Në një raport paraprak të ushtrisë iraniane thuhet se deri tani nuk ishte gjetur asnjë provë që të tregojë se rrëzimi i helikopterit me të cilin udhëtonte presidenti Ebrahim Raisi ishte vepër e një akti të qëllimtë apo sulmi. Lajmi u njoftua të premten nga mediat shtetërore.
Ebrahim Raisi, udhëheqës i linjës së ashpër, i cili shihej si pasardhës i mundshëm i udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei, gjeti vdekjen kur helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua të dielën e kaluar, mes motit të keq në malet pranë kufirit me Azerbajxhanin.
“Nuk janë vënë re shenja plumbash apo diçka e ngjashme tek mbetjet e helikopterit i cili u rrëzua në një zonë në lartësi të madhe dhe shpërtheu në flakë”, thuhet në raportin e lëshuar nga shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura iraniane.
“Asgjë e dyshimtë nuk është vërejtur në bisedat e kullës së kontrollit me ekuipazhin e fluturimit”, shtohej me tej në raport.
Ebrahim Raisi u varros të enjten në qytetin e shenjtë mysliman shiit të Mashhadit, katër ditë pas aksidentit gjatë të cilit gjeti vdekjen gjithashtu edhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian si dhe gjashtë persona të tjerë.
Ekspertët thonë se Irani njihet për sigurinë e dobët ajrore dhe të dhënat tregojnë për përplasje të përsëritura, shumë prej të cilave përfshijnë aeroplanë të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, të blerë para revolucionit islamik të vitit 1979.
Teherani thotë se sanksionet amerikane e kanë penguar atë prej kohësh të blejë aeroplanë të rinj ose pjesë këmbimi nga Perëndimi, për të përditësuar flotën e dobët.
Irani shpalli pesë ditë zie për nder të Ebrahim Raisin. Ky i fundit njihej si zbatues i politikave të Ali Khameneit, për qëndrimin e ashpër ndaj mospajtimeve publike si dhe mbështeste linjë të ashpër mbi çështjet e politikës së jashtme, përfshirë bisedimet me Uashingtonin, për ringjalljen e paktit bërthamor të Iranit, të vitit 2015.
Zgjedhjet e reja presidenciale janë caktuar të mbahen më 28 qershor. /VOA