Që nga kthimi i talebanëve, një fenomen i ri është shfaqur në Afganistan - numri i grave refugjate në vit është më shumë se dyfishuar, sipas të dhënave të UNHCR-së. Afganistani ka një histori të gjatë dhe të dhimbshme dhune dhe shpërnguljeje. Gjatë 40 vjetëve të fundit, miliona afganë, kryesisht burra dhe djem, janë larguar nga vendi i tyre në kërkim të sigurisë dhe mundësive ekonomike
Fatima ishte ulur në dyshemenë e një dhome që kishte marrë me qira në Quetta, një qytet afër kufirit të Pakistanit me Afganistanin, duke përdorur një fletore si flladitëse nga vapa e madhe e verës. Ajo i ka rrëfyer CNN-it me anë të një videotelefonate për tri herat që u përpoq të ikte nga vendi i saj, Afganistani. Përpjekja e dytë ishte shumë më e dhunshme se e para.
Fatima, emri i së cilës, si për të gjithë refugjatët në këtë histori, është ndryshuar, pasi ajo është aktualisht pa dokumente dhe ende e pazhvendosur në mënyrë të sigurt, ka treguar se ajo kishte qenë një oficere në shërbim të Ushtrisë Kombëtare Afgane kur Kabuli ra nën regjimin e talebanëve, më 15 gusht 2021. Në kaosin që pasoi, ajo nuk ishte në gjendje të largohej nga Afganistani, por muaj më vonë, në janar të vitit 2022, e reja në të njëzetat e saj udhëtoi për në Iran, nga një qytet në Afganistanin verior, një udhëtim që zgjati tri ditë në këmbë. Por teksa iu afruan kufirit, ajo dhe grupi me të cilin po udhëtonte u pikasën nga rojat kufitare iraniane dhe u qëlluan, kështu që u kthyen mbrapsht. Një muaj më vonë ajo u përpoq përsëri.
Këtë herë Fatima ka treguar se udhëtoi me aeroplan për në kryeqytetin e Iranit, Teheran, duke hyrë me një vizë për të cilën ia kishte paguar një ndërmjetësi 640 dollarë. Pas disa muajsh ajo gjeti kontrabandistë të cilët i thanë se mund ta çonin në Turqi. Por në vend që ta lehtësojnë largimin e saj, Fatima pretendon se ata e ndaluan atë dhe emigrantë të tjerë dhe kërkuan një shpërblim nga të dashurit e tyre për lirimin e tyre.
“Ne jemi sulmuar fizikisht rregullisht”, ka treguar ajo, duke ngritur kyçin e dorës në kamerën e celularit për të treguar një plagë të dukshme.
"Ajo ende nuk është shëruar”, thotë Fatima për plagën.
Rreth 20 ditë pasi filloi sprova e saj, Fatima dhe emigrantët e tjerë u gjetën nga policia iraniane dhe u dërguan në një qendër paraburgimi. Nga atje, pavarësisht se u përpoq t’i bindte zyrtarët se jeta e saj do të ishte në rrezik, ajo u fut në një autobus dhe u kthye në Afganistan.
Më e keqja nuk kishte mbaruar. Fatima ka treguar se talebanët kishin ndaluar autobusin me të cilin po udhëtonte dhe ajo ishte arrestuar. Për tri ditë ata e kishin rrahur dhe e kishin pyetur për rolin e saj në ushtri. Më në fund fjalët i kishin shkuar familjes së saj, e cila, siç ka thënë ajo, huazoi para për t'ua paguar një ryshfet prej 3000 dollarësh talebanëve për lirimin e saj.
“Ata më kërcënonin dhe më thoshin se duhej të vritesha. I luta duke iu thënë se jam mbajtësja financiare e familjes, jam fëmija më i madh”, ka rrëfyer ajo duke folur shpejt sikur të kishte frikë se do të harronte ndonjë detaj nëse nuk e ndante menjëherë.
Motra e saj adoleshente, Azra, me të cilën CNN-i ka folur veçmas, ka thënë se ajo ishte atje në mëngjesin që Fatima më në fund ishte kthyer në shtëpi.
