Botë

Refugjatët e “braktisur” nga bota në konfliktin e “harruar” të Evropës

Refugjatet duke ikur nga Nagorno-Karabakhu

Territori i diskutueshëm prej kohësh i Nagorno-Karabakhut, i cili shtrihet në skaj të Evropës, ka një histori dhune dhe shpërnguljeje. Sulmi i fundit në rajon, një vit më parë, detyroi 100 mijë armenë të largoheshin nga shtëpitë e tyre - ndoshta përgjithmonë

Sky News - Ndërsa bombat binin pranë qytetit që ajo e quajti shtëpi në skaj të Evropës, Hasmik Arzanyan vrapoi në shtëpinë e saj, duke u ngjitur deri në katin e katërt, ndoshta për herë të fundit.
Ajo ishte mësuar me konfliktet në territorin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakhut, ku babai i saj shërbeu në luftën e parë 30 vjet më parë, dhe burri i saj luftoi në të dytën, gjatë pandemisë COVID-19.

Por sulmi i fundit i Azerbajxhanit në enklavën e cila kishte qenë etnikisht armene, por që njihet ndërkombëtarisht si tokë e Azerbajxhanit, i dha ndjesi ndryshe Hamsikut.

Nëna e dy fëmijëve kishte ndier se këto ishin ditët e saj të fundit në kryeqytetin de facto të rajonit, Stepanakert, dhe së shpejti do t'iu bashkohej 100.000 armenëve të tjerë në një largim të mundshëm.
Përpara atij eksodi masiv, i cili do të sinjalizonte fundin e pranisë 1700-vjeçare armene në Nagorno-Karabakh, Hasmik u largua nga vendi ku strehoheshin dhe u përball me bombardimin aty pranë, për ta pirë një kafe të fundit të bërë vetë.

“Thjesht nuk mund të qëndroja në strehë, duke parë dëshpërimin në fytyrat e njerëzve ishte e mjaftueshme për të të çmendur”, tha ajo. “U ktheva në shtëpi dhe ndjeva se ky ishte fundi. Nuk mund të shpjegoja pse, por e ndjeva, këto ishin ditët tona të fundit në Stepanakert. Kështu që kur u ktheva në shtëpi, ndeza shporetin dhe ia përgatita vetes një kafe të fundit. Thjesht doja të ndieja pak qetësi në shtëpinë time për ato dy minuta”.

Sulmi nga ushtria shumë më e madhe e Azerbajxhanit filloi më 19 shtator dhe zgjati 24 orë, duke detyruar udhëheqjen e rajonit të dorëzohej dhe të pranonte të shpërndante republikën e vetëquajtur deri në janar të vitit 2024.

Ky sulm erdhi pas një lufte 44-ditore të nisur nga Azerbajxhani në vitin 2020, e cila bëri që Baku t’i rifitonte shtatë territore përreth, të pushtuara nga armenët që nga lufta e parë në vitin 1994, si dhe një të tretën e vetë rajonit.

Ofensiva e shtatorit e Azerbajxhanit vazhdoi pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e popullsisë vendëse në Nagorno-Karabakhut, të cilën armenët e quajnë Artsakh.

Dhe pa asnjë shenjë të vërtetë të ndërhyrjes së paqeruajtësve rusë, të vendosur në rajon si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të luftës së dytë, paniku filloi të përhapej midis armenëve.

"Është e pamundur të shpjegohet me fjalë se si ishte. Pamja në fytyrat e njerëzve, të qarat, nuk besoj se do të mund ta harroj ndonjëherë", tha Hasmik."Të gjithë ishin në kaos, fëmijët ishin ende në shkollë, prindërit nuk dinin çfarë të bënin. Disa qanin, disa bërtisnin, njëri ishte zbehur dhe nuk lëvizte. Rreth e rrotull ishte kaos absolut”, tregoi ajo.

Lamtumira e fundit me bashkëshortin

Armenët kishin duruar tashmë mungesa akute të ushqimit, karburantit dhe ilaçeve në një bllokadë nëntëmuajshe të Azerbajxhanit, duke ndërprerë lidhjen rrugore të rajonit me Armeninë, korridorin e Laçinit.

Ajo rrugë ishte rihapur nga Azerbajxhani pak para se të fillonin të binin bombat, dhe brenda disa ditësh i lejoi armenët të largoheshin nga territori.

Hasmik bëri gati vetëm disa rroba dhe mori ushqim për dy fëmijët e saj, Armanin 11 vjeç dhe Vartanin 8 vjeç, për udhëtim me veturë për në Armeni, ndërsa i shoqi qëndroi, duke premtuar se do t'i dërgonte gjërat tjera më vonë.

