Numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjeve në qytetin gjerman të Magdeburgut ka shkuar në pesë, raportoi AP.
Guvernatori Reiner Haseloff ka thënë se më shumë se 200 persona janë lënduar, shumë prej të cilëve rëndë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka shkuar në vendngjarje. Nga atje ai ka thënë se është tronditur nga shkalla e sulmit.
“Gati 40 persona janë aq rëndë të lënduar, sa që jemi shumë të shqetësuar për ta”, u ka thënë ai gazetarëve.
Një burrë nga Arabia Saudite i cili prej vitesh jetonte në Gjermani ka vozitur automjetin drejt tregut të premten mbrëma. Ai është arrestuar nga Policia.
