Ndërsa konflikti në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re të përshkallëzimit, diskutimet për dërgimin e trupave perëndimore dhe kompanive private të mbrojtjes në Ukrainë janë ringjallur, ka mësuar Le Monde nga burime.
Këto janë diskutime të ndjeshme, shumica e të cilave janë të klasifikuara dhe që kanë rifilluar në frikën e një tërheqjeje të mundshme amerikane të mbështetjes për Kievin sapo Donald Trumpi të marrë detyrën më 20 janar 2025.
Debati për dërgimin e trupave në Ukrainë, të cilin presidenti francez Emmanuel Macron e nisi në një takim midis aleatëve të Kievit në Paris në shkurt, u kundërshtua ashpër nga disa vende evropiane, të udhëhequra nga Gjermania.
Megjithatë, ajo u rinis javët e fundit falë vizitës në Francë të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për përkujtimet e 11 nëntorit.
"Diskutimet janë duke u zhvilluar midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës për bashkëpunimin në mbrojtje, veçanërisht me synimin për të krijuar një bërthamë të fortë aleatësh në Evropë, të fokusuar në Ukrainë dhe sigurinë më të gjerë evropiane", ka thënë një burim ushtarak britanik për Le Monde.
Këto komente janë në përputhje me ato të bëra nga ministri i jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, gjatë një vizite në Londër më 22 nëntor.
Në një intervistë për BBC më 23 nëntor, ai u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që "të mos vendosin dhe shprehin linja të kuqe" në mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Kur është pyetur për mundësinë e dërgimit të trupave franceze në terren, ai ka deklaruar.
“Nuk hedhim poshtë asnjë opsion", ka deklaruar ai.
Ministria franceze e Forcave të Armatosura dhe Pallati Elysee nuk i kanë dhënë ende dritën jeshile dislokimit të trupave konvencionale apo kontraktorëve privatë. Por prej disa muajsh, propozime të tilla janë qartazi në tavolinë. Një nga këto ka të bëjë me Défense Conseil International (DCI), operatori kryesor i Ministrisë së Forcave të Armatosura për monitorimin e kontratave franceze të eksportit të armëve dhe transferimin e njohurive ushtarake përkatëse. DCI është 55% në pronësi të shtetit francez.