Shumë nga gratë iraniane të dënuara me burgim në burgun famëkeq të Iranit “Evin” janë aktiviste të të drejtave të grave, që luftojnë edhe për heqjen e shamisë ose hixhabit. E, pavarësisht kushteve të këqija dhe keqtrajtimit nga autoritetet, ato po vazhdojnë betejën e tyre për të drejta
E ulur e vetme në dysheme, në një qeli të vogël e pa dritare, Nasimi mund të dëgjonte zhurma të tilla, që dukeshin sikur të burgosur duke u torturuar. Roja do të trokiste në derë dhe do të thoshte: “A mund t’i dëgjosh të rrahurat? Bëhu gati, ti e ke radhën”.
Ajo ishte “marrë në pyetje për 10 deri në 12 orë çdo ditë” dhe vazhdimisht ishte kërcënuar me ekzekutim.
Qelia e thatë, jo më e madhe se dy me dy, nuk kishte krevat ose tualet. Katër muaj në izolim ishin prezantimi i floktares 36-vjeçare në burgun famëkeq të Iranit, “Evin”. Të vetmit njerëz që ajo ka parë kanë qenë ata që e merrnin në pyetje. Ajo ka menduar se mund “të vdiste dhe askush të mos e merrte vesh”.
BBC ka bashkuar disa dëshmi nga burime të shumta e të besueshme për ta krijuar pamjen e jetës së përditshme të Nasimit dhe grave të tjera, të cilat aktualisht mbahen në burgun “Evin”.

Shumë prej tyre ishin në mesin e dhjetëra mijëra njerëzve të arrestuar për shkak të lidhjes me protestat e “Woman, Life, Freedom”, që i kanë pasuar vdekjen e 22-vjeçares, Mahsa Amini në shtator të vitit 2022. Mahsa ishte arrestuar nën pretendimet se kishte shkelur ligjet iraniane, që u kërkojnë grave të mbajnë hixhab dhe kishte vdekur teksa mbahej nga policia në paraburgim.
Teksa njerëzit kanë folur për kushtet brenda “Evinit” pasi janë liruar, është e rrallë të gjenden detaje të jetës së të burgosurve derisa ata janë akoma brenda.
Historitë shfaqin jo vetëm brutalitetin, por një vend të kontrasteve komplekse ku të burgosurit vazhdojnë të bëjnë fushatë për të drejtat e grave dhe sfidojnë fuqishëm kufizimet e vendosura ndaj tyre. Ka edhe momente të befasishme gjithashtu. Një e burgosur, së cilës ndonjëherë i është lejuar të rrinte e vetme me burrin, ka ngelur shtatzënë.
Nasimi – e cila dashuron muzikën rep dhe grimin – është ndaluar nga policia në prill të vitit 2023, pasi u është bashkuar protestave me miqtë e saj, një prej të cilave është vrarë nga goditja e policisë. Ajo i ka mbijetuar marrjeve në pyetje “duke menduar për ata që kanë vdekur në rrugë”. Njerëzit që kanë parë Nasimin kur ka dalë nga izolimi, kanë përshkruar se ajo ka pasur të prera dhe lëndime në trup dhe se si është torturuar për të dhënë rrëfime false.
Rezvanehu gjithashtu ishte arrestuar pas protestave, së bashku me burrin e saj, në vitin 2023. Ata të dy kanë përfunduar në “Evin”, i cili ka seksione të ndara për gratë dhe burrat. Ata që e merrnin në pyetje i thoshin se do t’ia vrisnin burrin dhe se “do ta godisnin atë aq shumë saqë do të bëhej i zi si qymyr dhe vjollce sikur patëllxhani”.
Pas izolimit, marrjeve në pyetje dhe poshtërimit, Nasimi është lëvizur në një burg të grave, që mbante rreth 70 njerëz, duke e përfshirë Rezvanehun, shumica e të cilave ishin arrestuar me akuza politike.
Këtu është vendi ku shtetasja britaniko-iraniane, Nazanin Zaghari-Ratcilffe, e cila është lejuar të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022, ka kaluar gati katër vjet të dënimit të saj.
Shumica e grave atje janë dënuar për shkak të aktivizmit të tyre. U shpallë fajtore për shkelje të tilla si “shpërndarje të propagandës, ngritjen kundër regjimit dhe rrezikimin e sigurisë kombëtare”.
Ato kanë jetuar në katër qeli të stërmbushura me deri në 20 njerëz në secilën dhe krevate marinari me tri kate.

Në dimër, “gjithkush kishte ftohtë” dhe gratë “kanë ecur rrotull me shishe me ujë të ngrohtë” për të qëndruar ngrohtë. Në verë, ato janë mbuluar nga djersët për shkak të të nxehtit.
Kishte një zonë të vogël kuzhine me disa pllaka të shporetit ku - nëse kanë para të mjaftueshme për të blerë ushqim nga dyqani i burgut - mund të gatuanin vetë për t’i plotësuar vakte bazë të burgut që janë sjellë në qelitë e tyre.
