Gaza

Reporterët palestinezë – sytë dhe veshët e botës

Shefi i zyrës së Al Jazeera në Gaza, Wael Al-Dahdouh

Shefi i zyrës së Al Jazeera në Gaza, Wael Al-Dahdouh (në mes) përqafon vajzën e tij gjatë funeralit të djalit të tij, Hamza Al-Dahdouh, reporter që u vra nga një sulm izraelit në jug të Gazës

Kur Izraeli ka nisur ofensivën në Gaza, pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, shumë gazetarë vendorë kanë qëndruar, duke e rrezikuar jetën për t’i treguar historitë e njerëzve. Të bllokuar në rrip me banorët e Gazës, reporterët palestinezë janë bërë për botën sytë dhe veshët e atyre që vuajnë nga lufta

“Kushdo që rri deri në fund, do ta tregojë historinë. Ne kemi bërë çfarë kemi mundur. Na kujtoni”.

Mahmoud Abu Nujaila i ka shkruar këto fjalë lamtumire në një tabelë të bardhë në spitalin Al-Awda, në Jabalya, më 20 tetor, sipas organizatës së pavarur “Mjekët pa Kufij”.

Kur Izraeli nisi ofensivën në Gaza pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, shumë gazetarë vendorë qëndruan - duke e rrezikuar jetën për t’i treguar historitë e njerëzve. Pas më shumë se 200 ditësh luftime, bombardimet e Izraelit i kanë kthyer lagjet në rrënoja. Familjet janë ndarë nga vdekjet ose zhvendosjet e detyruara; teksa i prek edhe kërcënimi nga uria. Në të njëjtën kohë, 129 nga më shumë se 250 pengje të marra nga Hamasi janë brenda territorit e 34 prej tyre mendohet se kanë vdekur.

Të bllokuar në rrip me banorët e Gazës, reporterët palestinezë janë bërë sytë dhe veshët e atyre që vuajnë nga lufta. Dhe me pamundësinë e qasjes së mediave të huaja në territor, janë fotografitë, pamjet dhe raportimet e tyre, shpesh të mbledhura në rrezik, ato që i treguan botës se çfarë është duke ndodhur. 

Të paktën 97 gazetarë dhe punonjës të mediave janë vrarë që nga tetori – 92 nga ta ishin palestinezë – sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ). Kjo ka shënuar periudhën më vdekjeprurëse për gazetarët që nga 1992-a, kur CPJ-a ka filluar t’i mbledhë të dhënat. Gazetarët palestinezë kanë treguar se janë të përhumbur nga vdekjet e kolegëve të tyre, teksa balancojnë ngarkesën emocionale të raportimit të luftës me përpjekjet për t’i mbrojtur familjet.

Reporterët e zhvendosur, që punojnë në tenda, janë të ekspozuar ndaj sulmeve izraelite. Disa thonë se janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pa pajisje ose mekanizma të mbrojtjes, e në vend të këtyre varen në telefona për t’i treguar botës se çfarë është duke ndodhur. Të tjerët duhet të udhëtojnë në vende të larta për t’i ngarkuar pamjet, në përpjekjet për t’i anashkaluar ndërprerjet e energjisë dhe problemet e komunikimit.

Pamjet e shefit të zyrës së Al-Jazeeras në Gaza, Wael Al-Dahdouh, teksa dridhej nga pikëllimi pas vrasjes së 12 anëtarëve të familjes nga një sulm izraelit në qendër të Gazës tetorin e kaluar, u bënë simbolikë e problemeve të gazetarëve atje.

“Ne jemi duke e raportuar luftën në Gaza, sepse është detyra jonë si gazetarë. Na është besuar neve”, ka thënë Mariam Abu Dagga, 31-vjeçare, fotoreportere për “Independent Arabic”, e zhvendosur në Rafah. “Kemi sfiduar pushtimin izraelit. Kemi sfiduar situatat e vështira dhe realitetin e luftës, luftë gjenocidi”.

Agjencitë e të drejtave të njeriut kanë bërë vazhdimisht thirrje për mbrojtjen e gazetarëve në vend. Në shkurt, ekspertët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se “sulmet e shënjestruara dhe vrasjet e gazetarëve janë krime lufte”.