“Ajo ishte e mbuluar me gjak. Kur e pashë, ajo po qante. Nëna jonë e lau atë, ndërsa unë i përgatita ushqim”, ka treguar Azra.
Pavarësisht se foli me orë të tëra, rrëfimi i Fatimas për atë që i ndodhi në Iran është i paqartë. Ajo ka deklaruar për CNN se vuan nga humbja e kujtesës si pasojë e goditjeve që ka marrë në kokë.
Një raport i vitit 2022 nga Amnesty International detajon përvojat e refugjatëve afganë që pasqyrojnë disa nga ato që përshkroi Fatima: përdorimi i kontrabandistëve, gjuajtja me armë në kufi dhe ndalimi dhe dëbimi.
Në fillim të vitit 2023, Fatima u përpoq edhe një herë të largohej nga Afganistani. Këtë herë ajo kërkoi ndihmën e një kontrabandisti dhe kaloi me sukses në Pakistan. Në kohën kur CNN foli me të, nga ajo dhomë e vogël në Quetta, ajo ishte dukshëm e traumatizuar nga dy udhëtimet e saj të para, e zemëruar me agjencitë ndërkombëtare me të cilat ka thënë se ndihet e zhgënjyer dhe ende duke insistuar që të largohej në një vend ku ka siguri.
Në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Pakistanit urdhëroi qindra mijëra refugjatë afganë të largoheshin nga vendi.
Afganistani ka një histori të gjatë dhe të dhimbshme dhune dhe shpërnguljeje. Gjatë 40 vjetëve të fundit, miliona afganë, kryesisht burra dhe djem, janë larguar nga vendi i tyre në kërkim të sigurisë dhe mundësive ekonomike. Ata kanë përfunduar në një numër të madh në Pakistanin dhe Iranin fqinjë, por shumë prej tyre kanë arritur edhe më tej në Turqi, në Evropën Perëndimore, SHBA ose Australi.
Megjithatë, që nga kthimi i talebanëve, një fenomen i ri është shfaqur: numri i grave refugjate në vit është më shumë se dyfishuar, sipas të dhënave nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).
Në vitin 2023 kishte më shumë se 3.1 milionë gra afgane që u klasifikuan si një nga katër kategoritë e individëve jashtë vendit të tyre, që kërkonin ose u është dhënë mbrojtje ndërkombëtare. Në vitin 2021, kishte rreth 1.2 milionë gra të tilla dhe në vitin 2020, numri ishte rreth 800.000.
Tani ka më shumë refugjate gra afgane se në çdo kohë në 20 vjetët e fundit. Ndërsa shkeljet e talebanëve kundër grave vazhdojnë, shkeljet për të cilat OKB-ja ka thënë se “përbëjnë krim kundër njerëzimit”, organizatat joqeveritare po japin alarmin se një numër më i madh grash dhe vajzash do të detyrohen të marrin rrugë tokësore, siç bëri Fatima, duke rrezikuar kështu zhvatjen, dhunën fizike dhe atë seksuale, ndalimin dhe madje edhe vdekjen ndërsa përpiqen të largohen nga Afganistani.

Migrimi, e vetmja rrugë shpëtimi
"Kur migrimi është e vetmja rrugë shpëtimi në dispozicion, të gjitha përpjekjet duhet të bëhen për të siguruar një kalim të sigurt”, vuri në dukje Qendra Mikse e Migracionit (MMC), një organizatë joqeveritare që nisi të mblidhte të dhëna migrimi, disa ditë pas rënies së Kabulit.
Dy vjet më vonë, duke rishikuar të gjitha kufizimet që talebanët kanë vendosur ndaj grave dhe vajzave, e njëjta organizatë shkroi se “ky realitet i ri, i shoqëruar nga një frikë në rritje nga persekutimi nën talebanët, rritja e pasigurisë ushqimore dhe përkeqësimi i niveleve të varfërisë në vend do të ndikojë në dinamikën e migracionit për një kohë, veçanërisht në aspektin e lëvizshmërisë së grave”.
Qendra vazhdoi të bënte thirrje për "veprim të duhur dhe të fokusuar mbi rreziqet specifike" me të cilat përballeshin gratë afgane ndërsa migronin dhe pasi kishin arritur "një vend pritës".
