Një vit më parë rebelët sirianë nisën ta planifikonin sulmin ushtarak që rrëzoi regjimin e Assadit, në një operacion të disiplinuar në të cilin ishte i përfshirë një njësit i ri për drona dhe ku kishte një koordinim të ngushtë midis grupeve opozitare në të gjithë shtetin, ka zbuluar komandanti më i lartë ushtarak i grupit kryesor të rebelëve.
Në intervistën e tij të parë me një media të huaj që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit, Abu Hafs al-Hamwi, kreu i krahut ushtarak të Hayat Tahrir al-Sham (HTS), ka folur se si grupi komunikoi me rebelët nga veriperëndimi në jug me synimin për të rrethuar Damaskun nga të dyja drejtimet.
Ai ka thënë se edhe pse planifikimi i operacionit për rrëzimit e Assadit kishte filluar një vit më parë, grupi ishte duke u përgatitur prej vitesh, ka raportuar “The Guardian”.
Që nga viti 2019, HTS ka zhvilluar një doktrinë ushtarake që e përdori për t’i kthyer luftëtarët që vinin nga grupe të ndryshme, të paorganizuara dhe xhihadiste, në një forcë të disiplinuar luftarake.
“Pas fushatës së fundit (gusht 2019), gjatë së cilës humbëm territor të rëndësishëm, të gjitha fraksionet revolucionare e kuptuan rrezikun – problemi thelbësor ishte mungesa e një lidershipi të unifikuar dhe kontrolli mbi betejën”, ka thënë al-Hamwi.
Regjimi sirian nisi një operacion kundër forcave opozitare në veriperëndim të Sirisë më 2019, duke i shtyrë me sukses fraksionet në provincën e Idlibit. Turqia më pas negocioi një armëpushim më 2020, rebelët u kufizuan në një tokë të vogël në veriperëndim – ku do të mbeteshin deri tani në këtë muaj.
Nëse dëshironte ta mposhte regjimin, HTS-ja kuptoi se duhej të fuste rend në aleancën e fraksioneve opozitare që ishin në Idlib. Ajo u ofroi grupeve të tjera të bashkoheshin nën të, dhe kur ato refuzuan, u vunë në përballje. Ajo luftoi kundër grupeve të tilla si dega e al-Qaidas “Hurras al-Din”, e cila e refuzonte qasjen më pragmatike islame të HTS-së. Shpejt, HTS u bë fuqia dominuese në Sirinë veriperëndimore.
Me unifikimin e komandës politike, al-Hamwi nisi të trajnonte luftëtarët e grupit dhe të zhvillonte një doktrinë më gjithëpërfshirëse ushtarake.
“Ne studiuam armikun tërësisht, duke analizuar taktikat e tyre, si ditën ashtu edhe natën, dhe i përdorëm këto njohuri për të zhvilluar forcat tona”, ka theksuar ai.
Grupi ngadalë u bë forcë e disiplinuar luftarake. U krijuan degë ushtarake, njësi dhe forca të sigurisë.
HTS-ja filloi edhe të prodhojë armatim, automjete e municione të veta. Një njësi për drona u krijua, duke bërë bashkë inxhinierë, mekanikë dhe kimistë.
Grupi u dërgoi mesazh rebelëve në jug një vit më parë dhe filloi t’i këshillonte. Siria jugore ka qenë nën kontrollin e regjimit që nga viti 2018. Me ndihmën e HTS-së, një dhomë operative u krijua dhe mblodhi komandantët e rreth 25 grupeve rebele në jug, të cilët do të koordinonin lëvizjet e luftëtarëve të tyre dhe me HTS-në në veri. Synimi ishte që të dyja anët të takoheshin në kryeqytet.
Në fund të nëntorit, grupi vendosi se kishte ardhur koha.
Grupi fillimisht donte të ndalonte trendin e fuqive rajonale nga normalizimi me regjimin e Assadit pas vitesh izolimi diplomatik. Donte të ndalonte edhe intensifikimin e sulmeve ajrore në veriperëndim të Sirisë dhe banorëve të saj. Më në fund, HTS pa se aleatët ndërkombëtarë të Assadit të zënë, kështu që krijoi strategjinë.
Rusia që ofronte mbështetjen më të madhe ajrore ishte e zënë me Ukrainën. Irani dhe Hezbollahu ishin në luftën e vetë me Izraelin.
HTS nisi operacionin duke hyrë në Aleppo më 29 nëntor. Luftëtarët e Hezbollahut u munduan ta mposhtnin kryengritjen, por shpejt u tërhoqën.
“Ne kishim një bindje, të mbështetur nga precedenti historik, se ‘Damasku nuk mund të bjerë pa rënë Aleppo’. Fuqia e revolucionit sirian ishte e koncentruar në veri, dhe ne besonim se sapo Aleppo të lirohej, mund të lëviznim drejt Damaskut”, ka treguar më tej al-Hamwi.
Pas rënies së Aleppos, avancimi i rebelëve në veri ishte i pandalshëm. Katër ditë më vonë, morën qytetin Hama, më 7 dhjetor rebelët filluan ofensivën në Homs. Ata e morën qytetin brenda orësh.
Rebelët në jug supozohej të prisnin derisa Homsi të binte për të filluar rebelimin e tyre në jug, sipas Abu Hamzeh, udhëheqës i Dhomës së Operacioneve për Çlirimin e Damaskut, por nga emocioni ata filluan më herët. Rebelët shpejt shtynë ushtrinë siriane jashtë qytetit Daraa dhe arritën në Damask para se HTS-ja të arrinte.
Më 8 dhjetor, Bashar al-Assadi iku nga shteti.
Perspektiva për të ndërtuar një shtet nuk është detyrë e lehtë – gjë që al-Hamwi e pranon. Ka frikë nga minoritetet fetare se grupi islamik mund të imponojë dogmën e vet.
“Ne ritheksojmë se pakicat në Siri janë pjesë e vendit dhe kanë të drejtë të praktikojnë ritualet, edukimin dhe shërbimet si çdo qytetar tjetër sirian. Regjimi mbolli përçarje, dhe ne po përpiqemi sa mundemi t’i heqim ato”, ka theksuar al-Hamwi.