Një zonë e errët dhe e pistë në fund të korridorit shërbente si vend për të pirë duhan. Një oborr i vogël i çimentuar me një zonë për volejboll ofronte pak hapësirë të jashtme.
Ato mund të vishnin rrobat e veta dhe ishin të lira të lëviznin brenda dhomave të banimit, të cilat kishin dy banja. Çdo mbrëmje, ato prisnin në radhë për ta përdorur tualetin dhe për t’i larë dhëmbët.
Ishte këtu, pasi veç se kishte kaluar katër muaj në burg, kur Rezvanehu e ka kuptuar se kishte ngelur shtatzënë.
Ajo kishte pasur probleme me infertilitetin për vite dhe kishte hequr dorë nga ideja e të pasurit fëmijë. Por, sipas rregullave të “Evinit”, ajo dhe burri i saj – i cili është akoma i burgosur – janë lejuar ndonjëherë të takohen privatisht dhe në njërin prej këtyre herëve, ajo kishte mbetur shtatzënë.
Kur e ka kuptuar se ishte shtatzënë, ajo “ka qarë për ditë të tëra”.
Ajo ka gjetur se “gjëja më e keqe ishte presioni mental dhe tensionet brenda burgut”. Gjetja e një vendi të qetë në qelitë e stërmbushura, kur njerëzit kanë kaluar shumicën e ditëve të tyre të ulur në krevate, ka qenë sfidë e vazhdueshme.
Ushqimi i burgut ka bërë që ajo të dëshirojë lëng molle, bukë dhe mish, të cilat ishin të vështira për t’u gjetur. Kur ajo mund të merrte ca mish nga dyqani i burgut, çmimin e kishte dyfish më të madh sesa jashtë burgut.
Në fund, burgu e ka lejuar atë të bënte skanimin me ultratinguj në muajin e katërt dhe mjekët i kanë thënë se do të kishte një vajzë.
Teksa dëgjonte “secilën rrahje të zemrës, ndjenja e shpresës është bërë më e fuqishme”. Por, ajo ishte e frikësuar se kushtet në burg mund ta rrezikonin shëndetin e foshnjës. Rezvaneh nuk ishte e shqetësuar për dietën e saj – ajo ka epilepsi dhe duhet ta shmangte stresin. Doktorët e burgut i kanë thënë asaj se kishte rrezik të lartë të abortonte.
Vidas, gazetare, i pëlqen të pikturojë. Ajo përdor çarçafë për kanavacë dhe pikturon portrete të grave të tjera.
Njëri, i cili është kontrabanduar nga “Evini”, është e burgosura kurde Pakhshan Azizi, që udhëtoi në zonat kurde të Irakut dhe Sirisë për t’i ndihmuar viktimat e grupit të Shtetit Islamik. Pakhshani është dënuar me vdekje, pas akuzave për përdorimin e armëve për ta luftuar regjimin iranian dhe ka shqetësime të mëdha se ky dënim mund të zbatohet së shpejti.
Vida është paralajmëruar të mos vizatojë më asgjë me kuptim të fshehtë. Në një nga muret e oborrit, ajo ka pikturuar tulla të shkatërruara me një pyll të gjelbër pas tyre. Autoritetet kanë spërkatur bojë mbi të.
Në një korridor ajo ka pikturuar një vizatim të një gepardi iranian duke vrapuar. Disa nga gratë “vazhdonin të thoshin se sa energji të mirë kanë marrë nga ajo”. Por, një natë autoritetet “kanë pikturuar mbi të” dhe ia kanë kufizuar Vidas qasjen në pajisjet e pikturimit.
Një nga muralet e saj kishte ngelur i paprekur – valët gjigante dhe të kaltra të detit në muret e korridorit, ku gratë shkonin të pinin duhan.
Qasja në kujdes shëndetësor ka qenë betejë e vazhdueshme për gratë. Një nga të burgosurat, aktivistja e të drejtave të njeriut dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, ka probleme të zemrës dhe mushkërive që ia rrezikojnë jetën.

Por, në burg asaj i është dashur të luftonte gjatë dhe fort për të pasur qasje te një mjek. Të afërmit kanë thënë se zyrtarët në mënyrë të përsëritur ia kanë bllokuar trajtimin, sepse ajo ka refuzuar ta mbante shaminë e kokës në terminet mjekësore. Autoritetet e kanë pranuar vetëm pasi të burgosurat e tjera kanë mbajtur grevë urie për dy javë. Narges është liruar për 21 ditë në fillim të dhjetorit, për arsye shëndetësore.
Pas hekurave, ajo dhe të tjerat kanë mbajtur protesta, duke i shtyrë kufijtë dhe duke vazhduar të luftojnë për të drejtat e tyre. Edhe pse ligji u kërkon atyre të mbajnë shami të kokës, shumë prej tyre refuzojnë. Dhe pas një lufte të gjatë me autoritetet, grave u janë lejuar perde rreth krevateve, në mënyrë që të kenë një lloj privatësie, jashtë pamjeve të kamerave CCTV.
