Partia Republikane po i afrohet edhe më shumë kontrollit të përgjithshëm të Kongresit Amerikan, pasi ka siguruar tashmë një shumicë në Senat dhe ka nevojë për më pak se pesë vende për të marrë Dhomën e Përfaqësuesve.
Një parti ka nevojë për 218 vende për të fituar një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ajo e presidentit të zgjedhur Donald Trump ka 214, sipas të dhënave të fundit, krahasuar me 205 të demokratëve, raporton BBC.
Që nga fitorja e zgjedhjeve presidenciale javën e kaluar, të gjithë sytë kanë qenë te Trumpi për të parë se kë do të emërojë për të shërbyer në administratën e tij.
Deri më tani, rolet i janë dhënë kongresmenes së New Yorkut, Elise Stefanik, si ambasadorja e re e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, dhe Tom Homan, për të cilin Trumpi ka thënë se do të shërbejë si "cari i tij kufitar".
Qeveria amerikane përbëhet nga tri degë: Senati, Shtëpia e Bardhë – të dyja këto i ka fituar tashmë Trumpi dhe partia e tij, dhe Dhoma e Përfaqësuesve.
Republikanët pritet të mbajnë të paktën 52 vende në Senatin prej 100 anëtarësh, pasi morën tri të mbajtura më parë nga demokratët në Virxhinia Perëndimore, Ohio dhe Montana.
Kontrolli i Dhomës i jep një partie fuqinë për të inicuar legjislacionin mbi shpenzimet dhe për të nisur procedurat e shkarkimit të zyrtarëve.
Udhëheqja e të dyja dhomave do të nënkuptonte se shumica e agjendës së Trumpit do të kishte më shumë gjasa për të fituar miratimin e Kongresit sesa nëse demokratët do të kontrollonin njërën prej tyre.
Trumpi bëri shumë premtime gjatë fushatës, ndër të tjera, për "t’i dhënë fund inflacionit", për të ulur taksat dhe për të dëbuar emigrantët që ndodhen ilegalisht në SHBA.