Botë

Rrjetet franceze të trenave rikthehen pjesërisht pas sulmit nga vandalët

Trenat ne France

(Përditësuar - 15:22) - Ministri francez i Transportit, Patrice Vergriete, ka bërë të ditur se rrjeti hekurudhor francez është rikthyer pjesërisht pas një serie sulmesh me zjarrvënie që ndërprenë tri linja kryesore përpara ceremonisë hapëse së Lojërave Olimpike që u mbajt të premten. Kompania hekurudhore franceze SNCF,  ka njoftuar  se punonjësit e saj punuan gjatë natës në kushte të pafavorshme moti për të përmirësuar rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë nga veriu, lindja dhe perëndimi në Paris, raporton AP. 

Që nga mëngjesi i së shtunës, shërbimi normal kishte rifilluar në linjën e shpejtësisë së lartë në lindje. Ministri ka theksuar se tani i takon prokurorit publik të Parisit të hetojë incidentet dhe të gjejë ata që janë përgjegjës për ndërprerjet. Pavarësisht ndërprerjeve, SNCF-ja njoftoi  se i gjithë transporti për ekipet olimpike dhe personelin e akredituar do të vazhdojë siç ishte planifikuar. Autoritetet franceze po hetojnë në mënyrë aktive, por theksojnë se asnjë i dyshuar nuk është identifikuar apo kapur deri më tani.
 


Anulohen trenat në Francë, hetimi për vandalët po vazhdon

Tre nga 10 trenat francezë të shpejtësisë së lartë do të anulohen të shtunën në rrugët e goditura nga një seri sulmesh zjarrvëniesh të koordinuara, raporton “BBC”.

Kryeministri francez, Gabriel Attal tha se forcat e sigurisë po kërkonin për përgjegjësit, pasi rrjetet hekurudhore u paralizuan të premten.

Kompania kombëtare hekurudhore SNCF,   ka njoftuar se shërbimet që funksionojnë do të vonohen deri në dy orë në tri linja kryesore që qarkullojnë brenda dhe jashtë Parisit.

Udhëtarët e Eurostarit gjithashtu do të përballen me ndërprerje të vazhdueshme të shtunën, me një të katërtën e trenave ndërkombëtarë të anuluar gjatë fundjavës së hapjes së Lojërave Olimpike. 

Ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë për dëmet, njoftoi SNCF-ja.

Kompania  ka bërë të ditur se stafi i saj kishte punuar gjithë natën në kushte të vështira në shi për t’i riparuar dëmet.

Persona ende të panjohur i prenë dhe ia vunë zjarrin kabllove të specializuara me fibra optike thelbësore për funksionimin e sigurt të rrjetit hekurudhor, thanë zyrtarët qeveritarë.

Një burim i lidhur me hetimin i tha agjencisë së lajmeve AFP se operacioni ishte “i përgatitur mirë” dhe i organizuar nga “një strukturë e vetme”.

Punëtorët hekurudhorë dështuan një përpjekje për ta përmirësuar një linjë të katërt. 

“Në këtë fazë, trafiku do të mbetet i ndërprerë të dielën në aksin verior dhe duhet të përmirësohet në aksin e Atlantikut për kthimet në fundjavë”,  ka deklaruar  një zëdhënës i rrjetit hekurudhor të shtunën në mëngjes.

SNCF-ja ka  vlerësuar  se rreth 250 mijë udhëtarë u prekën të premten nga sulmi, ndërsa ministri i ri i transportit, Patrice Vergriete tha se deri në 800 mijë njerëz mund të ndikohen gjatë tri ditëve.

Eurostar - që drejton shërbimet ndërkombëtare nga Londra në Paris dhe përdor një linjë të shpejtësisë së lartë në Francë – njoftoi  se një në katër trenat e saj nuk do të lëvizin gjatë fundjavës.

Udhëtarët janë këshilluar që t’i shtyjnë udhëtimet e tyre, me ndërprerje që pritet të zgjasë deri të hënën.

Ndër klientët e Eurostarit, të prekur të premten, ishte kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, i cili kishte planifikuar të udhëtonte në ceremoninë e hapjes së Lojërave me tren, por u detyrua të fluturonte me aeroplan në vend të kësaj.