Suedia ka përjetuar rritje të superpasanikëve gjatë tri dekadave të fundit. Deri në vitin 2021, ka pasur 542 “miliarderë krona”, sipas një analize dhe pasuria e tyre është e barabartë me 70% të Bruto Prodhimit Vendor (GDP) të kombit. Një arsye për rritjen e superpasanikëve të rinj është teknologjia në lulëzim e Suedisë.
Suedia ka reputacion botëror për taksa të larta dhe barazi shoqërore, por është bërë epiqendra evropiane për superpasanikët.
Në ishullin Lidingö, në majë të shkëmbinjve, shihen vila të mëdha të drurit, ngjyrë të kuqe dhe të verdhë dhe rezidenca me dritare nga dyshemeja deri në kulm.
Më pak se gjysmë ore larg me veturë nga qendra e Stokholmit, kjo është një nga lagjet më të pasura të Suedisë.
Sipërmarrësi Konrad Bergström ndez dritën e qilarit të verës së tij, duke zbuluar 3,000 shishet e verës që i ka ruajtur atje.
“Vera franceze Bordeaux, më pëlqen shumë”, thotë ai, duke buzëqeshur.
Në pjesët tjera të shtëpisë, ka një pishinë të jashtme, një palestër të veshur me lëkurë të drerit verior dhe një punëtori/klub nate.
“Kam shumë miq muzikantë, kështu që lëshojmë shumë muzikë”, shpjegon Bergströmi.
Ai i ka fituar paratë e tij nga krijimi i bizneseve, duke përfshirë një kompani të dëgjueseve dhe altoparlantëve dhe kjo shtëpi është një nga shumë pronat që i ka ai në Suedi dhe Spanjë.
Nuk është për t’u habitur mënyra e jetesës së një sipërmarrësi kaq të suksesshëm, por çfarë mund t’i befasojë vëzhguesit globalë është se sa njerëz janë bërë të pasur sa Bergströmi – ose më të pasur – në Suedi. Suedia njihet si vend me reputacion global për politika të majta.
Edhe pse koalicioni i krahut të djathtë është në fuqi për momentin, kombi është udhëhequr kryesisht nga qeveritë socialdemokrate në shekullin e kaluar, të zgjedhur si shkak i premtimeve për ta rritur ekonominë në mënyrë të barabartë, me taksat që e financojnë shtetin e fortë social.
Por, Suedia ka përjetuar rritje të superpasanikëve gjatë tri dekadave të fundit.
Në vitin 1996, ka pasur vetëm 28 njerëz me pasuri neto prej një miliard kruna (rreth 91 milionë dollarë në vlerën e sotme të këmbimit), sipas një liste nga ish-revista suedeze e biznesit “Veckans Affärer”. Shumica prej tyre kanë ardhur nga familjet që kanë qenë të pasura për breza të tërë.
Deri në vitin 2021, ka pasur 542 “miliarderë kruna”, sipas një analize të ngjashme nga gazeta “Aftonbladet” dhe ata kanë në pronësi pasuri të barabartë me 70% të Bruto Prodhimit Vendor (GDP) të vendit.
Suedia – me popullsi prej 10 milionë banorëve – gjithashtu ka një nga proporcionet më të larta në botë të "miliarderëve dollarë" për kokë banori. Revista e biznesit “Forbes” ka listuar 43 suedezë që kanë vlerë 1 miliard dollarë ose më shumë, në listën e tyre të të pasurve të vitit 2024.
Kjo është e barabartë me rreth katër miliarderë për 1 milion njerëz, në krahasim me rreth dy për 1 milion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (që ka 813 miliarderë – më së shumti prej kombeve të tjera – por ka më shumë se 342 milionë njerëz).
“Kjo ka ardhur në mënyrë si befas, të cilën nuk e ke vërejtur derisa ka ndodhur”, thotë Andreas Cervenka, gazetar në “Aftonbladet” dhe autor i librit “Greedy Sweden”, ku ai eksploron rritjen e ngadaltë të suedezëve superpasanikë.
