Përpjekjet e Serbisë për demokraci filluan të tkurreshin me rënien e komunizmit në fund të viteve ’80 dhe luftërave që pasuan ndarjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë. Luftënxitja nga i forti Slobodan Milosheviq në vitet ’90 e ktheu Serbinë në pari ndërkombëtare, teksa NATO-ja bombardonte shtetin në vitin 1999 për të ndalur luftën në provincën e shkëputur të Kosovës.
Kur Serbia nisi bisedimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2014, serbët properëndimorë shpresonin se procesi do ta vendoste shtetin e tyre problematik në rrugën e pakthyeshme drejt demokratizimit.
Një dekadë më vonë, ky optimizëm është zhdukur. Është zëvendësuar me ndjenjën e tradhtisë – nga qeveria serbe, e cila ka rrëshqitur drejt autokracisë, dhe BE-së, që nuk ka bërë shumë për ta ndalur.
Predrag Vostiniq, 48-vjeçar, thotë se u bë aktivist për demokracinë nga - domosdoshmëria – mënyra e tij për t’iu kundërvënë autoritarizmit në rritje, korrupsionit qeveritar dhe krimit të organizuar që ka mbërthyer shtetin ballkanik.
Që prej muajit maj, lëvizja që ai e ka nisur në Kralevë, u është bashkuar protestave kundër qeverisë së presidentit Aleksandar Vuçiq, duke u bërë pjesë e lëvizjes më të gjerë.
Ai dhe anëtarët e tjerë të lëvizjes përballen me kërcënime në rrugë dhe në rrjetet sociale. Kundërshtarët e tjerë të qeverisë, në Kralevë dhe qytete të tjera serbe, janë lënë anash në punë ose janë larguar nga puna, sidomos nga kompanitë e menaxhuara nga shteti, thotë Vostiniq.
Shpresat te BE-ja
Serbët properëndimorë si Vostiniq shpresonin se BE-ja do të vepronte si kundërpeshë, duke tërhequr Serbinë kah shtegu demokratik. Mirëpo në vend të kësaj, Brukseli është tërhequr dhe Serbia ka dalë nga vlerat e BE-së, thotë aktivisti.
“Kjo është një prej arsyeve se përse BE-ja po humb kredibilitetin dhe përse pjesa proevropiane e shoqërisë serbe është në pozicion mbrojtës, sepse nuk ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur”, thotë Vladimir Medjak, zëvendëskryetar i Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ish-anëtar i ekipit negociator për anëtarësim në BE.
Edhe para se Vuçiqi të merrte pushtetin në vitin 2012, Serbia ishte e ngadalshme në kompletimin e reformave që duheshin për të marrë statusin e kandidates për BE, siç janë sundimi i ligjit dhe ekonomia e tregut që duhej integruar me bllokun evropian.
Dhe në vitet e fundit, pasi e shpalli anëtarësimin në BE si qëllim strategjik, ka forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
Përpjekjet e Serbisë për demokraci filluan të tkurreshin me rënien e komunizmit në fund të viteve ’80 dhe luftërave që pasuan ndarjen e dhunshme të ish-Jugosllavisë.
Luftënxitja nga i forti Slobodan Milosheviq në vitet ’90 e ktheu Serbinë në pari ndërkombëtare, teksa NATO-ja bombardonte shtetin në vitin 1999 për të ndalur luftën në provincën e shkëputur të Kosovës.
Milosheviqi u rrëzua nga pushteti në vitin 2000 nga partitë prodemokracisë, të cilat hapur përkraheshin nga Perëndimi, duke i hapur rrugë rintegrimit në komunitetin ndërkombëtar dhe fillimin e reformave demokratike.
“Nuk ishte e mjaftueshme... por ne ende kishim shtetin në të cilin nisën të mblidheshin standardet evropiane”, thotë Dragan Gjilas, ish-kryetar i Beogradit, i cili tani është njëri nga liderët e koalicionit proevropian që është duke sfiduar Partinë Progresive të Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit.
“Ne kishim zgjedhje të lira, kishim mundësinë e ndryshimit [të pushtetit] në zgjedhje... Askush nuk të kërcënonte se mendoja ndryshe dhe askush nuk të bënte shantazh”, thotë ai. “Serbia e ditëve të sotme... nuk do të lejohej të bëhej as kandidate për anëtarësim në BE”.
Përkrahja publike në Serbi për anëtarësim në BE është rreth 40 për qind. Nën këto rrethana, aktivistët prodemokracisë, thonë se kjo përqindje është goxha sukses.
Entuziazmi i BE-së për t’u zgjeruar u zbeh pas vitit 2013, kur fqinja e Serbisë, Kroacia u bë shteti më i ri që anëtarësohet në bllok.
BE-ja ka pranuar 13 shtete të reja që prej vitit 2004, shumica prej tyre nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe kishte nevojë për përkrahje të madhe financiare. Mundësia e pranimit të shteteve të reja që do të shteronin buxhetin e BE-së vështirë pranohej.
Çështja e Kosovës
Pastaj ishte Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Vendimi nuk ishte pranuar nga Beogradi – as nga disa shtete të BE-së që kanë lëvizje separatiste përbrenda, siç është Spanja, ose kanë lidhje të afërta me Serbinë, siç janë Qipro dhe Greqia.
Luftërat e viteve ’90 kishin marrë fund, por kufijtë përfundimtarë të pazgjidhur të Serbisë lanë pikëpyetje të madhe mbi përshtatshmërinë e saj që të bashkohet me BE-në.
