Botë

Retorikë e ashpër ndërmjet Izraelit e Hezbollahut, SHBA-ja përpiqet ta parandalojë luftën

Sulmet ndërkufitare Izrael-Liban

Sulmet ndërkufitare Izrael-Liban

Foto: Associated Press

SHBA-ja po përpiqet të parandalojë ndezjen e një lufte tjetër në Lindjes e Mesme, pas retorikës së ashpër ndërmjet Izraelit e lëvizjes Hezbollah të Libanit. Ministri i Jashtëm izraelit ka paralajmëruar se një vendim për një luftë gjithëpërfshirëse do të merret së shpejti nga ana e tyre, derisa sulmet ndërkufitare përgjatë kufirit jugor të Libanit nuk janë ndalur që kur ka nisur lufta në Gaza.

Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, të martën ka paralajmëruar se së shpejti do të marrin një vendim për luftë gjithëpërfshirëse me Hezbollahun. Kjo deklaratë është bërë përkundër që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të shmangin shpërthimin e një lufte midis Izraelit dhe lëvizjes Hezbollah të Libanit.

I dërguari i SHBA-së, Amos Hochstein, u dërgua në Liban për të provuar të qetësojë tensionet, pas një rritjeje të sulmeve ndërkufitare përgjatë kufirit jugor të Libanit, derisa Hezbollahu ka lënë të kuptohet se mund të sulmojë Haifën, qytetin e tretë më të madh të Izraelit. 

Hezbollahu i mbështetur nga Irani, ka shkëmbyer sulme me Izraelin për tetë muajt e fundit paralelisht me luftën në Gaza. Javën e kaluar, grupi hodhi një numër të madh të raketave dhe dronëve, pasi një sulm izraelit vrau komandantin më të lartë të tyre deri më tani. Një zëdhënës izraelit ka thënë se Izraeli të martën shënjestroi një njësi ajrore të Hezbollahut në serinë e fundit të sulmeve.

Hezbollahu thotë se nuk do t’i ndalojë sulmet e tij nëse nuk ka një armëpushim në Rripin e Gazës.

Hochstein, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se ai ishte dërguar në Liban menjëherë pas një udhëtimi të shkurtër në Izrael, sepse situata siç thuhej, ishte serioze.

"Ne kemi parë një përshkallëzim gjatë javëve të fundit. Dhe ajo që presidenti Biden dëshiron të bëjë është të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm drejt një lufte më të madhe”, ka thënë Hochstein të martën.

Ai ishte takuar me kreun e ushtrisë libaneze më herët të martën dhe ka folur me gazetarët pas një takimi me kryetarin e parlamentit Nabih Berri, i cili kryeson lëvizjen e armatosur Amal, e cila është aleate e Hezbollahut dhe që gjithashtu ka gjuajtur raketa në Izrael.

SHBA-ja dhe Franca janë të angazhuara për të siguruar një fund të negociuar të armiqësive përgjatë kufirit të Libanit.

Ndërkaq, Hezbollahu ka publikuar një video 9-minutëshe duke thënë se janë pamjet e mbledhura nga aeroplanët e saj të vëzhgimit të vendndodhjeve në Izrael, duke përfshirë qytetin detar dhe portet ajrore të Haifës. Haifa është 27 kilometra nga kufiri libanez.

Kryediplomati izraelit Katz ka deklaruar në një postim në X se në vazhdën e kërcënimeve nga Sayyed Hassan Nasrallah, kreu i grupit, për të dëmtuar portet e Haifas ata “janë shumë afër momentit të vendosjes për ndryshimin e rregullave të ndeshjes kundër Hezbollahut dhe Libanit”.

“Në një luftë gjithëpërfshirëse, Hezbollahu do të shkatërrohet dhe Libani do të goditet rëndë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij edhe Izraelit do të paguante një çmim të rëndë, por vendi ishte i bashkuar rreth asaj se duhet të rivendosë sigurinë për banorët e veriut.

Kryebashkiaku i Haifës, Yona Yahav, ka thënë se video e Hezbollahut ishte "terror psikologjik për banorët e Haifës dhe të veriut".

E zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, ka thënë se sulmi i 7 tetorit i Hamasit në Izrael nuk do të lejohet të përsëritet askund tjetër brenda shtetit.

"7 tetori nuk mund të ndodhë më askund në Izrael apo në asnjë nga kufijtë e Izraelit”, ka thënë Mencer.

Ai ka shtuar se Izraeli "po pengonte ngritjen ushtarake të Hezbollahut dhe grumbullimin e armëve nga anëtarët e tij për terror kundër izraelitëve".

Hezbollahu filloi sulmet mbi Izraelin më 8 tetor, një ditë pasi aleati i tij palestinez, Hamasi sulmoi Izraelin jugor, duke ndezur luftën në Gaza. Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga të dyja anët e kufirit.