“Por në Stokholm, mund t’i shohësh të pasurit me sytë e tu dhe të bësh krahasim mes njerëzve superpasanikë në disa zona të Stokholmit dhe njerëzve goxha të varfër në zonat tjera”.
Një arsye për rritjen e superpasanikëve të rinj është teknologjia në lulëzim e Suedisë. Vendi ka reputacion si Silicon Valley i Evropës, duke prodhuar më shumë se 40 të ashtuquajtura “startupe njëbrirëshe” (unicorn start-ups) – kompani me vlerë më shumë se 1 miliard dollarë, në dy dekadat e fundit.
Skype dhe Spotify janë themeluar në Suedi, gjithashtu edhe firmat e lojërave King dhe Mojang. Historitë e fundit të suksesit global përfshijnë teknologjinë financiare Tink, të cilën Visa e ka blerë për rreth 2 miliardë dollarë gjatë pandemisë, kompaninë e kujdesit shëndetësor Kry dhe kompaninë e skuterëve elektrikë Voi.
Në Epiqendër – zyrë e përbashkët dhe hapësirë e komunitetit me një atrium gjigant xhami – sipërmarrësi veteran Ola Ahlvarsson, tregon se si ka nisur suksesi i tij në vitet e ’90. Ai thotë se zbritja tatimore për kompjuterët e shtëpisë në Suedi "na ka lidhur me kabllo ose të gjithëve shumë më shpejt sesa vendet e tjera".
Si bashkëthemelues, ai gjithashtu tregon për “kulturën e fortë të bashkëpunimit” gjatë filleve të kompanisë, me sipërmarrës të kualifikuar që shpesh janë bërë shembuj për t’u ndjekur nga gjeneratat e ardhshme të kompanive të teknologjisë.
Madhësia e Suedisë e bën atë treg të njohur testimi, gjithashtu.
“Nëse dëshiron të shohësh, nëse diçka do të funksionojë në tregjet më të mëdha, mund – me shpenzime të limituara dhe me pak rreziqe për firmën tënde ose për çmimin e aksioneve – t’i provosh gjërat këtu”, thotë Ahlvarssoni.
Por Cervenka argumenton se ka një tjetër narrativë që meriton më shumë vëmendje – politikat monetare që ai thotë se kanë ndihmuar në transformimin e vendit në parajsë për superpasanikët.
Suedia ka pasur norma shumë të ulëta interesi nga vitet 2010 deri para pak viteve. Kjo e ka bërë të lehtë të marrësh para hua, kështu që suedezët me para shpesh kanë vendosur të investojnë në prona, ose investime me rrezik të lartë, të tilla si kompanitë e teknologjisë, shumë prej të cilave ua kanë rritur vlerën si rezultat.
“Një nga faktorët e mëdhenj që ka shtyrë në rritjen e miliarderëve është se kemi pasur, për disa vite, inflacion goxha të fuqishëm në vlerën e aseteve”, thotë Cervenka.
Edhe pse fituesve kryesorë në Suedi u tatohen më shumë se 50% e fitimeve të tyre personale – një nga më të lartat në Evropë – ai argumenton se qeveritë e njëpasnjëshme, nga krahu i djathtë dhe i majtë, i kanë rregulluar disa taksa në atë mënyrë që favorizohen pasanikët.

Vendi i ka hequr taksat e pasurisë dhe trashëgimisë në vitet 2000 dhe normat e taksave ndaj parave të bëra nga aksionet dhe pagesave ndaj aksionarëve të kompanive janë shumë më të ulëta sesa taksat mbi pagat. Norma e taksës së korporatave ka rënë gjithashtu nga rreth 30% në vitet 1990 në rreth 20% - pak më e ulët se mesatarja evropiane.
“Sot nuk ke nevojë të largohesh nga Suedia nëse je miliarder. Dhe në fakt, disa miliarderë janë duke ardhur këtu për të jetuar”, thotë Cervenka.
