Kjo nuk është histori tipike e tragjedisë dhe humbjes në Gazë. Sanaa dhe vajza e saj Sham janë shpëtuar nga një ushtar izraelit, pas vrasjes së burrit dhe vajzës së saj të madhe. Kjo nuk duhet të jetë e pazakontë. Të gjitha ushtritë janë të obliguara nën të drejtën ndërkombëtare t’i ndihmojnë civilët e lënduar. Por në luftën që po zhvillohet në Gazë, historitë si ajo e Sanaas dhe Shamit janë jashtëzakonisht të rralla.
Sham Abu Tabaq, 5-vjeçare, ka shikim shpues. Prapa syve të saj të zinj ndodhen kujtime që ajo mezi ka filluar t’i përpunojë.
Ajo e ka përjetuar luftën. Ajo është detyruar të largohet nga shtëpia e saj. Dhe ishte në krahët e babait kur ai u qëllua për vdekje, e gjithashtu e ka parë atë dhe motrën e madhe të vdekur në rrugë.
Por kjo nuk është histori tipike e tragjedisë dhe humbjes në Gazë. Por kjo bëhet më e qartë kur tregohet vendi se ku Sham dhe nëna e saj, Sanaa u intervistuan: në një spital palestinez në Jerusalem.
Dhe pastaj, është edhe kjo: Sanaa nuk e fajëson vetëm ushtrinë izraelite për vrasjen e burrit dhe vajzës së saj, si dhe për plagën e shkaktuar në këmbë – ndonëse sigurisht ajo e fajëson ushtrinë izraelite.
Një ushtar izraelit mund t’ia ketë shpëtuar jetën gjithashtu.
Kjo nuk duhet të jetë e pazakontë. Të gjitha ushtritë janë të obliguara nën të drejtën ndërkombëtare t’i ndihmojnë civilët e lënduar. Por në luftën që po zhvillohet në Gazë, historitë si ajo e Sanaas janë jashtëzakonisht të rralla.
“Ai kishte mëshirë ndaj nesh”, ka thënë ajo për ushtarin. Por ai dhe ushtarët e tjerë, ka thënë ajo, “gjithashtu më morën gjënë më të shtrenjtë që kisha”.
Sanaa dhe burri i saj Akram – mësues në shkollë – kanë jetuar me vajzat e tyre, Sham dhe Yasmeen në Beit Lahia, në pjesën më veriore të Gazës.
Ajo ka punuar në një fondacion që siguronte mbështetje për jetimët. Sikurse shumë gra në Gazë, ajo është veshur në mënyrë konservatore dhe shpesh e ka mbuluar fytyrën e saj, e cila është e mbuluar nga shenja të thella të djegies të shkaktuara nga një aksident në fëmijëri.
Në ditët pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, dhe ofensivës pasuese ushtarake të Izraelit, familja është detyruar të largohet nga shtëpia e tyre – për t’iu larguar bombardimeve në Rripin e Gazës. Kur është shpallur një armëpushim i shkurtër në fund të nëntorit si pjesë e marrëveshjes për lirimin e disa pengjeve, ata e kanë parë si mundësi për t’u rikthyer.
“Ishim shumë të lumtur saqë nuk mundnim as të flinim”, ka thënë Sanaa. “Një armëpushim po ndodhte dhe ne po shkonim në shtëpi”.
Ata janë larguar nga klinika e shëndetit e udhëhequr nga OKB-ja ku po jetonin, në kampin e refugjatëve “Jabalya” dhe e kanë filluar rrugëtimin prej gati 5 kilometrash në këmbë. Ata ishin gati në shtëpi, ka thënë ajo, kur janë dëgjuar të shtëna armësh.
“Dukej sikur kishte një snajperist dhe ai po qëllonte në drejtimin tonë. Ne nuk e kemi parë”, ka thënë ajo. “Papritmas ishim të gjithë të lënduar”.

“Ata e vranë atë”
Gjendja e 7-vjeçares Yasmeen ishte më serioze sesa e të tjerëve. Ajo ishte qëlluar në shpinë dhe sup. Akrami ishte qëlluar në stomak dhe Sanaa në këmbë. Vetëm Shami kishte shpëtuar pa lëndime nga breshëria e plumbave.
