E përditësuar (20:19) - Prokurori special i caktuar për të hetuar Hunter Bidenin, David Weiss ka deklaruar se dënimi i tij për krimet federale me armë është një kujtesë se askush nuk është mbi ligjin.
David Weiss, prokuror i SHBA-së për Delaware, foli të martën, pak pasi një juri e Delaware e dënoi Hunterin për tri krime në lidhje me blerjen e një arme në tetor të vitit 2018.
"Ky rast kishte të bënte me zgjedhjet e paligjshme që i pandehuri kishte bërë gjatë kohës që ishte në varësi. Zgjedhja e tij për të gënjyer në një formular qeveritar kur bleu një armë, dhe zgjedhja për ta mbajtur atë armë. Ishin këto zgjedhje dhe kombinimi i armëve dhe drogës që e bënë sjelljen e tij të rrezikshme. Së dyti, askush në këtë vend nuk është mbi ligjin. Të gjithë duhet të japin llogari për veprimet e tyre, edhe ky i pandehur", ka deklaruar Weiss në një konferencë për media.
Juria diskutoi vetëm për tri orë pas një gjyqi njëjavor, përpara se ta shpallte Hunterin fajtor për mohimin e rremë në një formular federal për blerjen e armëve, se ai ishte një i droguar kur bleu armën.
Hunter gjithashtu u shpall fajtor për posedim të paligjshëm të armës si përdorues i paligjshëm i drogës.
Hunter Biden thotë se është “më shumë mirënjohës sesa i zhgënjyer” për vendimin e jurisë
E përditësuar (19:27) - Djali i presidentit, Joe Biden, Hunter Biden lëshoi një deklaratë pas shpalljes fajtor nga një juri të martën në Delaware, duke thënë se ndihet më shumë mirënjohës sesa i zhgënhyer.
“Unë jam më shumë mirënjohës sot për dashurinë dhe mbështetjen që përjetova javën e kaluar nga Melissa, familja ime, miqtë e mi dhe komuniteti im, sesa jam i zhgënjyer nga rezultati”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, avokati i tij, Abbe Lowell, ka thënë se ekipi është "i zhgënjyer" nga vendimi.
"Ne e respektojmë procesin e jurisë dhe siç kemi bërë gjatë gjithë kësaj çështjeje, ne do të vazhdojmë të ndjekim fuqishëm të gjitha sfidat ligjore në dispozicion”, është shprehur ai.
Reagon Joe Bideni pasi djali iu shpall fajtor
E përditësuar: Pas shpalljes fajtor të Hunter Bidenit, presidenti Joe Biden ka thënë në një deklaratë se ai dhe zonja e parë do të jenë gjithmonë aty për djalin e tyre "me dashurinë dhe mbështetjen tonë".
Presidenti ka thënë se do të pranojë rezultatin dhe do të vazhdojë të respektojë procesin gjyqësor ndërsa djali i tij paraqet një apel.
Presidenti Biden thotë se ai dhe Jill e duan djalin e tyre dhe janë krenarë për njeriun që ai është sot.
“Shumë familje që kanë pasur të dashurit që luftojnë varësinë e kuptojnë ndjenjën e krenarisë kur sheh dikë që e do, të dalë nga ana tjetër, dhe të jetë aq i fortë dhe elastik në shërim”, ka thënë Bideni.
Shpallet fajtor djali i Joe Bidenit, Hunter Biden
Djali i presidentit amerikan, Joe Biden, Hunter Biden, u shpall fajtor nga një juri të martën, për tri akuzat ndaj tij.
Ai u akuzua për dy deklarata të rreme kur plotësoi një formular për të blerë një revole Colt në tetor të vitit 2018: fillimisht duke deklaruar në mënyrë të pavërtetë se nuk ishte i varur nga droga ose nuk përdorte drogë, dhe më pas duke deklaruar se deklarata ishte e vërtetë. Ndërkaq, në akuzën e tretë, thuhej se ai kishte deklaruar se e kishte në pronësi të paligjshme armën për 11 ditë.
Ai mund të përballet në maksimum prej 25 vjetësh burgim.
Juria në Delaware e shpalli fajtor Bidenin për të tri akuzat pasi dëgjoi një javë dëshmi dhe prova të dëshmitarëve në gjyqin penal të profilit të lartë.
Vendimin e së martës ndaj Bidenit demokratët mund ta shfrytëzojnë për ta kundërshtuar pretendimin e Donald Trumpit për një sistem drejtësie të armatosur kundër tij, raporton Reuters.
Rasti ndaj tij e bën Hunter Bidenin fëmijën e parë të një presidenti në detyrë të SHBA-së që dënohet për një krim.
Gjyqi ndaj Bidenit pason dënimin penal më 30 maj të Trumpit, ish-presidenti i parë i SHBA-së që u shpall fajtor për një krim dhe sfiduesi republikan i Joe Bidenit, një demokrat, në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Trumpit, i dënuar për 34 akuza penale për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar një skandal seksual, akuzon demokratët për ndjekjen e kësaj çështjeje dhe tri ndjekje penale të tjera për ta penguar atë të rimarrë pushtetin nga Joe Bideni.
Çështja Hunter Biden u ngrit nga Këshilltari Special i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, David Weiss.
Weiss ka akuzuar gjithashtu Hunter Bidenin për tri krime dhe gjashtë kundërvajtje tatimore në Kaliforni, duke pretenduar se ai dështoi të paguante 1.4 milionë dollarë taksa midis viteve 2016 dhe 2019 ndërsa shpenzoi miliona për drogë, eskortë, makina ekzotike dhe sende të tjera.
Hunter Biden është deklaruar i pafajshëm për këto akuza. Një gjyq është caktuar për më 5 shtator në Los Axhelos.