Jeta për gratë dhe vajzat nën talebanët është dokumentuar mirë. Nga ndalimi i frekuentimit të shkollave të mesme dhe universiteteve për vajzat, deri te kufizimet në punësim, mbyllja e salloneve të bukurisë që punësonin rreth 60.000 gra, dhe ndalimi i udhëtimeve në distanca të gjata rrugore.
Duke folur për CNN-in një vit më parë, aktivistja afgane për të drejtat e grave, Mahbouba Seraj, pati thënë se "gratë në Afganistan po fshihen ngadalë nga shoqëria, nga jeta, nga gjithçka".
Për këtë fshirje folën edhe refugjatet afgane në Turqi. Në intervistat e kryera nga MMC-ja midis gushtit 2021 dhe shtatorit 2023, gratë që u larguan pas gushtit të vitit 2021 treguan se pas "konfliktit", humbja e "të drejtave dhe lirive" ishte ajo që i kishte motivuar të largoheshin. Hulumtimi, i botuar në prill të këtij viti, gjeti gjithashtu "një rritje të ikjeve në rrugët tokësore" midis grave të anketuara, duke ia atribuar këtë "ndalimit të talebanëve ndaj grave afgane që të hipnin në aeroplan të pashoqëruara nga një kujdestar mashkull".
Pavarësisht sfidave, UNHCR-ja raportoi një rritje prej 57% të numrit të grave dhe vajzave afgane që hynë në Iran në tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numrat në 2023 ishin 8% më të lartë se ata në vitin 2022. Por këto udhëtime, siç tregon historia e Fatimas, nuk janë pa rrezik të konsiderueshëm.
Nga rreziqet e perceptuara nga gratë që MMC-ja i kishte anketuar, tri të parat ishin: dhuna fizike, ndalimi dhe vdekja.
“Sëmundja nga kushtet e vështira” kishte qenë një rrezik më i madh se paraburgimi për gratë që u larguan para gushtit të vitit 2021.
Gratë emigrante afgane në Turqi që u intervistuan pas gushtit të vitit 2021 identifikuan gjithashtu se cilët i shihnin si autorë të këtyre rreziqeve, duke renditur tre të parë rojat kufitare/zyrtarët e imigracionit, kontrabandistët dhe ushtrinë/policinë.
Por, jo të gjithë jetojnë për të treguar “përrallën”.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) mbledh të dhëna për emigrantët e vdekur ose të zhdukur. Ndonëse shifrat janë shumë të vogla, edhe ato po rriten.
Në vitin 2020, Projekti i IOM-it për Emigrantët e Zhdukur regjistroi 5 vdekje ose zhdukje të grave afgane gjatë migrimit. Deri në vitin 2023, numri ishte rritur në 85 dhe vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024, 51 gra afgane ishin raportuar tashmë se kishin vdekur ose ishin zhdukur.
“Nuk është e lehtë për një grua afgane, por duhet të rrezikosh”
Edhe kur rreziqet dihen, familjet e dëshpëruara po zgjedhin t'i ndërmarrin ato gjithsesi.
Pavarësisht se e kishte rikthyer fëmijën e saj, e cila ishte përballur me brutalitet ndërsa ishte përpjekur të shkonte në një vend më të sigurt, dhe më pas kishte humbur kontaktin me të sapo kishte hyrë në Pakistan, nëna e Fatimas vendosi vitin e kaluar që Azra gjithashtu të largohej nga i vetmi vend që kishte njohur ndonjëherë bashkë me vëllanë e saj më të vogël, Ismailin.
Azra i ka thënë CNN-it se asaj iu dhanë afërsisht 213 dollarë, para që nëna e saj i mblodhi pjesërisht nga shitja e makinës së saj qepëse. Pjesa më e madhe shkoi për pagesën e kontrabandistëve të cilët do të lehtësonin udhëtimin e fëmijëve në jug në Pakistan pa viza.
Edhe ky ishte një udhëtim në tokë, i cili zgjati dy net dhe ditë, në më shumë se 1000 km (rreth dyfishi i gjatësisë së shtetit të Nju-Jorkut), me vëllezërit e motrat që kalonin mes kontrabandistëve të shumtë. Azra i ka thënë CNN-it se ata u larguan nga shtëpia para perëndimit të diellit më 1 qershor, vetëm disa muaj pas Fatimës, duke udhëtuar fillimisht me një taksi dhe më pas me një autobus për në Kabul, nëpër qytetet afgane të shkatërruara nga luftimet midis talebanëve dhe trupave qeveritare vite më parë.
