Botë

Rubio akuzon Afrikën e Jugut për “antiamerikanizëm” dhe shpërfill takimin e G20-tës

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar Afrikën e Jugut për “antiamerikanizëm” dhe ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e 20 vendeve më të industrializuara në botë (G20) që do të mbahet në Johanesburg gjatë këtij muaji, raporton “The Guardian” të enjten.

Marko Rubio e shprehu qëndrimin në rrjetin social “X”, ku përsëriti pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump se Afrika e Jugut po shpronëson pronat private.

“Afrika e Jugut po bën gjëra shumë të këqija. Po shpronëson prona private. Duke përdorur G20 për të promovuar ‘solidaritetin, barazinë, qëndrueshmërinë’. Me fjalë të tjera, diversitetin, paanshmërinë, gjithëpërfshirjen dhe ndryshimet klimatike”, ka thënë Rubio. “Puna ime është të avancojë interesin kombëtar amerikan, jo të harxhoj paratë e taksapaguesve ose të përkëdheli antiamerikanizmin”.

E presidenti i Afrikës Jugore, Cyril Ramaphosa, u kundërpërgjigj ndaj deklaratave të Trumpit dhe Rubios në adresimin vjetor të enjten. “Ne po përjetojmë rritjen e nacionalizmit, proteksionizmit, ndjekjen e interesave të ngushta dhe degradimin e kauzave të përbashkëta...Ne nuk do të bullizohemi”, ka thënë ai.

Presidenti afrikano-jugor kishte miratuar ligjin për shpronësimin e pronave muajin e kaluar. Politikanët kanë thënë se ky ligj është i ngjashëm me ligjet e vendeve perëndimore, duke përfshirë edhe SHBA-në, ku shpronësimi i pronave me kompensim është i lejuar.

Ministri i Punëve të Jashtme i Afrikës Jugore, Ronald Lamola, njoftoi në rrjetin social X se “nuk ka asnjë shpronësim arbitrar të tokës/pronës private”.

“Presidenca jonë në G20 nuk është e kufizuar vetëm në ndryshimet klimatike por përfshin edhe trajtimin e barabartë të vendeve që i takojnë Jugut Global, duke siguruar një sistem të barabartë për të gjithë. Ne qëndrojmë të përkushtuar për angazhim me SHBA-në”, ka thënë ai.

Marrëdhëniet e SHBA-së me Afrikën Jugore kishin degraduar gjatë mandatit të presidentit amerikan Joe Biden, kur Afrika Jugore refuzoi të mbante anë në luftën Rusi-Ukrainë, duke vazhduar në ndërkohë të luajë një rol aktiv në bllokun e vendeve të BRICS, bllok ky i themeluar nga shtetet si Brazili, Rusia, India dhe Kina.