Në ishullin Lidingö, Konrad Bergströmi e pranon se Suedia ka “sistem shumë të favorshëm të taksave nëse je duke ndërtuar kompani”. Gjithsesi, ai thotë se pasuria e tij ka ndikim pozitiv për shkak se bizneset e tij – dhe shtëpitë – ofrojnë vende të punës për të tjerët.
“Kemi një dado, kopshtar dhe pastruese ... dhe kjo ofron më shumë punë. Prandaj nuk duhet të harrojmë se si jemi duke e ndërtuar shoqërinë”.
Bergströmi vë në dukje se sipërmarrësit e pasur suedezë dhe kapitalistët sipërmarrës janë gjithashtu duke riinvestuar paratë e tyre në të ashtuquajturat kompani të “ndikimit”, të cilat fokusohen në përmirësimin e shoqërisë dhe mjedisit.
Në vitin 2023, 74% e të gjitha financimeve kapitale të sipërmarrjeve për kompanitë suedeze u kanë shkuar kompanive të ndikimit. Kjo është përqindja më e madhe në Bashkimin Evropian dhe shumë më e lartë sesa mesatarja evropiane prej 35%, sipas shifrave nga Dealroom, e cila mbledh të dhëna rreth kompanive.
Ndoshta investitori me profilin më të lartë në vend është Niklas Adalberthi, i cili është bashkëthemelues i platformës së pagesave Klarna. Në vitin 2012, i ka përdorur 130 milionë dollarë të pasurisë së tij për ta nisur Fondacionin Norrsken, organizatë që mbështet dhe investon në kompanitë e ndikimit.
“Nuk i kam zakonet e miliarderëve si jaht ose avion privat ose diçka të tillë”, thotë Adalberthi. “Kjo është receta ime për jetë të lumtur”.
Por të tjerët kanë argumentuar se Suedisë i mungon debati publik për pasurinë e miliarderëve, përtej aspektit se si sipërmarrësit po i shpenzojnë pasuritë e tyre.
Hulumtimet e fundit nga Universiteti Örebro kanë dalë në përfundimin se imazhi i mediave të miliarderëve suedezë është kryesisht pozitiv dhe ka sugjeruar se pasuritë e tyre janë rrallë të shpjeguara në kontekstin e politikave ekonomike të ndryshueshme të vendit.
“Për sa kohë që superpasanikët mishërojnë idealet e epokës neoliberale, si puna e palodhur, marrja e rreziqeve dhe qëndrimi sipërmarrës, pabarazia pas kësaj nuk vihet në dyshim”, thotë studiuesi i medias, Axel Vikström.
Cervenka shton se debatet për tatimin e superpasanikëve nuk janë aq të shprehura në Suedi, siç janë në shumë vende perëndimore, si në SHBA.
“Është lloj paradoksi. Dikush do të mendonte se me prejardhjen tonë - duke u perceptuar si një vend socialist - kjo do të ishte në mendjet e të gjithëve”, thotë autori. “Mendoj se ka të bëjë me faktin që na është krijuar mentaliteti ‘fituesi i merr të gjitha’. Që nëse i luan letrat siç duhet, mund të bëhesh miliarder... Dhe ky është ndryshim drastik, mendoj, në mentalitetin suedez”.
Lista e pasanikëve suedezë ka treguar se pasuria e kombit është e koncentruar te burrat e bardhë, pavarësisht numrit të madh të imigrantëve në vend dhe politikave që e mbrojnë barazinë gjinore.
“Po, është vend ku njerëzit mund të bëjnë para, të krijojnë pasuri të reja, por është prapë mjaft e mbyllur dhe standardet e dyfishta janë mjaft të larta në aspektin se kujt i financohen idetë”, thotë Lola Akinmade, noveliste dhe sipërmarrëse nigeriano-suedeze. “Suedia është vend i jashtëzakonshëm në mënyra të ndryshme, por ka akoma shumë njerëz që janë të përjashtuar nga sistemi”.