Ajo i ishte lutur Armenit të largohej me të dhe fëmijët e tyre, por ai donte të ishte armeni i fundit që do të largohej nga rajoni dhe ndjeu nevojën për të ndihmuar të tjerët që përgatiteshin për të ikur. Ajo nuk do ta shihte më.

Gjatë kërkimit për karburant, disa armenë ishin duke qëndruar në radhë në një strukturë magazinimi pranë Stepanakertit më 25 shtator, kur një shpërthim i madh vrau më shumë se 200 persona.

"Kur mbërritëm, nuk mund të flisja, nuk kishim ujë për të pirë dhe çfarëdo që kishim, ndamë me racion për fëmijët tanë”, tha Hasmik në fund të një udhëtimi 32-orësh.

“Ne morëm vesh se kishte pasur një shpërthim, ata thoshin se kishte një shpërthim dhe burri im ishte parë atje”.

"Nuk kisha kohë për të qenë e dobët"

Hasmik tha se sapo kishte marrë mesazhe nga Armeni - gjatë udhëtimit për në Armeni nuk kishte pasur rrjet- ku pyeste nëse ishin të sigurt dhe ku arritën.

“E thirra, por nuk mora përgjigje. Nuk e besova se ishte aty, thashë që nuk është e mundur”, tha ajo.
Këtë tetor do të ishte përvjetori i tyre i dhjetë i martesës.

“Ndihesha kaq bosh pa të, por nuk kisha kohë për të qenë e dobët”, shkroi ajo në një ditar, të cilin e ndau me Sky News, duke shtuar se fëmijët e saj ishin bërë forca e saj.

Gjatë luftës 44-ditore, Hasmik u përpoq të sillte "pak lumturi" për të rinjtë e tjerë të rajonit dhe krijoi një tabletë unike prej druri ku mund të vizatoje me rërë.

Cikli i dhunës dhe shpërnguljes

Refugjatë të tjerë kanë zgjedhur të vendosen diku tjetër, me disa të zhvendosur në Rusi, e cila dikur shihej nga disa armenë në Nagorno-Karabakh si garanci.

Me mbështetjen e shtetit që përfundon në janar të vitit të ardhshëm dhe mediat lokale raportojnë se pak më shumë se 4000 refugjatë kanë aplikuar për shtetësi, disa besojnë se të tjerë do të zgjedhin të largohen tërësisht nga Armenia.

Afro 11.500 refugjatë thuhet se kanë emigruar tashmë, që nga korriku. Fati i tyre ka jehonë të traumës së vuajtur nga azerbajxhanasit për gati tri dekada.

Ndërsa Nagorno-Karabakhu ka një histori të rëndësishme armene, për shekuj ishte gjithashtu shtëpia e dhjetëra mijëra azerbajxhanasve, të cilët u bënë njerëz të zhvendosur brenda vendit pas luftës së parë.

Kthimi armen “i pamundur”

Ndërsa azerbajxhanasit kanë mundësinë të kthehen më në fund, duket se nuk ka gjasa që ata të bashkohen në të ardhmen nga armenë, shumë prej të cilëve kanë frikë të jetojnë nën një qeveri të Azerbajxhanit.

Vendi renditet vazhdimisht si një nga shtetet më pak të lira në botë dhe aktualisht po ndalon aktivistët që janë kritikë ndaj qeverisë, në një goditje të kritikuar nga organizata si “Amnesty International”.

“Reporterët pa Kufij” e rendit Azerbajxhanin në vendin e 164-t në Indeksin e Lirisë së Shtypit - më poshtë se Rusia dhe Venezuela, ndërsa mbikëqyrësi i demokracisë “Freedom House” e konsideron vendin "jo të lirë".

Ndërkohë, presidenti autokratik i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i cili zëvendësoi babanë e tij të ndjerë në vitin 2003, ka përdorur shpesh retorikë antiarmene.

Në një fjalim në dhjetor të vitit 2022, ai tha se Armenia, e cilësuar si "Azerbajxhani Perëndimor", "nuk ka qenë kurrë e pranishme në këtë rajon më parë" dhe "Armenia e sotme është toka jonë".

Perspektiva e kthimit të armenëve është "e pamundur në këtë moment", sipas Tigran Grigoryan, kreu i Qendrës Rajonale për Demokraci dhe Siguri, një institut me seli në Jerevan.