“Burri im më thoshte, ‘Le të zvarritemi dhe ndoshta do ta gjejmë një ambulancë të na marrë, ose dikë që mund të na shohë dhe të na ndihmojë’. Por unë nuk mund të zvarritesha. Dhe Yasmeen ishte në gjendje të tmerrshme – dy plumba, dhe ishte e mbuluar me gjak. Prandaj i thashë atij, ‘Nuk mundemi’. Ai më tha, ‘Unë do përpiqem të zvarritem’. Kështu që ai u zvarrit shkurtimisht. Pastaj ata e përfunduan atë që nisën! Ai nuk lëvizte më. Atë e vranë”, ka thënë Sanaa.
Për disa orë ato kanë qëndruar të shtrira në mes të rrugës – shumë të lënduara dhe të frikësuara të lëvizin. Sanaa mbante Yasmeenen, duke i premtuar vajzës se një ambulancë ishte rrugës dhe se ajo do të mbijetonte. Por nuk kishte një ndihmë të tillë rrugës. Shpresa e rreme ishte e vetmja gjë që Sanaa mund t’i ofronte vajzës së saj në atë moment.
Së shpejti Yasmeeni vdiq nga plagët.
“U shtriva me vajzën time Yasmeen në tokë, ia bekoftë Zoti shpirtin. Dhe e mbulova me një bluzë dhe i thashë Shamit, ‘Eja e dashur, le të zvarritemi’”.
Duke u zvarritur në tokë e duke folur me pëshpërimë, ato i kanë lënë pas trupat e familjarëve të tyre dhe kanë arritur brenda një shtëpie të bombarduar dykatëshe. Ato janë futur brenda një tualeti për ta kaluar natën.
“Në mëngjes, rreth orës 7:30, kemi dëgjuar zhurmat e izraelitëve dhe tankeve”, ka thënë Sanaa. “I thashë vajzës, ‘Sham e dashur, izraelitët kanë ardhur. Do të na qëllojnë. Por mos u shqetëso. Gjithçka ka përfunduar. Dhe ne do të vdesim’. Ajo më tha, ‘Në rregull nënë, por më fshih. Nuk dua t’i shoh kur vijnë të më qëllojnë”.
Teksa Sanaa e ka mbuluar vajzën e saj, një eksplodim e ka tundur shtëpinë, duke e shpërthyer derën e tualetit ku ishin të fshehura dhe duke e thyer dritaren sipër tyre, çka ka shkaktuar që xhami të binte mbi to.
Shpejt, ushtarët ishin brenda shtëpisë. Pas disa momenteve të tensionuara me të bërtitura, ajo ka thënë, ushtarët janë bindur se Sanaa dhe Shami nuk po strehonin militantë dhe kanë filluar t’i trajtojnë plagët e tyre.
CNN-i ka marrë pamje nga ky moment nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të bëra nga kamerat trupore të ushtarëve. Në video, e cila nuk ka audio, shihen dy ushtarë duke u vendosur fasha teksa Sanaa – e mbledhur në qoshe – flet me dikë që nuk duket në kamera. IDF-ja nuk ka mundësuar intervistë me ushtarët që kanë qenë në vendngjarje.
Sanaa së shpejti ka filluar t’i lutet një ushtari që fliste arabisht, i cili ka mohuar se forcat e tij e kanë vrarë burrin dhe vajzën e madhe të Sanaas dhe në vend të kësaj e ka fajësuar Hamasin dhe liderin e tij, Yahya Sinwar, për vdekjet e tyre.
“I thashë atij, ‘Të lutem më lër në një ambulancë që shkon në qytetin e Gazës. Të paktën a mund të më dërgosh te familja ime, në mënyrë që ata ta marrin vajzën time? Unë nuk jam e rëndësishme. E di se do të vdes. Dua vetëm që familja ta marrë vajzën time’”.
“Ai më tha, ‘Jo nuk mund të të dërgoj në Gazë. Prit pak. Mund të jem në gjendje t’ju ndihmoj’”, ka thënë Sanaa.
Sanaa ka thënë se ushtarët izraelitë kanë vendosur se nuk mund ta trajtonin atë në terren. Gjendja e saj ishte kritike, ka thënë ajo, dhe kishte nevojë të trajtohej në një spital. Pasi ka bërë disa thirrje, sipas saj, ushtari që fliste arabisht ka thënë se ata do t’i dërgonin ato në një spital në Izrael. Ata e kanë larguar atë nga shtëpia me barelë së bashku me Shamin.
Teksa është vendosur në një automjet ushtarak “Humvee”, Sanaa ka thënë se e ka parë trupin e vajzës së saj Yasmeen në rrugë.
