Hapja e katedrales ndodh në një kohë kur Franca po futet në periudhë pasigurie politike pas rrëzimit të kryeministrit Michel Barnier të mërkurën. Macroni, që është nën presion të madh, ende s’ka përmendur emrin e ri, ndërsa ka refuzuar të japë dorëheqje si president. Macroni ka shfrytëzuar rastin për ta ftuar presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, në udhëtimin e tij të parë që nga fitorja e gjatë ditës ka organizuar takim të tij me presidentin ukrainas
Katedralja e “Notre Dame-it” në Paris është hapur zyrtarisht pesë vjet pas zjarrit që e kaploi, e i cili e shkatërroi pothuajse tërësisht ndërtesën 861-vjeçare.
Restaurimi po shihet si triumf për presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili e ka shtyrë përpara projektin, pavarësisht krizave të brendshme politike. Në një analizë të BBC-së, është thënë se Macroni e ka shfrytëzuar rihapjen e ikonës parisienë për të këndellur edhe figurën e tij politike. Ngjarja ndodhi në një kohë kur Franca hyn në periudhë pasigurie politike pas rrëzimit të kryeministrit Michel Barnier të mërkurën. Macroni ende s’ka përmendur emrin e ri, ndërsa ka refuzuar të japë dorëheqje si president.
Në ceremoninë e hapjes, presidenti francez ka shprehur “mirënjohjen e popullit francez” për restaurimin e katedrales, duke thënë se ne “e kemi rizbuluar se çfarë mund të bëjnë kombet e mëdha: arrijnë të pamundurën”.
“Ne duhet ta vlerësojmë këtë mësim të brishtësisë, përulësisë dhe vullnetit dhe kurrë nuk duhet të harrojmë se sa vlen secili person dhe se madhështia e kësaj katedraleje është e pandashme me punën e të gjithë juve”, ka thënë ai.
Ceremonia ka mbledhur në Paris liderët botërorë, të ftuar dhe besimtarë, dhe tubimi u pa si moment i rrallë i unitetit, në kohën kur bota po përballet me ndarje dhe konflikte.
Fillimisht, ceremonia ishte paraparë të mbahej në oborrin e Katedrales, por për shkak të erërave të fuqishme që janë paraparë për të shtunën, autoritetet kanë vendosur që e gjithë ceremonia të mbahet brenda “Notre Dame”.
E gjatë ditës së ceremonisë, në Pallatin Elysee, Macroni ka mirëpritur presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe homologun ukrainas, Vlodymyr Zelensky, përpara se të shkonin në ceremoninë e rihapjes së katedrales.
Pak para ngjarjes së të shtunës, Macroni përkujtoi pak nga fatkeqësia që kishte trazuar vendin.
“Planeti u trondit atë ditë. Dua të besoj që rihapja do jetë një tronditje po aq e fortë sa ajo e zjarrit, por kësaj radhe, tronditje shprese”, ka theksuar presidenti francez.
Duke folur për mediat, Trump ka thënë se me Macronin kishin sukses të madh sa patën bashkëpunuar gjatë mandatit të parë të republikanit në Shtëpinë e Bardhë. Udhëtimi në Francë shënon kthimin e Trumpit në skenën botërore, por tashmë duke u përgatitur për të trajtuar një mori krizash ndërkombëtare. Trumpi në nisje të takimit u ka thënë gazetarëve se “duket se bota është pak e çmendur tani për tani dhe ne do të flasim për këtë”.
Ndërkohë, pas takimit, presidenti i Ukrainës e ka falënderuar Trumpin për vendosmërinë dhe Macronin për organizimin e takimit. Temat kryesore ishin përfundimi i drejtë i luftës, gjendja në terren dhe arritja e paqes. Sipas Zelenskyt, liderët kanë rënë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin dhe komunikimin.
“Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe Franca. Së bashku në këtë ditë historike. Të mbledhur për “Notre Dame”. Le të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për paqe dhe siguri”, ka shkruar Macron në X pas takimit.
Përpos Trumpit e Zelenskyt, në ceremoninë hapëse të katedrales kanë marrë marrin pjesë edhe figura të tjera ndërkombëtare sikurse, princi William e Jill Biden. Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte në ceremoni, si e ftuar në këtë ngjarje. Në ceremoni ishin të ftuar 1500 persona. Ceremonia u udhëhoq nga kryepeshkopi Laurent Ulrich.
Pesë vjet e gjysmë pas zjarrit shkatërrues, Macron kishte planifikuar ta bënte rihapjen e katedrales më 2024 - vit i shënuar gjithashtu nga Lojërat Olimpike të Parisit.
Ceremonia shënon edhe momentin që Kisha Katolike rimerr në zotërim katedralen, përpara meshës së parë që do të kremtohet të dielën.
Nga personalitetet që nuk ka marrë pjesë është Papa Françesku, megjithëse ai ka dërguar një mesazh.
Raportohet se ai është i pakënaqur nga politikat franceze për ta ulur imigracionin dhe nga vendimi i Macronit për të vendosur të drejtën e abortit në kushtetutë.
Për udhëheqësin e katedrales, Olivier Ribadeau Dumas, ajo është “më shumë sesa një monument franceze” dhe është trashëgimi e kulturës botërore.
“Katedralja është një simbol i jashtëzakonshëm i unitetit. Një shenjë e shpresës, sepse ajo që dukej e pamundur është bërë e mundur”, ka thënë ai.
Ngjarjet e së shtunës janë një përzierje e traditave solemne fetare me ato kulturore.
Në mbrëmje, ndërkaq ka pasur koncert brenda katedrales për të nderuar ata që punuan në rindërtimin e saj.
Pothuajse 170 peshkopë nga Franca dhe të huaj, së bashku me priftërinj nga 133 famullitë e dioqezës së Parisit kanë marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes.
Rihapja e “Notre Dame-it” ndodh në kohën kur bota po përballet me trazira, me luftëra në Ukrainë e Lindje të Mesme. Për të krishterët dhe për udhëheqësit e “Notre Dame-it”, ceremonia e rihapjes përçon simbolin e unitetit dhe shpresës.
Siguria do të jetë e madhe gjatë gjithë fundjavës, ashtu siç ishte në Paris kur u mbajtën Lojërat Olimpike më herët gjatë këtij viti.
Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin e Senës, që është shtëpi e “Notre Dame-it” – është mbyllur për turistët dhe për personat jorezident dhe qasje në të kanë vetëm të ftuarit dhe banorët e ishullit.
Për shumë njerëz, rihapja e “Notre Dame-it” nuk është vetëm një arritje e Francës, por e botës, teksa katedralja pritet të mirëpresë 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë sa kishte pritur para zjarrit të madh.
Pas zjarrit të vitit 2019, shumë shpejt u mblodhën pothuajse 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota, duke dëshmuar se “Notre Dame” është monument që tërheq vëmendjen e gjithë botës.