Botë

Rreth 100 minatorë ilegalë të vdekur, ishin bllokuar në një minierë në Afrikën e Jugut

miniera - Afrike e Jugut

Foto: AP

Rreth 100 minatorë që ishin duke gërmuar ilegalisht në një minierë ari të braktisur në Afrikën e Jugut kanë vdekur pasi janë bllokuar thellë nën tokë për disa muaj, ka njoftuar të hënën një grup që përfaqësonte minatorët, raporton Associated Press. 

Sabelo Mnguni, zyrtar i Grupit të Komuniteteve të Prekura, që vepron brenda shoqatës Miniera të Bashkuara në Veprim ka theksuar se në një telefon i cili u nxor jashtë bashkë me disa minatorë të shpëtuar të premten, kishte dy video që shfaqnin shumë trupa nën tokë të mbështjellë me qese plastike. 

Mnguni ka theksuar se së paku 100 burra kanë vdekur në minierën në provincën veriperëndimore ku policia në fillim kishte filluar një operacion për të larguar minatorët dhe pas bllokimit po mundohej t’i nxirrte jashtë. 

Mnguni ka deklaruar se beson që ata kanë vdekur nga uria dhe dehidratimi. Ai ka thënë se 18 trupa janë nxjerrë jashtë nga e premtja e javës që shkoj.

Sipas tij nëntë nga këta trupa janë nxjerrë përmes një operacioni të udhëhequr nga komuniteti të premten. “Nëntë të tjerë ishin larguar nga një operacion zyrtar nga autoritetet të hënën, ku ishin shpëtuar edhe 26 të mbijetuar”, ka theksuar Mnguni.

Zyrtari policor Sebata Mokgëabone ka deklaruar se ata ishin akoma duke verifikuar informacione rreth numrit të trupave të larguar dhe se sa të mbijetuar ishin shpëtuar pas një operacioni të ri të hënën.

Gërmimi ilegal është i shpeshtë në disa pjesë të Afrikës Jugore ku kompanitë i mbyllin minierat kur nuk janë më fitimprurëse, duke ju dhënë mundësinë minatorëve ilegalë për të kërkuar për depozita të mbetura. 

Videot e dërguara në sipërfaqe përmes telefonit dhe të publikuara nga ekipi i Mngunit shfaqin shumë nga çfarë duken të jenë kufoma të mbështjella në qese plastike në thellësitë e tuneleve. Dhe burra të dobët fizikisht ulur afër tyre.

Miniera ishte një skenë përballje në mes minatorëve dhe policisë pasi dy muaj më parë autoritetet tentuan t’i largonin minatorët ilegalë dhe të mbyllnin minierën.

Policia ka njoftuar se minatorët refuzuan të dalin nga frika e arrestimit, por sipas Mngunit, “ata ishin bllokuar pasi policia i kishte hequr litarët që ata përdornin për të dalë”.

Grupe të mëdha të minatorëve ilegalë shpesh shkojnë nën tokë për muaj të tërë për të maksimizuar përfitimet, duke marrë edhe rezerva dhe pajisje me vete, por edhe duke u varur nga të tjerët që dalin në sipërfaqe për t’u furnizuar. 

Policia ka deklaruar se nuk janë të sigurt se sa minatorë ilegalë janë akoma nën tokë në minierën e arit “Buffelsfontein” afër qytetit verior të Stilfontein, por thuhet se mund të jenë qindra. 

Mnguni ka deklaruar se rreth 500 minatorë janë nën tokë në pjesë të ndryshme në minierën, e cila është njëra nga më të thellat në Afrikën e Jugut, rreth 2.5 kilometra e thellë dhe ka shumë nivele dhe një labirint tunelesh.

Ai ka deklaruar se autopsia e njërit nga trupat që ishte larguar më herët tregoi se ai kishte vdekur nga uria.