Botë

Rrëfimi i të riut të përdhunuar nga kriminelët e Assadit

René Shevan Foto: BBC

René Shevan Foto: BBC

Që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit, i riu sirian, René Shevan ka pasur emocione gjithandej. Që nga gëzimi e deri te ankthi, i nxitur nga kujtimet gjatë kohës së tij në burgun sirian. Atje ai ka përjetuar ligësitë nga duart e autoriteteve të Assadit. Ata e kanë përdhunuar dhe abuzuar seksualisht. Policia sekrete e kishte ndaluar, sepse kishte shkuar në demonstratat prodemokracisë dhe se e dinin se ishte homoseksual.

Ajo i përkiste gjyshes së tij. Diçka e fortë. Një gjë për ta mbajtur në duar, për të luajtur me të nëpër gishta dhe për të rikujtuar kujtime. Një gjë e vogël e bukur, e mbuluar me mozaik delikat.

René e hap kutinë e muzikës dhe muzika fillon të luajë, e njëjta këngë e dëgjuar kohë më parë në dhomën e tij të ndenjes në Damask.

“Kjo është gjithçka që më ka mbetur nga shtëpia”, thotë ai.

Gjithçka rreth këtij të riu sugjeron butësi. René Shevan është shtatshkurtër, i hollë dhe flet ngadalë.

Tërë javën emocionet e tij kanë qenë gjithandej. Gëzim nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit. Zemër të thyer nga kujtimet e rikthyera nga muajt e tij në burgun sirian.

“Ishte një grua. Akoma kam pamjen e saj në kokë. Ajo po rrinte në qoshe dhe po lutej... Ishte e qartë që ata e kishin përdhunuar”, thotë ai.

“Ishte një djalë. Ishte 15 ose 16-vjeçar. Ata po e përdhunonin atë dhe ai po e thërriste nënën e tij. Ai thoshte, ‘Mama...nënë...mama’”.

Pastaj ai vet ka përjetuar përdhunim dhe abuzim seksual.

Kur gazetari e BBC-së ishin takuar për herë të parë me Renén, ai vetëm sa ishte arratisur nga Siria. Kjo ka ndodhur 12 vjet më parë. Ai ka qëndruar i ulur para gazetarit, duke u dridhur dhe duke qarë, i frikësuar për ta shfaqur fytyrën e tij në kamerë.

Policia sekrete e kishte marrë, sepse kishte shkuar në demonstratat prodemokracisë. Ata gjithashtu e dinin se ai ishte homoseksual.

Tre prej tyre e kanë përdhunuar në grup Renén. Ai u ka kërkuar mëshirë, por ata kanë qeshur.

“Askush nuk më dëgjonte. Isha i vetëm”, ka thënë ai për tmerrin e përjetuar në vitin 2012.

Ata i kanë thënë atij, se këtë meritonte meqë ka kërkuar liri. Një tjetër oficer e ka abuzuar atë çdo ditë. Për gjashtë muaj ai ka përjetuar këtë abuzim.

Refugjatë sirianë Foto: BBC

Kur janë shfaqur pamjet në televizion të të burgosurve që ecnin të lirë në Damask, Renés i janë kujtuar pamjet e tij.

“Nuk jam në burg tani, jam këtu. Por, e pashë veten në fotografitë dhe pamjet e njerëzve të Sirisë. Jam shumë i lumtur për ta, por e pashë veten atje... E pashë versionin e vjetër të vetes. E pashë veten duke më përdhunuar dhe torturuar. Pashë gjithçka papritmas”.

Ai ndalon të qajë. Vetëm disa minuta, thotë ai.

Në murin e dhomës së ndenjes ndodhet një fotografi e shtëpisë së tij të shkatërruar në Siri dhe një e Renés duke vrapuar në një maratonë në Utrecht. Pastaj një fotografi e priftit jezuit, ati Frans Van Der Lugt, 75-vjeçar, psikoterapist dhe aktivist në Siri, që ishte vrarë në vitin 2014.

Ishte ati Van Der Lugt që i ka thënë Renés – që vuante në një mjedis konservator të thellë – që ai ishte një njeri normal, se Jezusi e do atë pavarësisht orientimit të tij seksual.

René merr një gotë ujë, pastaj kërkon ta vazhdojnë bisedën.

Por, pse ai ishte në rregull tani ta shfaqte fytyrën në kamera?

“Sepse frika është zhdukur. Sepse nuk jam i frikësuar nga ata më. Sepse Assadi është refugjat në Moskë. Sepse të gjithë kriminelët në Siri janë larguar. Sepse Siria i është rikthyer njerëzve sirianë”, thotë ai. “Shpresoj se do të jem në gjendje të jetoj në liri dhe barazi. Jam shumë krenar me veten si sirian, holandez, si LGBT”.

Kjo nuk do të thotë se ai tashmë ndihet i sigurt me jetesën në Siri si homoseksual.

Nën regjimin e Assadit, homoseksualizmi ishte kriminalizuar.

Sundimtarët e rinj të vendit kanë rrënjë fetare fundamentaliste dhe janë lidhur me dhunën dhe persekutimin ndaj homoseksualëve.

“Ka shumë sirianë LGBT që kanë luftuar”, thotë René. “Ata ishin pjesë e revolucionit dhe e humbën jetën. Regjimi sirian i ka vrarë vetëm se ishin LGBT dhe sepse ishin pjesë e revolucionit”.

René thotë se është “realist” për perspektivën e ndryshimit. Ai është gjithashtu i interesuar që të gjitha grupeve fetare dhe etnike - përfshirë kurdët – t’u jepet mbrojtje.