BE-ja i kushtoi vëmendje zgjerimit të mëtejshëm me përditësimin e rregullave të anëtarësimit, por reagoi shumë pak pasi Vuçiqi ngadalë mori levat e pushtetit në Serbi.
Gjatë viteve, ai dhe autoritetet që kontrollonte vendosën lojalistë në pozitat kyç të qeverisë, përfshirë ushtrinë dhe shërbimin sekret. Ai vendosi kontroll mbi mediat kryesore derisa nisi shtypjen e disidentëve.
“Problemi është se krejt këto kanë ndodhur para syve të BE-së, thotë Mexhak.
Me luftën në Ukrainë, analistët thonë se BE-ja ka qenë e kujdesshme që të mos dëbonte edhe më shumë Serbinë, edhe atëherë kur Beogradi refuzoi t’u bashkohej sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë punuar ngushtë me Vuçiqin për të arritur marrëveshje në Kosovë, në të cilën tensionet kufitare kanë kërcënuar stabilitetin rajonal.
Pushteti i Vuçiqit
Vuçiqi ka refuzuar kritikat se qeveria e tij ka shkelur liritë demokratike dhe ka lejuar që korrupsioni dhe krimi i organizuar të bëjnë kërdi në Serbi.
Tabloidet proqeveritare dhe mediat e kontrolluara nga shteti, siç është transmetuesi RTS-së, raportojnë pak për opozitën. Dhjetëra grupe për të drejtat e njeriut janë hetuar në lidhje me financat e tyre.
Vuçiqi vazhdimisht i cilëson Xhillasin dhe liderët e tjerë opozitarë si armiq të shtetit dhe “hajna”, që marrin instruksione nga ambasadat perëndimore.
Mediat tradicionale pro-qeverisë nuk i ofrojnë asnjë mundësi opozitës që të reagojë ndaj akuzave të Vuçiqit.
Gjatë luftërave të viteve ’90, Vuçiqi ishte nacionalist ekstrem që përkrahte politikat agresive të Milosheviqit ndaj joserbëve.
Pas rënies së Milosheviqit, Vuçiqi e ambalazhoi veten si proevropian, duke themeluar Partinë Progresive në vitin 2009 dhe duke premtuar se do ta anëtarësonte shtetin në BE. Kurrë nuk i realizoi këto premtime.
Që prej vitit 2014, Serbia ka rënë shumë poshtë në listën ndërkombëtare mbi demokracinë. Reporterët Pa Kufij kanë thënë se gazetarët janë të kërcënuar nga presionet politike, ndërkaq “Transparency International” e vë Serbinë poshtë shteteve të rajonit kur bëhet fjalë për luftimin e korrupsionit.
Në vitet e fundit, partia në pushtet “ka zhbërë të drejtat politike dhe liritë civile, duke vënë presion ndaj mediave të pavarura, opozitarëve politikë dhe organizatave të shoqërisë civile”, thotë grupi monitorues “Freedom House” në raportin e ri.
Ministria serbe për Integrime Evropiane nuk ka pranuar të bëjë intervistë me “Associated Press”, duke përmendur si arsyetim zgjedhjet e së dielës. Edhe zyrtarët e BE-së kanë refuzuar të komentojnë.
Teksa aktivistët vajtojnë bllokadën drejt BE-së, Serbia së fundmi mori një përkrahje të fuqishme nga kryeministrja e krahut të djathtë ekstrem e Italisë, Giorgia Meloni.
Përkrah Vuçiqit, Meloni lavdëroi burrështetësinë e tij, duke thënë se “Evropa nuk është klub që vendos se kush është e kush nuk është evropian”.
Në muajt e fundit, Vuçiqi është përballur me sfidë të re për autoritetin e tij. Në muajin maj, 19 persona, shumica fëmijë, u vranë në dy sulme të njëpasnjëshme në masë. Sulmet tronditën publikun, nxitën protestat ndaj ambientit të frikshëm dhe jotolerancës të nxitur nga elita në pushtet.
Siç ka bërë edhe në të kaluarën, kur e ndiente se po humbte pushtetin, Vuçiqi ka shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale për disa qytete serbe, përfshirë Beogradin.
Si kundërpërgjigje, protestuesit kanë formuar koalicione, duke vënë kandidatë në disa qytete.
Vuçiqi nuk është kandidat kësaj here, por opozita shpreson në fitore për të dëmtuar autoritetin e tij, duke marrë kontrollin e këshillave lokalë.
Aktivisti politik Vostiniq, i cili i përballoi presionit nga partia në pushtet në Kralevë për t’iu prirë protestave, thotë se shoqëria e Serbisë ka marrë drejtimin e gabuar, duke lejuar “njerëzit qëllimkëqij që të marrin pushtetin”.
BE-ja, thotë ai, më nuk është aleate në mbrojtjen e vlerave të veta, por është e përqendruar në interesat ekonomike dhe më shumë e shqetësuar për t’iu kundërvënë Rusisë dhe Kinës.
Zhgënjimi publik është i tillë që “ne që mbështesim respektimin e vlerave evropiane kemi filluar të shqetësohemi”, thotë Vostiniq.
Lideri opozitar Gjilas është edhe më i ashpër. Thotë se “politikanët e BE-së kryesisht janë aleatë të Aleksandar Vuçiqit”.
“Si studentë, ëndrra ime ishte që Serbia të jetë e Evropës, e Bashkimit Evropian”, thotë ai. “Më duhet të pranoj se ëndrra shpeshherë kthehet në makth”.
Përktheu: Gent Mehmeti