"Njerëzit duhet të kuptojnë se kemi të bëjmë me një nga konfliktet më të dhunshme dhe të egra politike, jo vetëm në hapësirën postsovjetike, por në botë, mendoj unë. Është e pamundur që popullata civile të jetojë nën qeverisjen e Azerbajxhanit pa një lloj garancie ndërkombëtare. Kjo nuk ka të bëjë me të mirën dhe të keqen, kjo është historia e konfliktit”, tha ai.

Ekziston një mosbesim i thellë midis armenëve dhe azerbajxhanasve mbi rajonin, që përfshin breza, që do të thotë se shumë nuk janë të bindur nga ofrimi i sigurisë nga Baku që të gjithë banorët mund të kthehen për të jetuar në paqe.

"Azerbajxhani thotë se është gati të pranojë popullatën civile, por në terren ata po shkatërrojnë shtëpi. Përderisa nuk ka garanci solide ndërkombëtare që mund të sigurojnë të ardhmen e popullatës, e gjithë kjo bisedë për vullnetin është propagandë”, u shpreh Grigoryan.

“I braktisur nga bota”

Qeveria armene po trajton sfidat afatshkurtra, por çështjet më të mëdha janë punësimi dhe integrimi afatgjatë, shtoi Tigran.

Tregu i punës është i përqendruar kryesisht brenda dhe rreth kryeqytetit, ku banesat janë më të shtrenjtat dhe rajonet kufitare ofrojnë pak mundësi.

Për vite me radhë çështja e Nagorno-Karabakhut është referuar si një konflikt i ngrirë ose i harruar dhe ndërsa ka tërhequr më shumë vëmendje që nga lufta e dytë, mes armenëve mbetet një ndjenjë që ata janë braktisur.

Kjo mungesë e veprimit ndërkombëtar ka qenë faktori më i madh, tha Tigran, si në aspektin e mbështetjes së brendshme ashtu edhe të llogaridhënies për ofensivën ushtarake të Azerbajxhanit.

“Kemi të bëjmë me një emergjencë të jashtëzakonshme dhe mbështetja ka qenë e vogël. Ndjenja mbizotëruese mes refugjatëve është se ata ndihen të braktisur nga të gjitha qeveritë”, shtoi ai.
Yuri Kim, një zyrtar i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, i tha një komiteti të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit "ne nuk do të tolerojmë asnjë sulm ndaj popullit të Nagorno-Karabakhut" vetëm disa ditë përpara ofensivës së Azerbajxhanit.

Deklarata të tilla "nuk kanë korresponduar me realitetin", sipas Tigranit dhe ka qenë "punë si zakonisht" me Azerbajxhanin, i cili do të jetë organizator i Samitit global të klimës COP29 në nëntor.

Hasmik, e cila flet anglisht dhe frëngjisht si dhe armenisht, tha se ndihej e "harruar" nga pjesa tjetër e botës.

"Bllokada ishte e pandërprerë për ne. Ne luftuam, duruam, por për nëntë muaj ishte e tmerrshme. Njerëzit jetuan këtu, por bota qëndronte e heshtur, sikur asgjë të mos na ndodhte", tha ajo.

"Si njerëz, ne të gjithë supozohet se kemi lindur me të drejta njerëzore. Por nëse keni lindur në Artsakh, a nuk jeni person?”, shton ajo. 

“Qeveria e Armenisë nuk ka qenë e suksesshme në rritjen e ndërgjegjësimit dhe fondeve ndërkombëtare”, tha Tigran.


Nagorno – Karabakh: Një histori e shkurtër

Nagorno-Karabakh u pretendua nga Azerbajxhani dhe Armenia pas rënies së Perandorisë Ruse në vitin 1917, dhe në kohën sovjetike ai u caktua një rajon autonom brenda Azerbajxhanit. Ndërsa Bashkimi Sovjetik u shpërbë, armenët në rajon filluan një lëvizje për t'u bashkuar me Armeninë, pavarësisht vendndodhjes së saj zyrtare brenda Azerbajxhanit. Kjo u pasua nga lufta e parë, me forcat armene që morën kontrollin e rajonit dhe kapën shtatë rajone përreth si një "zonë neutrale" në fillim të viteve 1990. Nga viti 1988 deri në vitin 1994 u vranë rreth 30.000 njerëz. Armenët në Azerbajxhan ishin viktima të masakrave, ndërsa azerbajxhanasit pretenduan se u diskriminuan dhe u dhunuan në Armeni. Rreth 500.000 azerbajxhanas nga Nagorno-Karabakh dhe zonat përreth tij u zhvendosën, 350.000 armenë u larguan nga Azerbajxhani dhe 186.000 azerbajxhanas u larguan nga Armenia.