Komanda e ushtrisë siriane ka njoftuar oficerët të dielën se sundimi autoritar 24-vjeçar i presidentit Bashar al-Assad ka përfunduar, ka thënë një oficer sirian për Reuters, pas një ofensive të shpejtë rebele që befasoi botën.
Liderë të shumtë botërorë kanë reaguar pas ngjarjes.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se po e monitoron nga afër situatën.
“Presidenti Biden dhe ekipi i tij po monitorojnë nga afër ngjarjet e jashtëzakonshme në Siri dhe po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët rajonalë”, ka thënë Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Ndërkohë, Pentagoni ka lëshuar një njoftim ku bën të ditur se trupat ushtarake do të vazhdojnë të mbeten prezentë në Sirinë lindore.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ruajnë praninë e tyre në Sirinë lindore dhe do të marrin masat e nevojshme për të parandaluar rilindjen e Shtetit Islamik”, ka thënë zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Daniel Shapiro në konferencën e sigurisë në Bahrein.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka përshëndetur lajmin për rënien e presidentit sirian Bashar al-Assad të dielën dhe tha se Franca do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjithëve në Lindjen e Mesme.
“Shteti barbar ka rënë. Më në fund. U bëj nder popullit sirian, guximit të tij, durimit të tij. Në këtë moment pasigurie, u uroj atyre paqe, liri dhe unitet”, ka thënë Macron në një postim në X.
“Franca do të mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjithëve në Lindjen e Mesme”, ka shtuar Macron.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se Bashar Bashar al-Assad ka shtypur brutalisht popullin e tij, ka jetë të panumërta në ndërgjegjen e tij dhe ka shtyrë shumë njerëz të ikin nga Siria, shumë prej të cilëve jetojnë në Gjermani.
“Populli sirian ka vuajtur tmerrësisht. Prandaj, fundi i sundimit të Asadit mbi Sirinë është një lajm i mirë. Ajo që ka rëndësi tani është që ligji dhe rendi të rivendosen shpejt në Siri. Të gjitha bashkësitë fetare, të gjitha pakicat duhet të gëzojnë mbrojtje tani dhe në të ardhmen. Një zgjidhje politike e konfliktit në Siri në përputhje me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ende e mundur”, ka thënë Scholz.
Shapiro u bëri thirrje të gjitha palëve të mbrojnë civilët, veçanërisht pakicat, që të respektojnë normat ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka thënë se ka thirr një takim urgjent në ministrinë e Jashtme lidhur me ambasadën italiane në Damask.
"Unë po ndjek me vëmendje evoluimin e situatës në Siri. Jam në kontakt të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Damask dhe me zyrën e Kryeministrit. Kam thirrur një takim urgjent në orën 10:30 në Ministrinë e Jashtme", ka shkruar Tajani në X.
Zëvendëskryeministrja e Britanisë, Angela Rayner, ka thënë se diktatura dhe terrorizmi krijon probleme për popullin e Sirisë.
"Diktatura dhe terrorizmi krijon probleme për popullin e Sirisë që tashmë është përballur me kaq shumë dhe gjithashtu destabilizon rajonin. Kjo është arsyeja pse ne duhet të kemi një zgjidhje politike ku qeveria vepron në interes të popullit sirian. Kjo është ajo që ne duam të shiko. Ky është lloji i demokracisë që ne themi se është i duhuri për botën dhe kjo, me shpresë, është ajo që do të marrë populli sirian”, ka thënë Rayner.
"Nëse Assad ka ikur, ky është një ndryshim i mirëpritur, por ajo që vjen më pas duhet të jetë një zgjidhje politike dhe ata duhet të punojnë në interes të popullit sirian”, ka shtuar ajo.