René është në mesin e rreth gjashtë milionë sirianëve, të cilat janë larguar nga vendi ose kanë gjetur siguri ose në vendet fqinje si Liban, Jordani dhe Turqi – shumica – pse janë larguar më larg në Evropë.

Disa vende evropiane veç se i kanë ndaluar aplikimet për azil nga sirianët, pas rrëzimit të regjimit të Assadit. Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë kritikuar lëvizjen si të parakohshme.

Shqetësimi i sirianëve të arratisur

Është vlerësuar të ketë rreth një milion sirianë në Gjermani. Në mesin e tyre, një vajzë e shquar kurde me aftësi të kufizuara, të cilën gazetari e ka takuar për herë të parë në gusht të vitit 2015, kur ajo ishte bashkuar me një kolonë të madhe njerëzish që kishin zbritur në ishullin grek të Lesbos.

Ajo ka udhëtuar përmes Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë gjatë rrugëtimit të saj për në veri.

Për ta arritur Evropën nga Siria veriore, Nujeen ka kaluar male, lumenj dhe detin – me motrën e saj, Nisreen, duke ia shtyrë karrocën me rrota.

“Dua të bëhem astronaute dhe ndoshta të takoj një alien. Dhe dua ta takoj mbretëreshën”, ka thënë ajo.

Gazetari i është ulur pranë në rrugën e pluhurosur, kur mijëra azilkërkues kanë qëndruar të lodhur në të nxehtin e mesditës. Humori i saj i mirë dhe shpresa ishin të ngjitshme.

Kjo ishte një vajzë që i kishte mësuar vetes anglishten rrjedhshëm, duke shikuar programe televizive amerikane. Nujeen është rritur në Aleppo dhe pastaj, teksa lufta është përshkallëzuar, ajo ka shkuar në qytetin e lindjes së familjes, Kobane, bastion kurd, i cili më pas është sulmuar nga grupi i Shtetit Islamik (IS).

Gazetari i BBC-së është ritakuar me të në sheshin e mbushur Neumarkt në Koeln, e rrethuar nga shtëpizat e tregut të Krishtlindjes, ku vendasit hanë salsiçe dhe pinë verë të ngrohtë – dhe ku dramat e Sirisë duken larg.

Por, jo për Nujeenin.

Tërë javën ajo ka qenë duke shikuar televizion, pasi pjesa tjerët e familjes ka shkuar të flinte, pavarësisht se kishte provim për kursin e administrimit të biznesit. Ajo tha se do t’ia dalë.

Kurrë më nuk do të ketë moment të tillë sikur rënia e Assadit, moment plot shpresë, sipas saj.

“Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Errësira ndiqet nga agimi”, thotë ajo. “E dija se nuk do të kthehesha kurrë në një Siri që kishte Asadin si president dhe se kurrë nuk do ta kishim mundësinë të ishim komb më i mirë me atë njeri në krye. Ne e dinim se nuk do të gjenim kurrë paqe, nëse ai nuk largohej. Dhe tani me përfundimin e atij kapitulli, mendoj se fillon sfida e vërtetë”.

Nujeen Foto: BBC

Sikurse René, ajo dëshiron një vend që është tolerant ndaj diversitetit dhe kujdesit ndaj personave me aftësi të kufizuara.

“Nuk dua të kthehem në një vend ku nuk ka ashensor dhe ka vetëm shkallë deri në katin e katërt të një ndërtese banuese”, thotë ajo.

Si kurde, ajo e njeh mirë përvojën e vuajtjeve të popullit të saj në rajon. Tani, teksa forcat kurse janë të detyruara të largohen nga zonat veriore ku ka naftë, Nujeen e sheh rrezikun që mund të shfaqet nga ardhja e një regjimi të ri, të mbështetur nga Turqia.

“Ne e dimë se të gjithë këta njerëz që kanë ardhur në fuqi tani. Ne i njohim vendet dhe fuqitë që po i mbështesin, dhe ata nuk janë adhurues të kurdëve. Nuk na duan. Ky është shqetësimi ynë më i madh tani”.

Gjithashtu ekziston frika e një rigrupimi të mundshëm të IS-it, nëse udhëheqësit e rinj të Sirisë nuk mund ta arrijnë stabilitet në vend.

U bëjnë të thirrje të vazhdueshme telefonike familjeve që ende jetojnë në zonat kurde.

“Ata janë të shqetësuar për të ardhmen siç jemi ne të gjithë”, thotë Nujeen. “Ne kurrë nuk ndalojmë së telefonuari dhe jemi gjithmonë të shqetësuar, nëse ata nuk e hapin pas ziles së parë. Ka shumë pasiguri se çfarë do të ndodhë më pas”.

Pasiguria përforcohet nga ndryshimi i politikës së azilit në Evropë.

Megjithatë, kjo është grua e re, përvoja e jetës së të cilës, ka krijuar kapacitet për shpresë.

Në dekadën e afërt që gazetari e ka njohur, shpresa e saj është e pashuar. Rënia e Assadit vetëm sa e ka thelluar besimin e saj në Siri dhe popullin e saj.

“Ka shumë njerëz që presin ta shohin Sirinë duke rënë në një lloj humnere”, thotë ajo. “Ne nuk jemi njerëz që urrejmë ose kemi zili ose dëshirojmë ta eliminojmë njëri-tjetrin. Ne jemi njerëz që jemi rritur për të pasur frikë nga njëri-tjetri. Por, cilësia jonë është se e duam dhe e pranojmë atë që jemi”.

“Ne mund dhe do të jemi një komb më i mirë - një komb i dashurisë, pranimit dhe paqes, jo një komb i kaosit, frikës dhe shkatërrimit”, shton ajo.

Ka shumë zemra në Siri dhe më gjerë, që do të shpresojnë se ajo ka të drejtë.