Botë

Rasti i vëllezërve Menendez do të rishikohet, provat e reja merren në shqyrtim

Lyle & Erik Menendez

Dënimet e Erik dhe Lyle Menendez, të cilët janë të burgosur për më shumë se tri dekada për vrasjen e prindërve të tyre në SHBA, do të rishikohen. Prokurorët në Los Angeles po shqyrtojnë provat e reja në rastin e vëllezërve për të përcaktuar nëse ata duhet të kryejnë dënimet e tyre me burgim të përjetshëm.

Prokurori i Qarkut të Los Angelesit, George Gascon, ka thënë gjatë një konference se nuk ka dyshim se Erik dhe Lyle Menendez kryen vrasjet, por se zyra e tij do të rishikojë provat e reja dhe do të marrë vendim nëse duhet të kërkohet një proces i ri vendimmarrjeje mbi dënimin e tyre.

Provat e reja përfshijnë një letër të Erik Menendezit që avokatët e tij thonë se vërteton pretendimet se ai ishte abuzuar seksualisht nga babai i tij, raportoi AP.

Vëllezërit kanë deklaruar se kanë vrarë prindërit e tyre në vetëmbrojtje pasi kishin duruar një jetë me abuzim fizik, emocional dhe seksual nga ata. Avokatët e tyre argumentojnë se për shkak të ndryshimit të pikëpamjes së shoqërisë mbi abuzimin seksual, vëllezërit mund të mos ishin dënuar për vrasje të shkallës së parë dhe burgim të përjetshëm.

Avokatët e tyre thonë se familja beson se që nga fillimi ata duhej të ishin akuzuar për vrasje pa paramendim. Vrasja pa paramendim nuk ka qenë opsion për jurinë gjatë gjyqin të dytë që iu bë atyre e që çoi në dënimin për vrasje.

Lyle Menendez, që atëkohë ishte 21 vjeç, dhe Erik Menendez, atëkohë 18 vjeç, pranuan se qëlluan për vdekje babanë Jose Menendez dhe nënën Kitty Menendez, në vitin 1989. Por, ata kishin deklaruar se ishin të frikësuar se prindërit e tyre po planifikonin t’i vrisnin djemtë për të parandaluar zbulimin e abuzimit seksual për një kohë të gjatë të Erikut.

Prokurorët në atë kohë kundërshtuan se nuk kishte asnjë provë të abuzimit. Ata thanë se djemtë ishin pas pasurisë multi-milionëshe të prindërve të tyre.

Juria e refuzoi një dënim me vdekje dhe vendosi për dënim me burgim të përjetshëm.

Rasti ka marrë vëmendje edhe një herë javët e fundit pasi Netflixi ka nisur transmetimin e dramës bazuar në ngjarjen e djemve, “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story”.

Në një deklaratë përcjellë nga bashkëshortja e tij, Erik Menendez e ka quajtur shfaqjen e Netflixit “portretizim çnderues” të asaj që kishte ndodhur dhe se si kishte kthyer prapa në kohën kur prokurorët “ndërtuan narrativën në një sistem besimi se meshkujt nuk abuzoheshin seksualisht, dhe se burrat e përjetojnë traumën e përdhunimit ndryshe nga gratë”.

Gascon ka thënë se ai beson se çështja e sulmit seksual do të trajtohej me më shumë ndjeshmëri nëse rasti do të ndodhte sot.

Një seancë dëgjimi është caktuar për 29 nëntor.

Lyle Menendez së fundmi është diplomuar në sociologji nga Universiteti i Kalifornisë, përmes një programi burgu.