Duke publikuar Indeksin vjetor të Lirisë së Shtypit të Premten për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Reporterët pa Kufij kanë paralajmëruar se viti i fundit ka shënjuar “mungesë të qartë të vullnetit politik për t’i forcuar principet e mbrojtjes së gazetarëve”. Lufta në Gaza ka sjellë “numër rekord të shkeljeve ndaj gazetarëve dhe mediave” që nga tetori. Territoret palestineze janë rajoni më vdekjeprurës për gazetarët. Palestina qëndron e 157-ta nga 180 shtete në listë.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nuk u janë përgjigjur pyetjeve sa u përket pretendimeve nga disa gazetarë rreth kërcënimeve të sigurisë së tyre në Gaza. IDF-i ka lëshuar një deklaratë që është përdorur shpesh prej tyre gjatë luftës në Gaza.

“Si përgjigje ndaj sulmeve barbare të Hamasit, IDF-i është duke operuar për ta çmontuar ushtrinë dhe aftësitë administrative të Hamasit”, thuhet në deklaratë. “Ndryshe nga sulmi i Hamasit mbi burrat, gratë dhe fëmijët izraelitë, IDF-i ndjek të drejtën ndërkombëtare dhe ndërmerr hapa të kujdesshëm për t’i minimizuar dëmet ndaj civilëve, përfshirë edhe ndaj gazetarëve. IDF-i kurrë nuk i ka shënjestruar dhe nuk do t’i shënjestrojë gazetarët”.

Megjithatë, në këtë deklaratë thuhet se “qëndrimi në zonën aktive të përleshjeve ka rreziqet e veta”. “IDF-i do të vazhdojë t’u kundërpërgjigjet kërcënimeve ndërsa përpiqet t’i zvogëlojë dëmet mbi civilë”, thuhet më tej aty.

Izraeli ka nisur ofensivën në Gaza më 7 tetor, pasi militantët e Hamasit vranë gati 1.200 njerëz dhe rrëmbyen më shumë se 250 të tjerë nga territori izraelit. Që atëherë, ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 34.000 palestinezë dhe ka lënduar më shumë se 77.800 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Prej tyre dy e treta janë gra dhe fëmijë. 

“Sa herë që një gazetar shënjestrohet, ne pyesim veten kush do e ketë radhën nesër”, ka thënë Abu Dagga. “Ne nuk kemi mbrojtje e as siguri”.

“Lufta është e vetmja gjë që më ndau nga djali”

Që nga tetori, Abu Dagga ka kaluar çdo ditë në Gaza duke menduar nëse do të jetë dita e saj e fundit. Prapëseprapë, ajo nuk largohet, edhe pse e ka dërguar djalin e saj 12-vjeçar te babai në Emiratet e Bashkuara Arabe. “Lufta është e vetmja gjë që më ka ndarë nga djali”, ka thënë ajo.

Abu Dagga ka thënë se e ka larguar për sigurinë e tij, pasi ka dokumentuar vdekjet e fëmijëve nga bombardimet izraelite. Deri më tash sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 14.000 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Punonjësit palestinezë të mediave janë dritare kritike në territorin e shkatërruar nga ofensiva izraelite. Pak nga gazetarët e huaj që janë lejuar të futen në enklavë, kryesisht janë shoqëruar nga IDF-ja dhe ndoshta u është dashur t’ia dërgojnë pamjet ushtrisë për shqyrtime të sigurisë. Si Izraeli ashtu edhe Egjipti, që kontrollojnë kufijtë e Gazës, kanë refuzuar qasjen gazetarëve ndërkombëtarë, duke thënë se nuk e garantojnë sigurinë e tyre.

Njerëzit mbajnë trupat e gazetarëve palestinezë Mohammed Soboh dhe Saeed Al-Taweel, të vrarë nga një raketë izraelite që goditi një ndërtesë ndërsa ata po raportonin, në qytetin e Gazës.

Abu Dagga ka thënë se prindërit e saj në Gazën veriore shqetësohen për jetën e saj kur niset për punë, pasi kanë marrë vesh për humbjen e shumë kolegëve të saj në luftë.

