Botë

Rinia e humbur e tinejxherëve ukrainas

Në një qytet të shkatërruar ukrainas, lufta ua ka vjedhur tinejxherëve rininë normale. Të rinjtë po e përdorin humorin për t’i përballur vështirësitë që po u sjell lufta

Krateri i madh, i krijuar prej sulmeve ajrore ruse dhe i mbushur me ujë, detyron kalimtarët ta devijojnë drejtimin. Të rinjtë që kalojnë përreth thonë se ky ndryshim është kthyer në diçka argëtuese.

“Është pellgu ynë lokal”, thekson Denysi 15 vjeç. “Mund të zhytemi për not”.

Veshur me xhemperë e me çantat hedhur krahëve, të rinjtë ecin rrugëve të Slovyanskut, një prej qyteteve në vijën e parë të frontit lindor të Ukrainës. Ata nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër në këtë kohë pranvere.

Nëpër ushtarë

Ata kalojnë përreth ushtarëve të veshur me uniforma e me armatim deri në dhëmbë. Ushtarët po bëhen gati që të nisen drejt vijave të frontit, një tridhjetë kilometra larg. Të rinjtë po jetojnë vitet më të mira të jetës duke përjetuar luftën që po i rrethon – pa mbrëmje mature, pa ceremoni diplomimi, pa kinema, ndeja e ndeshje sportive.

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar dëmtim të madh të drejtpërdrejtë, duke lënë dhjetëra mijëra të vdekur dhe miliona të tjerë të zhvendosen nga shtëpitë e tyre. Por lufta ka shkaktuar edhe një dëm të madh: përvojat normale të tinejxherëve, si të atyre në Slovyansk, të cilët jetojnë afër zonave të luftës, duke kaluar kohën kot, derisa në qiell fluturojnë raketat.

Image
Një çift në një park në Slovyansk

“Do të doja të kisha jetë normale”, ka thënë 16-vjeçari Mykyta.

Ditët e tij janë tkurrur në shëtitje me miqtë dhe me video-lojëra në dhomën e gjumit. “E kemi studiuar krejt këtë qytet, e njohim çdo kënd”, ka theksuar Mykyta. “Më nuk ka kurrfarë qejfi”.

Gjatë një shëtitje rreth e qark qyteti në një pasdite të ditëve të fundit, një grup tinejxherësh thonë se mezi po i përballin vështirësitë e luftës. Por në këto ditë të vështira po bëjnë edhe shaka me gjithçka po i rrethon. E tallin edhe njëri-tjetrin. Ata kanë pranuar të identifikohen vetëm me emra për shkak të moshës.

Slovyansku, qytet i vogël që ishte udhëkryq i zonave të pushtuara të forcave pro-ruse më 2014, është prekur prej pushtimit të vitit të kaluar.

Vijat e frontit janë afruar dhe sulmet me artileri po e godasin edhe qytetin. Shihet si cak i radhës nëse Rusia ia del ta pushtojë Bakhmutin, që është qytet fqinj në lindje.

Nëpër shpërthime

Dhe megjithëse tinejxherët vazhdojnë të përballen me rrezik të përhershëm, prindërit e tyre vazhdojnë të dalin në punë dhe po refuzojnë të largohen nga shtëpitë dhe të jetojnë si refugjatë. Dita e fundit kur kanë shkuar në shkollë ishte 23 shkurti 2022, një ditë para se Rusia ta pushtonte Ukrainën. Autoritetet anuluan krejt aktivitetet e organizuara për të rinjtë pasi që një raketë ra në vendin ku po mbahej ndeja.

Rusia e bombardon Slovyanskun së paku një herë në javë, me gjasë që ta shënjestrojë kazermën ushtarake. Rregullisht raportohet për një ose dy persona të vrarë, megjithëse muajin e kaluar një raketë la të vdekur 11 persona në gjumë.

Kur jehona e shpërthimeve dëgjohet në rrugë, tinejxherët bien përtokë për shkaqe sigurie.

“Vetëm mos na qëllo ne!” – tallen pastaj ata me duart e tyre në kokë, ka treguar Kristina 15 vjeçe. “Është më lehtë të kalohet në këtë mënyrë”, tregon ajo, por “përnjëmend është e frikshme”.

“Shtrihemi përtokë dhe pastaj qeshim”, ka thënë Daniil, një 16-vjeçar që është pjesë e grupit. “Duhet të tregohemi pozitivë”.

Kur dëgjohen shpërthime të fuqishme, Daniil thotë se vrapon duke qeshur rrugëve të qytetit. “Po ecim nëpër shpërthime. Ja, kështu e kemi jetën. Kjo është jeta jonë tipike”.

Në sheshin qendror të qytetit mblidhen të rinjtë që kalojnë disa çaste sa për ta humbur kohën. Pastaj ndahet secili rrugës së shtëpisë së vet.

Përktheu: Rexhep Maloku