Më pas autobusi shkoi në qytetin kufitar afgan, Spin Boldak, ku u bë një shkëmbim përfundimtar me kontrabandistët që i çuan ata përtej kufirit, në Chaman në Pakistan.
Kalimi Chaman-Spin Boldak është një rrugë jetike tregtare midis të dyja vendeve, me udhëtime me automjete, në këmbë ose me kafshë mbrapa. Azra e përshkroi kufirin si “në kaos të plotë, me mijëra njerëz në pritje për kalim". Ajo ka thënë se kontrabandistët u kërkuan atyre të dorëzonin telefonat e tyre celularë dhe sende të tjera të shtrenjta, duke paralajmëruar se policia kufitare në pikat e kontrollit do të merrte gjithçka që gjente.
Në kaos, Azra ka treguar se e kishte humbur kontaktin me vëllanë e saj, i cili gjithashtu është në mes të adoleshencës. Fëmijët, të cilët u ribashkuan më vonë, janë Hazara, një pakicë etnike që është përballur me persekutim të dhunshëm nga talebanët. Sipas Azrës, tiparet e vëllait të saj janë të dallueshme, duke e bërë atë një objektiv të mundshëm në kufi.
“Unë kisha veshur chadari (versioni afgan i një burke, që e mbulon plotësisht atë, duke përfshirë edhe sytë) dhe kështu mund të hyja. Por unë humba vëllanë tim. Nuk e dija se ku ishte, po qaja dhe po lutesha”, ka treguar ajo.
Ata u ribashkuan dy ditë më vonë në Quetta, e cila për dekada ka strehuar qindra mijëra refugjatë afganë. Dhe do të kalonin disa muaj përpara se Fatimas t'i bashkoheshin Azra dhe Ismael në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ku ajo tani po përpiqet të marrë dokumentacionin e udhëtimit të kërkuar për të tre me shpresë për të emigruar në Perëndim.
Azra i ka thënë CNN-it se motra e saj e madhe "ka vuajtur më shumë se secili prej nesh".
E shqetësuar për të gjetur një rrugëdalje nga Pakistani dhe e përhumbur ende nga ajo që përjetoi, mesazhi i Fatimas për gratë e tjera afgane është se nëse duan të largohen, duhet ta bëjnë.
"Rruga e migrimit është e vështirë dhe njerëzit humbasin gjërat në shumë mënyra. Nuk është e lehtë për një grua afgane ta bëjë këtë. Por ju duhet të merrni rreziqe për të arritur në destinacionin tuaj”, është shprehur ajo.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka vlerësuar se gratë do të vazhdojnë të rrezikojnë për të jetuar dhe mësuar më lirshëm.
Zëdhënësja Shabia Mantoo paralajmëron se "një e ardhme e pasigurt ka të ngjarë të vazhdojë për gratë dhe vajzat në Afganistan".
"Ne parashikojmë që gratë dhe vajzat refugjate afgane të vazhdojnë të vijnë në Iran", ka thënë Mantoo për CNN.
Ndërkohë në Pakistan dhe Turqi, ku frika e dëbimit vazhdon të jetë e madhe mbi refugjatët afganë, organizata të ndryshme joqeveritare i kanë thënë CNN-it se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë shumë më tepër.
"Politikat represive të imponuara nga talebanët kanë detyruar shumë gra dhe vajza të kërkojnë siguri dhe mundësi më të mira diku tjetër, shpesh përmes mjeteve të rrezikshme”, është shprehur Zakira Hekmat, themeluese e Shoqatës së Solidaritetit me Refugjatët Afganë në Turqi – një vend që pret rreth 120.000 refugjatë afganë dhe azilkërkues.
Hekmat ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë dhe të vërë në dispozicion "rrugë të sigurta për refugjatët, veçanërisht për gratë dhe t'u sigurojë atyre rrugë ligjore për azil dhe zhvendosje”.