Botë

Reformistët pa shpresa kundrejt nacionalistëve në zgjedhjet boshnjake

Zgjedhjet në Bosnjë-Hercegovinë kanë mbetur në hije të krizës së rëndë ekonomike dhe gjuhës së urrejtjes së kandidatëve nacionalistë në të gjitha kampet e shtetit me demokraci të brishtë. Kandidatët me agjendë reformuese kanë pak gjasa për të fituar mjaftueshëm sa për t’ua ndalur hovin agjendave pro-ruse në shtetin multietnik të Ballkanit

Boshnjakët po zgjedhin sot presidencën e re kolektive të vendit dhe ligjvënësit në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal, duke vendosur mes partive nacionaliste me rrënjë të thella dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Gati 3.4 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në mes të krizës më të rëndë politike në vendin ballkanik që nga fundi i luftës në vitet 1990, të shkaktuar nga politikat separatiste të udhëheqjes serbe dhe kërcënimet për bllokada nga kroatët e Bosnjës, thuhet në analizën e televizionit amerikan, CNN.

Bosnja përbëhet nga dy rajone autonome, Republika Sërpska, e dominuar nga serbët dhe Federata e ndarë nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore. Federata është e ndarë më tej në 10 kantone.

Fushata zgjedhore nga partitë etnike në pushtet u dominua nga gjuha e urrejtjes dhe retorika nacionaliste, duke u fokusuar më tepër në temat e mbrojtjes së interesave kombëtare dhe kritikat e kundërshtarëve sesa në çështjet e jetës reale si vendet e punës dhe inflacioni në rritje.

Mungesa e sondazheve të besueshme e ka bërë të vështirë parashikimin e rezultatit, por shumë analistë besojnë se partitë nacionaliste do të dominojnë dhe se ndryshimi më i madh mund të vijë në kampin boshnjak.

Bakir Izetbegoviq, kreu i Partisë më të madhe Boshnjake të Veprimit Demokratik, i cili kandidon për anëtarin e presidencës boshnjake, shihet në një garë të ngushtë me Denis Beqiroviqin e Partisë Social Demokratike, oferta e të cilit është mbështetur nga 11 parti opozitare me orientim qytetar.

Vëzhguesit besojnë se partitë nacionaliste serbe dhe kroate do të mbeten në pushtet, por disa sondazhe kanë sugjeruar se lideri separatist pro-rus, Milorad Dodik, i cili kandidon për president të Republikës Sërpska, po përballet me konkurrencë të fortë nga ekonomistja opozitare, Jelena Triviq.

Partitë kroate kanë paralajmëruar se mund të bllokojnë formimin e qeverisë pas votimit nëse i moderuari Zhelko Komshiq fiton mandatin e anëtarit të presidencës kroate. Ata thonë se fitorja e tij mund të bazohet vetëm në votat e shumicës së boshnjakëve dhe se ata nuk do ta konsiderojnë atë si përfaqësuesin legjitim kroat.