Botë

Raportohen mbi 100 të zhdukur, frikë për rritje të viktimave nga sulmi në Moskë

Sulmi në Moskë

Sulmi në Moskë

Foto: Associated Press

Numri i të vdekurve nga sulmi terrorist në sallën e koncerteve në Moskë tw premten mund të jetë shumë më i lartë se 140 të vdekurit e konfirmuar.

Hetuesit shtetërorë rusë thonë se kanë marrë 143 raporte për persona të zhdukur, raportoi The Guardian. Ndwrkaq, komiteti hetimor ka thënë në një deklaratë se deri më tani janë identifikuar 84 trupa.

Më herët të mërkurën, Baza, një kanal Telegrami me lidhje me shërbimet e sigurisë ruse, raportoi se 95 individë që nuk figuronin në mesin e 120 emrave në regjistrin zyrtar të viktimave ishin të pagjetur pas të shtënave të javës së kaluar në sallën e koncerteve “Crocus City”, në afërsi të Moskës.

Të afërmit e tyre nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë kontakte me ta që nga sulmi i së premtes, ka thënë Baza.

Shumë prej viktimave besohet se kanë vdekur si pasojë e thithjes së tymit pasi sulmuesit i vunë flakën ndërtesës, gjë që shkaktoi edhe shembjen e çatisë.

Shteti Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë për sulmin, më vdekjeprurësi i tij në tokën evropiane dhe më vdekjeprurësi nga ndonjë grup në Rusi, që nga rrethimi i shkollës në Beslan në vitin 2004.

Zjarri dhe shembja e çatisë i bëri disa prej trupave të viktimave vështirë të identifikueshme, ka thënë një burim në shërbimet e urgjencës ruse.

“Në shumë raste, mbetën vetëm fragmente të trupave”, kanë thënë ai.

Pas sulmit, disa rusë u përpoqën të gjenin të afërmit e zhdukur përmes mediave sociale.

Të martën, zyrtarë të lartë rusë të afërt me Vladimir Putinin dhanë indikacione të qarta se Moska po planifikonte të fajësonte Ukrainën dhe Perëndimin për sulmin, pavarësisht se Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (ISKP), një degë afgane e grupit terrorist, e kishte marrë përgjegjësinë.

“Ne besojmë se aksioni u përgatit nga vetë radikalët islamikë dhe u lehtësua nga shërbimet speciale perëndimore”, ka thënë Alexander Bortnikov, drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).  

Ai pretendoi se Kievi kishte ndihmuar në përgatitjen e militantëve në një vend të paidentifikuar në Lindjen e Mesme.

Kur u pyet nga gazetarët rusë nëse Ukraina dhe aleatët e saj, SHBA-ja dhe Britania, ishin të përfshirë, Bortnikov tha: "Ne mendojmë se është kështu".

Pavarësisht fajësimit të perëndimit, Bortnikovi pranoi se SHBA-ja në fillim të këtij muaji i kishte përcjellë Rusisë informacione për një sulm të mundshëm terrorist që po përgatitej në vend. 

“Informacioni për përgatitjen e akteve terroriste në vendet e grumbullimit masiv të qytetarëve ishte i një natyre të përgjithshme, ne kemi reaguar ndaj këtij informacioni”, ka thënë ai.