Të tjerët janë evakuuar, duke iu dashur të përballen me dhimbjen e lënies pas të të afërmve, teksa punojnë për ta treguar historinë e Gazës.

Pas gati shtatë muajsh lufte, Abu Dagga ka thënë se ajo, gjithashtu, dëshiron të largohet. “Nuk ka vend për ne për të jetuar”, ka thënë ajo. “Ne jemi subjekt i bombardimeve të njëpasnjëshme dhe akoma jemi duke u shënjestruar”.

Mt: Pak kohë për t’u pikëlluar

Sikurse Abu Dagga, fotoreporteri vendor Mohammad Ahmed shkel në shtegun e ngushtë mes jetës dhe vdekjes.

Një predhë i ka shpuar këmbën pas një sulmi izraelit në një ndërtesë në Jabalya, në Gazën veriore, më 17 dhjetor, ka treguar ai.  

Fotoreporteri i transmetuesit turk TRT ka thënë se ka qenë duke udhëtuar përgjatë rrugëve të lagjes, pasi ishte larguar nga kampi vendor i refugjatëve. Brezi i mbrojtjes e ka shpëtuar nga goditja në stomak, ka thënë ai. Por doktorët nuk kanë qenë në gjendje t’ia heqin pjesën e predhës nga kofsha e djathtë.

“Kam filluar të bërtisja se isha plagosur. Askush nuk ka qenë ka mundur të më dëgjonte”, ka thënë Ahmedi. “Pashë njerëz të shtrirë në rrugë... pjesë të trupave të vdekur të shpërndara rrotull”.

Babai i tre fëmijëve ka thënë se është prekur nga dokumentimi i ngjarjeve të luftës, qoftë nga fëmijët që kërkonin ndihmë nën rrënoja ose turmat e palestinezëve nëpër spitale pas sulmeve izraelite. Ndonjëherë, ka thënë ai, duhet ta ndalojë filmimin dhe të shfryhet.

“Edhe unë jam njeri”, ka thënë Ahmedi. “Ndaloja filmimet dhe gjeja ndonjë vend të zbrazët për të qarë... Këto skena na prekin shumë, sepse janë njerëzit tanë, dhe janë njerëz, dhe janë sikur fëmijët tanë”.

Ai akoma nuk e ka takuar djalin e tij 2 muajsh, Adnan. Gruaja, atëherë shtatzënë, dhe dy vajzat e tij janë larguar për në Rafah, e pastaj Egjipt në nëntor. Prindërit dhe të afërmit janë zhvendosur përgjatë rripit. Por nuk ka kohë për t’u pikëlluar për humbjet.

“Për shkak të natyrës së punës sime, e dija se nuk do të isha afër familjes gjatë luftës... Isha i sigurt që lufta do të ishte kaq e madhe”, ka thënë ai.

Dhënia e lamtumirës 

Për të tjerët, rreziku i humbjes së familjes nuk u ka lënë zgjidhje tjetër përpos largimit nga Gaza.

Ibrahim Dahmani dhe familja e tij ishin zhvendosur disa herë, teksa bombardimet shtoheshin rreth shtëpisë në Sheikh Radwan, në Gazën veriore. Producenti i CNN-it ka vozitur dëshpërimisht për në jug, me gruan e tij shtatzënë, Rasha, dhe dy fëmijët – Zeid, 11-vjeçar dhe Khalil, 7-vjeçar – nën jehonën e sulmeve ajrore izraelite.

“Kjo ishte pengesë e madhe për mua”, ka thënë Dahmani 36-vjeçar.

Në nëntor, ai dhe familja e tij janë evakuuar në Kajro të Egjiptit. “Kur dëgjojmë zhurmën e avionëve në Kajro, na zë paniku”, ka thënë ai. “Isha detyruar t’i mbroja fëmijët dhe gruan. Na u desh t’i linim familjarët në Gaza, ku janë duke vuajtur çdo ditë”.

Teksa Dahmani vazhdon ta dokumentojë luftën për CNN-in, më shumë se 40 të afërm nga ana e nënës dhe babait janë vrarë nga sulmet izraelite. Apartamenti i tij në Sheikh Radwan është rrënuar – duke zhdukur kujtimet e çmuara, si fotografitë e gjyshërve dhe dhuratat nga miqtë. 