Një nga gjërat më të rënda për gratë ka qenë pritja për t’i dëgjuar dënimet e tyre. Marrësit në pyetje të Nasimit e kishin kërcënuar atë me dënim me vdekje dhe asaj i është dashur të presë 500 ditë për ta kuptuar fatin e saj.
Ajo ka gjetur ngushëllim te të burgosurat e tjera – të cilat i ka përshkruar si motra, të cilat i kanë dhënë jetë dhe kanë vepruar si “fashë për plagët” e krahëve të saj.
Çdo mëngjes, një nga shoqet e saj ka tërhequr perden e krevatit dhe e ka zgjuar nga gjumi për mëngjes.
“Çdo ditë ne mendojmë për diçka për të bërë, kështu që deri në fund të ditës mund t’i themi njëra-tjetrës, ‘jetuam sot’”, ka shpjeguar një nga burimet.
Të tjerat kanë kaluar kohën duke lexuar poezi, duke kënduar, duke luajtur me letra dhe duke shikuar televizor – në kanale të tilla iraniane ku shfaqeshin dramat, dokumentarët dhe futbolli.
Janë këto gjëra të vogla që e kanë shtyrë përpara Nasimin, teksa priste për dënimin e saj, nën kërcënim të vazhdueshëm për ekzekutim. Kur ka ardhur dënimi në fund, asaj i janë dhënë gjashtë vjet burim, 74 goditje me kamxhik dhe 20 vjet dëbim në një qytezë të vogël larg Teheranit. Ajo është akuzuar për shpërndarje të propagandës dhe kryengritje kundër Republikës Islamike të Iranit.
Pavarësisht ashpërsisë së dënimit, Nasimi është ndier sikur mund të merrte frymë përsëri dhe ta shijonte jetën të cilën mendonte se e kishte humbur.
Tri gra të tjera në objekt ishin dënuar me vdekje për kryengritje kundër regjimit ose lidhje me grupe të armatosura. Megjithatë, njërës prej tyre i është hequr dënimi.
Më shumë se 800 njerëz janë ekzekutuar në Iran vitin e kaluar – shifra më e lartë në tetë vjet, sipas Amnesty International. Shumica për krime që përfshinin dhunën ose drogat. Një pjesë e madhe e tyre ishin gra.
Prandaj çdo të martë, gratë protestojnë kundër ekzekutimit, duke brohoritur në oborrin e burgut, duke refuzuar të lëvizin tërë natën dhe duke mbajtur greva urie. Fushata është shpërndarë përgjatë burgjeve në Iran, duke marrë mbështetje ndërkombëtare. Në përvjetorin e vdekjes së Mahsa Aminit, gratë në “Evin” kanë djegur shamitë e kokës.
Ka pasur pasoja - ndonjëherë rojet kanë bastisur qelitë dhe gratë janë rrahur dhe plagosur. Ato gjithashtu mund të merren për t’u marrë më tej në pyetje, të rikthehen në izolim ose t’u bllokohen telefonatat dhe vizitat. Shumica e gardianëve janë gra dhe “herë janë të sjellshme, herë mizore dhe zemërgure, varësisht se çfarë urdhrash marrin nga autoritetet më të larta”, ka thënë një nga burimet.
Qeveria iraniane në mënyrë të vazhdueshme mohon pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut, duke thënë se kushtet brenda burgut “Evin” përputhen me të gjitha standardet e nevojshme dhe se të burgosurit nuk keqtrajtohen.
Me afrimin e datës se kur duhet të lindë, autoritetet e burgut e kanë lejuar Razvenahun të largohej përkohësisht nga burgu për lindjen. Në tetor, ajo ka lindur një vajzë.
Por gëzimi dhe lehtësimi i saj për ardhjen e sigurt të vajzës së saj në jetë është përzier me frikën, trishtimin dhe zemërimin. Bashkëshorti i saj nuk është lejua të dilte nga burgu me të, megjithëse ajo ka mundur ta çojë vajzën e tyre për ta vizituar babanë në “Evin”.
Dhe për shkak të stresit, Rezvanehu ka pasur probleme për të prodhuar qumësht gjiri. Ajo pret të rikthehet në burgun “Evin” së shpejti me vajzën e saj të vogël, për ta kaluar pjesën tjetër të dënimit të saj pesëvjeçar - nëse nuk i jepet lirimi i parakohshëm, kjo mund të jetë gati katër vjet.
Foshnjat zakonisht lejohen të qëndrojnë me nënat e tyre në burg deri në moshën dyvjeçare. Pas kësaj aoa shpesh dërgohen te një i afërm i ngushtë, ose nëse kjo nuk është e mundur, ato mund të vendosen në një shtëpi fëmijësh ose jetimore.
Por në vend që t’i ndalojë të burgosurit, një e burgosur ka thënë se sfidat me të cilat përballen e kanë bërë atë “më të guximshme dhe më të fortë”, duke e mbështetur besimin e tyre se “e ardhmja është e qartë: të luftosh, qoftë edhe nga burgu”.