Peruja ka pasur gjashtë presidentë që nga viti 2018, derisa kryetarja aktuale e shtetit, Dina Boluarte ndodhet “në ujë të nxehtë politik” dhe përballë thirrjeve për të dhënë dorëheqjen, mes pyetjeve në lidhje me origjinën e koleksionit të saj të orëve “Rolex”.
Boluarte është nën hetim për pasurim të paligjshëm, për shkak të posedimit të orëve luksoze, pa dhënë prova se si i ka blerë ato. Dhjetëra policë dhe prokurorë bastisën shtëpinë dhe zyrën e saj gjatë fundjavës së Pashkëve duke kërkuar prova për këtë rast, raportoi Reuters.
Boluarte, e cila mori pushtetin në vitin 2022 pasi paraardhësi i saj u fajësua për përpjekje të paligjshme për të mbyllur Kongresin, e pa fillimin e mandatit të saj të shënuar nga protesta dhe goditje që lanë dhjetëra të vdekur.
Pavarësisht thirrjeve të përhapura për dorëheqjen e saj ose për të çuar përpara zgjedhjet, Boluarte mbijetoi, por tani po përballet me thirrje të reja për të dhënë dorëheqjen për skandalin.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, Boluarte e quajti bastisjen "abuzive" duke thënë se ajo do të shërbente mandatin e saj deri në vitin 2026. Kongresi tashmë ka ndërmarrë hapat fillestarë për të fajësuar Boluarten.
Çka është skandali i Rolexëve?
Në mars, një emision i njohur politik në Youtube "La Encerrona" shqyrtoi mijëra foto të Boluartes dhe zbuloi se ajo mbante një numër orësh Rolex, me vlerë nga 14,000 deri në 25,000 dollarë.
Më 18 mars, zyra e prokurorit të Perusë njoftoi "procedura paraprake" kundër Boluartes për "pasurim të paligjshëm" të dyshuar, dhe dështim për të deklaruar pronësinë e orëve të shtrenjta Rolex në dokumente.
Çka ndodhi gjatë bastisjes?
Dhjetëra prokurorë dhe policë mbërritën në shtëpinë e Boluartes afër mesnatës në “Të premten e mirë” për të kryer një urdhër kontrolli.
Prokurorët thanë se i kishin kërkuar orët nga Boluarte, por ato nuk ishin dorëzuar dhe bastisja prodhoi "elemente me interes" për hetimin.
Mediat lokale publikuan dokumente nga bastisja që tregonin të paktën një orë Rolex, një model Datejust 36, me datë blerje më 8 korrik 2023. Një model i ngjashëm në faqen e internetit të Rolex kushton të paktën 14,800 dollarë.
Sipas raportimeve të mediave lokale, në Pallatin e Qeverisë u gjetën tetë ora me çmim më të ulët të markave të tjera.
Paga e Boluartes si presidente është rreth 4,200 dollarë, me shpenzime dhe strehim të paguara nga shteti.
Çfarë ndodh më pas?
Mbrojtja e Boluartes i kishte kërkuar prokurores që të shtyjë dëshminë e presidentes, por tani po kërkon që ajo të japë një deklaratë të premten më 5 prill, për shkak të “turbulencave politike” që po shkakton çështja.
Kryesisht ligjvënësit e opozitës së majtë, paraqitën një mocion në Kongres të hënën për të filluar shkarkimin e Boluartes për "paaftësinë e përhershme morale". Vetëm 26 nga 130 ligjvënës janë të nevojshëm për të nisur procesin, 52 vota nevojiten për të debatuar shkarkimin në Kongres, dhe 87 nevojiten për shkarkimin.
Boluarte i ka mbijetuar tashmë dy përpjekjeve për të nisur procedurat e shkarkimit. Të dyja dështuan pasi nuk arritën të merrnin 52 vota për të vazhduar. Shkarkimi mendohet se nuk ka gjasa të ndodhë pasi ligjvënësit e krahut të djathtë kanë shumicën në Kongres dhe mbështesin Boluarten.
Gjashtë nga ministrat e Boluartes, përfshirë ministrin e Brendshëm, kanë dhënë dorëheqjen të hënën për skandalin.
Gustavo Adrianzen, i cili mori detyrën si kryeministër në mars, duhet të konfirmohet nga Kongresi të mërkurën dhe nëse ai dështon në votëbesimin, i gjithë kabineti i Boluartes duhet të japë dorëheqjen.
Çka ndodhi me presidentët e tjerë të Perusë?
Politika e Perusë është shumë e polarizuar dhe Kushtetuta lejon që presidentët të fajësohen për "paaftësinë morale" një masë subjektive që është përdorur për të fajësuar disa ish-liderë.
Pothuajse të gjithë zyrtarët e lartë ose ish-presidentët peruan janë hetuar nga prokuroria ose janë përfshirë në raste korrupsioni në tre dekadat e fundit.
Pasi u zgjodh në vitin 2016, Pedro Pablo Kuczynski dha dorëheqjen përpara një dënimi të mundshëm pasi u fajësua në vitin 2018 pas një skandali korrupsioni. Nënkryetari i tij, Martin Vizcarra, më pas mori detyrën, por gjithashtu u fajësua për "paaftësinë e përhershme morale" për shkak të akuzave për korrupsion në vitin 2020.
Pas kësaj, Manuel Merino ishte president për vetëm pesë ditë, duke dhënë dorëheqjen pas dy vdekjeve në protesta në Lima. Francisco Sagasti më pas mori pushtetin për një vit derisa i majtë Pedro Castillo u zgjodh në vitin 2021.
Castillo u fajësua në dhjetor për përpjekjen për të mbyllur Kongresin. Castillo tani është i burgosur në të njëjtin burg si një tjetër ish-president, Alejandro Toledo. Ata ndanë burgun me ish-presidentin Alberto Fujimori, i cili u lirua dhjetorin e kaluar pas një faljeje.