“Çka më motivon ta raportoj luftën në Gaza është se jam lindur atje. Jam djalë i Gazës. Kam jetuar atje, kam studiuar dhe kam punuar për vite”, ka thënë ai.

“Humbjet e pashmangshme”

Gazetarët e mbijetuar kanë thënë se janë të vendosur ta nderojnë trashëgiminë e kolegëve të tyre të vrarë. Kryeredaktori i faqes së lajmeve Al-Khamsa, Saeed Al-Taweel, ishte vrarë nga një sulm ajror izraelit më 10 tetor, në perëndim të qytetit të Gazës, sipas Agjencisë së lajmeve “Wafa”. Kolegu që ishte strehuar me Al-Taweel natën që ishte vrarë, Alaa Abu Mohsen, ka thënë se Al-Taweeli kishte shkuar për ta filmuar kullën Hajja në Gaza, kur ajo ishte goditur nga sulmi.

“Kur e gjeta Saeedin, ishte i shtrirë në udhëkryqin që të çon në Hajja... Pas asaj, kam transferuar trupin te familja e tij në Rafah”, ka thënë Mohseni.

Al-Taweeli ishte i njohur në mesin e palestinezëve për emisionin e mëngjesit “Akhabr ’Arrei” (Lajmet në bark të thatë), sipas Saba Al-Jaafrawi, shoqe e ngushtë dhe gazetare. Ajo e ka përshkruar si “të ndershëm dhe bujar, që mori iniciativën për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë”.

“Shkonim në punë herët në mëngjes dhe dëgjonim njerëzit duke folur për emisionin e tij... Thoshin ‘Saeedi ka shkruar’ dhe ‘Saedi ka thënë’”, ka thënë Al-Jaafrawi. “Humbja e Saeedit ka qenë humbje e madhe si në aspektin gazetaresk, ashtu edhe në atë shoqëror”.

Fati i së paku dy gazetarëve të tjerë palestinezë mbetet i panjohur, sipas CPJ-së.

Nga Nidal al-Wahidi, fotoreporter 31-vjeçar, nuk është dëgjuar më që nga arrestimi prej forcave izraelite së bashku me fotoreporterin 25-vjeçar, Haitham Abdelwahed, teksa raportonin rreth sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, sipas Amnesty International dhe kushëririt të tij. Autoritetet izraelite kanë refuzuar të tregojnë për vendndodhjen e tyre ose arsyen e arrestimit. 

Al-Wahidi kishte shkuar në pikën kufitare Erez/Beit Hanoun për t’i filmuar sulmet, ka thënë Amnesty International.

Kushëriri i Al-Wahidit, Fadi Wael Abdel Karim Al-Wahidi, që është gazetar në Gaza, ka thënë se familja e ka identifikuar Nidalin përmes fotove të publikuara nga IDF-ja të të arrestuarve më 7 tetor. 

“Kështu që, shkuam te Kryqi i Kuq dhe u thamë: ‘Ky është Nidali dhe familja e ka identifikuar atë”, ka thënë Fadi. Sipas tij, Kryqi i Kuq ka thënë se IDF-ja nuk ka dhënë informacione për të arrestuarit.

Fadi, 24-vjeçar, e ka përshkruar Nidalin si “figurë familjare” që ishte “shumë i sjellshëm”. Ishte i dedikuar në punën që bënte dhe e ka ditur “kohën për të qeshur dhe kohën për të punuar”.

Fadi ka një mesazh për kushëririn e tij. “Betohem në Zot, se na mungon. Na mungon aq shumë. Jo vetëm unë, por e tërë familja shpreson se Nidali do të kthehet. Shpresojmë se Zoti do na e rikthejë të sigurt”.

Pa marrë parasysh nëse raportojnë nga brenda ose jashtë enklavës, gazetarët palestinezë kanë thënë se nuk mund t’ia kthenin shpinën terrorit në Gaza.

Në vend të kësaj, ata veprojnë si Nujaila, doktori në spitalin Al-Awda – tregojnë historinë e palestinezëve të rrethuar në territor, që të mos harrohen kurrë.