“I kam thënë atij: ‘Kjo është Yasmeen. Të lutem ma sill këtu’. Ai më tha jo. I thashë, ‘Atëherë të lutem varrose për mua’”, ka thënë Sanaa. “Ata vazhduan të merreshin me barelën”.
Pas një ore vozitje, ka thënë Sanaa, ata kanë arritur në një terren gati të zbrazur ushtarak. Duke qëndruar në një zonë të hapur, ushtarët kanë filluar të mbajnë kontroll sigurie dhe e kanë urdhëruar Sanaan ta hiqte jilbabin – veshje që e mbulon tërë trupin – para ushtareve, teksa ushtarët kanë thënë se nuk do të shikonin. E gjitha kjo teksa asaj vazhdonte t’i rridhte gjaku nga plaga e plumbit në këmbën e saj.
“Nëse nuk do të ishte Shami, nuk do të kisha pranuar t’i hiqja rrobat. Kjo sepse isha e frikësuar se nëse nuk i hiqja, ata do ta qëllonin Shamin. Ose do më qëllonin mua para Shamit dhe nuk do ta kuptoja kurrë se çfarë i ka ndodhur asaj. Nëse do të kisha qenë e vetme me siguri do t’u thosha të më qëllonin, sepse nuk do t’i kisha hequr rrobat”.
Ata e kanë vazhduar rrugëtimin në qendrën mjekësore “Kaplan”, në qendrën e qytetit izraelit Rehovot, ku mjekët ia kanë trajtuar plagët. Sipas dosjeve mjekësore të Sanaas, plumbi ia ka shpuar puplin e këmbës, duke ia thyer të dyja eshtrat dhe duke ia dëmtuar arterien. Ajo pastaj është transportuar në një spital palestinez në Jerusalem për t’u shëruar.

“Zoti më ka qëndruar pranë”
Për nëntë muaj, ajo është shëruar ngadalë, me terapi fizike. Ajo dhe Shami kanë jetuar në një dhomë të vetme e të ndarë të spitalit. Ajo nuk ia ka idenë se çfarë i ka ndodhur trupave të vajzës dhe burrit të saj.
Janë të vetëdijshme për privilegjin e sigurisë së tyre, por në kërkim të një shtëpie dhe jete që ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.
Dhe ajo ishte e frikësuar se do të rikthehej përsëri në zonën e luftës që ishte shtëpia e saj. Me të vërtetë që autoritetet izraelite janë duke planifikuar ta rikthejnë dyshen në Gazë muajin e ardhshëm, vetëm nëse një qeveri tjetër i strehon, sipas zyrtarëve të spitalit, zyrtarëve izraelitë dhe organizatave të të drejtave të njeriut.
Ushtria izraelite e mohon se ka qëlluar Sanaan dhe familjen e saj.
Në një deklaratë, IDF-ja ka thënë se familja pa dashje i është afruar një pozicioni të fshehur izraelit. Kur ushtarët e kanë urdhëruar familjen të ndalet, pozicioni i tyre është zbuluar te militantët që kanë qenë afër, të cilët kanë filluar të qëllojnë drejt izraelitëve. Sipas IDF-së, familja është “zënë mes shkëmbimit të zjarrit”, duke shtuar se “trupat nuk kanë qëlluar në drejtim të tyre e as nuk kanë shënjestruar kah ata”.
Sanaa e ka quajtur këtë pretendim gënjeshtër. IDF-ja ka pretenduar se militantët kanë hedhur granata drejt pozicionit të tyre – Sanaa ka thënë se ata nuk kanë dëgjuar asnjë shpërthim.
“Nëse do t’i kishim dëgjuar zërat e izraelitëve, ne do të ishim larguar dhe rikthyer (në strehimore). Nëse do t’i kishim dëgjuar zërat e rezistencës, ne do të ishim larguar dhe rikthyer”, ka thënë Sanaa.
“Është e vërtetë që ai më ndihmoi”, ka thënë Sanaa për ushtarin që fliste arabisht, i cili ka ndihmuar në marrjen e vendimit për ta larguar nga Gaza për në Izrael.
Por ajo nuk mund ta shtyjë veten ta falënderojë atë. Dhe ajo thotë se nuk do ta bënte këtë, nëse do e shihte atë përsëri.
“Ishte një mrekulli nga Zoti që ushtari që më fliste arabisht po më ndihmonte”, ka thënë ajo. “Ishte Zoti që më ka qëndruar pranë dhe ai u vendosi mëshirën ndaj meje. Kjo është puna e Zotit. Jo vullneti i vetë ushtarit”.