Botë

Rubio: Do të ishte për keqardhje nëse Rusia refuzon armëpushimin

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të mërkurën se do të ishte "për keqardhje" nëse Rusia refuzon një propozim 30-ditor të armëpushimit të mbështetur nga Uashingtoni në luftën e saj me Ukrainën.

"Ne do të shohim se cila është përgjigja e tyre”, u ka thënë Rubio gazetarëve në Irlandë.

"Nëse përgjigja e tyre është po, atëherë ne e dimë se kemi bërë përparim të vërtetë dhe ka një shans real për paqe. Nëse përgjigja e tyre është jo, do të ishte shumë për të ardhur keq dhe do t'i bënte të qarta qëllimet e tyre”, ka shtuar ai, raporton AP.

Ai gjithashtu i ka kërkuar Rusisë t'i japë fund të gjitha armiqësive.

Komentet e Rubios kanë ardhur pasi administrata Trump ka hequr pezullimin e ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të inteligjencës për Ukrainën, teksa Kievi ka sinjalizuar se ishte i hapur për armëpushim në luftën me Rusinë.

Vendimi i administratës Trump shënon një ndryshim të mprehtë nga vetëm një javë më parë, kur vendosi pezullimin në një përpjekje të dukshme për të shtyrë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të hyjë në bisedime për t'i dhënë fund luftës me forcat pushtuese ruse.