Botë

Rrëzimi i aeroplanit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i lidhur me sabotim

Lituania - aeroplani i rrezuar

Foto: Associated Press

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se rrëzimi i një aeroplani mallrash në Lituani më 25 nëntor mund të ketë qenë “incident hibrid” me ndërhyrje nga jashtë.

“Tani duhet ta pyesim veten seriozisht nëse ky ishte aksident, apo nëse ishte një incident tjetër hibrid”, tha Baerbock për gazetarë në takimin e ministrave të Jashtëm të G7-ës në Itali.

“Së voni kemi parë shumë sulme hibride në Evropë, të cilat shpesh në shënjestër kishin individët dhe infrastrukturën, qoftë atë nënujore apo në sipërfaqe”, tha ajo, duke aluduar në këputjen e kabllove të telekomit në Detin Baltik rishtazi, për çka zyrtarët kanë thënë se mund të ketë qenë sabotim.

Autoritetet e Lituanisë nuk e kanë bërë një lidhje të tillë me rrëzimin e avionit.

Shumë agjenci perëndimore të inteligjencës e kanë akuzuar Moskën për përfshirje në akte sabotimi në Evropë, të cilat, sipas tyre, kanë për qëllim destabilizimin e aleatëve të Ukrainës sepse ajo mbështetet te qeveritë perëndimore në luftën e saj kundër pushtimit të plotë nga Rusia./REL