Botë

Rebelët Houthi sulmojnë me raketa një anije në Detin e Kuq

Houthi

Një anije që lundronte përmes Detit të Kuq është sulmuar me raketa të premten. Sipas autoriteteve britanike autorë të sulmit janë rebelët Houthi të Jemenit. 

Pesë raketa ranë pranë anijes ndërsa ajo udhëtonte në brigjet e qytetit port të mbajtur nga rebelët Hodeida në Jemen, njoftuan autoritete britanike.

Sipas tyre raketat që ranë pranë anijes nuk kanë shkaktuar dëme. 

Rebelët Houthi nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin. 

Që nga vitit i kaluar rebelët kanë shënjestruar më shumë se 60 anije duke gjuajtur raketa dhe dronë në fushatën e tyre që ka vrarë gjithsej katër marinarë. Ata rrëmbyen një anije dhe  i fundosën dy të tjera që nga nëntori. Një fushatë sulmesh ajrore e udhëhequr nga SHBA-ja i ka shënjestruar Houthit që nga janari, me një seri sulmesh që kanë vrarë të paktën 16 persona dhe ka plagosur 42 të tjerë, thonë rebelët, raporton Associated Press.

Houthit pohojnë se sulmet e tyre synojnë anije të lidhura me Izraelin, Shtetet e Bashkuara ose Britaninë.

Megjithatë, shumë nga anijet e sulmuara kanë pak ose aspak lidhje me luftën Izrael-Hamas – duke përfshirë disa të destinuara për në Iran.