Botë

Rritet numri i viktimave në Ukrainë derisa mbetet e bllokuar ndihma e SHBA-së

Kiev

 

Numri i të vdekurve në Ukrainë është rritur nga sulmet e së dielës, teksa analistët paralajmëruan se vonesat në ndihmën ushtarake nga SHBA-ja do t’ia bëjnë ende më të vështirë Kievit përballjen me ofensivat ruse.

Një burrë u vra të dielën pasi një dron rus goditi kamionin që ai po drejtonte në rajonin Sumy, tha zyra e prokurorit vendas. Diku tjetër, një grua 67-vjeçare u vra pasi bombardimet goditën një bllok apartamentesh në rajonin e Donetskut, tha guvernatori Vadym Filashkin.

Zyrtarët në rajonin e Kharkivit  thanë gjithashtu të dielën se kishin marrë trupat e një gruaje 61-vjeçare dhe një burri 68-vjeçar të vrarë nga një sulm rus një ditë më parë. Dhjetë dronë rusë të tipit Shahed u rrëzuan mbi rajonin e Kharkivit gjatë natës,  kanë njoftuar  Forcat Ajrore të Ukrainës, raporton AP.

Ndërkohë, bombardimet në rajonin Kherson të pushtuar nga Rusia vranë dy civilë tha udhëheqësi i instaluar nga Moska, Vladimir Saldo. Dronët ukrainas u raportuan gjithashtu në rajonet e Krasnodar dhe Belgorod të Rusisë dhe mbi Detin e Zi, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.