me disa elemente të kornizës për paqe të SHBA-së.
Rubio po ashtu ka folur edhe për problemet që shkaktojnë garancat e sigurisë por që nuk është problem i madh, ndërsa ka theksuar se ekzistojnë probleme edhe më të mëdha, siç është problemi, nëse është e mundur që marrëveshja të arrihet në një kohë të shkurtër.
Ai shtoi se është e qartë që një marrëveshje e paqes do të ishte e vështirë për t’u arritur por duhet të ketë shenja që mund të arrihet.
“Askush nuk po thotë se mund të bëhet brenda 12 orëve. Por ne duam të shohim sa larg është dhe nëse këto dallime mund të ngushtohen, nëse është madje e mundur të kemi lëvizje brenda periudhës kohore që kemi në mendje”, deklaroi Rubio.