Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shihen nga Rusia si vende të mundshme për një samit midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, kanë thënë për Reuters dy burime me njohuri për diskutimet.
Trumpi ka thënë se do t'i japë fund luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur dhe është shprehur i gatshëm për t’u takuar me Putinin.
Putini nga ana tjetër e ka uruar Trumpin për zgjedhjen e tij dhe ka shprehur po ashtu gatishmëri për t’u takuar me Trumpin për të diskutuar mbi Ukrainën dhe energjinë.
Zyrtarët rusë kanë mohuar në mënyrë të përsëritur çdo kontakt të drejtpërdrejtë me SHBA-në në lidhje me përgatitjet për një telefonatë midis Trumpit dhe Putinit, e cila do t'i paraprijë një takimi eventual më vonë këtë vit.
Megjithatë, zyrtarë të lartë rusë kanë vizituar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në javët e fundit, sipas burimeve ruse, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Një burim ka thënë se ka kundërshtim ndaj idesë në Rusi, pasi disa diplomatë dhe zyrtarë të inteligjencës po flasin për lidhjet e ngushta ushtarake dhe të sigurisë që Mbretëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë me Shtetet e Bashkuara.
Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Kremlini po ashtu nuk ka pranuar të komentojë. Por si Trumpi ashtu edhe Putini kanë zhvilluar marrëdhënie miqësore me sundimtarët e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trumpi ka deklaruar të dielën se administrata e tij ka “takime dhe bisedime të planifikuara me palë të ndryshme, duke përfshirë Ukrainën dhe Rusinë”.
Princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman ishte kreu i parë i shtetit të huaj i thirrur nga Trumpi pas marrjes së detyrës. Ai e ka përshkruar Princin e Kurorës si "një djalë fantastik" gjatë një videofjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos këtë muaj.
Putini, i cili ka vizituar Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2023, ka thënë shtatorin e kaluar se ai ishte mirënjohës ndaj Mohammed bin Salman për ndihmën në organizimin e shkëmbimit më të madh të të burgosurve SHBA-Rusi që nga Lufta e Ftohtë.